INSTAT: Shqipëria dhe Kosova me më shumë të rinj pa punë dhe pa shkollë

INSTAT, enti shtetëror në Tiranë, në raportin për arsimimin shkruan se ardhmëria dhe prodhimtaria në trojet e shqiptarëve është e pashpresë

Knid Ndrenika

Papunësia dhe pashkollimi apo mospasja e asnjë angazhimi në grupmoshat 15-24 vjeçare është 25,5 për qind në Shqipëri dhe 33 për qind në Kosovë, raporton Instituti i Statistikës.

INSTAT, enti shtetëror në Tiranë, në raportin për arsimimin shkruan se ardhmëria dhe prodhimtaria në trojet e shqiptarëve është e pashpresë.

Në Maqedoninë Veriore u raportua shifër më e ulët e të rinjve, 18 për qind pa shkollim e pa punë në 2019 krahasuar me 25 për qind në vitin 2017.

Instituti i Statistikës arsyeton se gjendja e tregut të punës për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor karakterizohet nga pasiviteti dhe nivelet e larta të papunësisë së vazhdueshme, puna në sektorin informal dhe emigracioni i lartë.

Rigels Xhemollari nga organizata “Qëndresa Qytetare” më herët kur paraqiti rezultatet e një sondazhi te grupmosha 18-30 vjeçare:

“Të rinjtë kanë bërë zgejdhjen e tyre ku 71,1 për qind kanë vendosur të emigrojnë. Në planet e tyre afatshkurtëra dhe afatmesme është emigracioni si rrugëzgjidhje për shkak të një pune më të mirë, standardi më të mirë jetese, sigurisë”.

17 për qind është niveli i të rinjve pa asnjë angazhim në Malin e Zi dhe 15 për qind në Serbi.

Në vendet e Bashkimit Europian ishte 10 për qind në vitin 2019 niveli i të rinjve të paangazhuar me punë apo arsim.

Comment

*