INSTAT: Kriza energjetike e ngadalësoi rritjen ekonomike në Shqipëri

Tiranë, 29 dhjetor 2017 – Kriza energjetike në shqipëri, përveç pasojave negative në buxhet, e ka dëmtuar edhe rritjen ekonomike në vend.

Instituti i Statistikave INSTAT raportoi se pas dy tremujorëve me rritje prej 4 për qind, prodhimi kombëtar në Shqipëri u rrit më ngadalë në tremujorin e tretë.

“Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë të vitit 2017 vlerësohet me rritje prej 3,55 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2016”, ka thënë Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e INSTAT.

Sipas instat, përveç energjisë, sektorët tjerë kanë shënuar rritje, veçanërisht turizmi, ndërtimit dhe sektori i shëndetësisë.

“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Tregti Hotele e Restorante dhe Transporti me + 0,90 pikë përqindje, Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia me + 0,89 pikë përqindje, Ndërtimi me + 0,68 pikë përqindje”, ka thënë Ibrahimaj, transmeton Top Channel.

Në krahun e kërkesës, ekonomia është ndihmuar nga rritja e konsumit, ndërsa rritja e investimeve është ngadalësuar nga nivelet dyshifrore në tremujorin e parë dhe të dytë.

“Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3,25 %”, është shprehur Ibrahimaj.

Në total, si nëntëmujor, prodhimi kombëtar është zgjeruar me 3.87 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, një ritëm në linjë me objektivin e qeverisë dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar për një rritje prej 3.9 për qind. (r.m.)

Comment

*