Instituti Epik: Kosova është ende larg liberalizimit të vizave

Prishtinë, 4 maj 2019 – Edhe pse Kosova nuk ka hyrë në agjendën e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave kurse në fund të këtij muaji mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian,  kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka uruar qytetarët e vendit për liberalizimin e vizave.

Kjo deklaratë e Haradinajt erdhi pas takimit që ka pasur në Berlin me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, ku ky i fundit kishte paralajmëruar se Gjermania do të marrë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Demush Shasha nga Instituti Epik dhe ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit, tha se është gjë e mirë që Gjermania e ka shprehur vullnetin e mirë për miratimin e liberalizimit të vizave, por liberalizimi nuk mund bëhet me vendimin e vetëm një shteti.

“Ato mund të bëhen me një vullnet të vendeve anëtare të cilin, për momentin, nuk jemi duke e parë sepse kjo çfarë tha kryeministri në konferencën për shtyp duhet thuhet jo nga kryeministri, por nga 27 vendet anëtare të BE-së, jo nga një ministër. Është mirë që një ministër i brendshëm i Gjermanisë ka thënë po, por tani duhet gjithë ministrat të tregojnë një vullnet të njëjtë në mënyrë që të fillojë ky proces i vendimmarrjes”, tha ai.

“Kemi 27 vende të BE-së të cilat do votojnë ‘pro’ ose ‘kundër’ liberalizimit, prandaj nuk jemi në fund të procesit, por jemi në fillim të tij. Kemi parë që tani, prej muajit shtator të vitit 2018, 27 vendet anëtare nuk kanë treguar vullnet për të proceduar tutje në procesin e liberalizimit të vizave. Shpresojmë që ky momentum që është krijuar tani do të shtyjë përpara vendimmarrjen brenda institucioneve të BE-së”, tha Shasha për Ekonomia Online.

Shasha tha se është pesimist se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodh në këtë vit. Ai theksoi se mundësitë për vendimmarrje ekzistojnë, por gjasat që kjo të ndodhë këtë vit janë të vogla.

“Është një vendimmarrje komplekse. Në një anë duhet të votojë Parlamenti Evropian, i cili tashmë nuk ekziston. Duhet të presim përfundimin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian e pastaj të fillojë procedura vendimmarrëse brenda Parlamentit Evropian. Në anën tjetër, fillon procedura e vendimmarrjes brenda vendeve anëtare apo Këshillit të BE-së. Më së pari niveli i ambasadorëve duhet marrë vendim pozitiv e më pas niveli ministror. E gjithë kjo procedurë merr kohë, duke pasur parasysh se ne sot jemi në fillim të muajit maj, mbajtja e zgjedhjeve për Parlament Evropian dhe përfundimi i tyre do të na sjellë deri në fillimin e pushimeve verore. Prandaj, realisht nuk do të ndodhë asgjë deri në muajin shtator të këtij viti”, tha ai.

Shasha tha se Kosova duhet të punojë dhe bashkëpunojë më shumë me vendet si Franca, Holanda, Suedia etj në mënyrë që të përcillet trendi i pohimeve.

Ai theksoi se Kosova duhet të bëjë më shumë në liftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kosova duhet të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Derisa gjithë kjo po ndodh, Kosova as pas 2 vitesh e gjysmë nuk e ka mbyllur asnjë rast të nivelit të lartë të korrupsionit. Tani, në vizitën e radhës në Paris apo në Holandë, kryeministri do të ballafaqohet me pyetjen: përse në Kosovë, dy vite e gjysmë pas rekomandimit të Komisionit Evropian, ende nuk ka të përfunduar asnjë rast të nivelit të lartë të korrupsionit”, shtoi Shasha. (r.m.)

Comment

*