Instituti i Statistikave: Në korrik çmimet e konsumit u ulën 0.8%

Ulje çmimesh vërehen edhe në disa nëngrupe të tjera të ushqimeve, “qumësht, djath e vezë” 1.0 përqind dhe “sheqer dhe ëmbëlsira” 0.7 për qind. Ulja më e madhe prej 16.3 përqind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Kurse, çmimet në nëngrupin “fruta” shënuan një rritje prej 7.3 për qind

 

Aristir Lumezi
Instituti i Statistikave (INSTAT), raportoi se çmimet e konsumit në muajin korrik shënuan një ulje prej 0.8 përqind krahasuar me muajin qershor. Ndryshimi vjetor i indeksit në muajin korrik (korrik-2013/Korrik-2012) është 1.6 përqind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.7 përqind. Njoftimi për media i INSTAT-it tregon se gjatë muajit korrik krahasuar me muajin e mëparshëm, qershorin, indeksi i grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.7 përqind. Ulja më e madhe prej 16.3 përqind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”.
Ndërkohë ulje çmimesh vërehen edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim uljen në nëngrupin “qumësht, djath e vezë” me 1.0 përqind si dhe “sheqer e ëmbëlsira” me 0.7 përqind”. Ndërsa çmimet në nëngrupin “fruta” shënuan një rritje prej 7.3 përqind. Përsa i përket indeksit të çmimeve në grupin “Veshje dhe këpucë”, sipas INSTAT-it u shënua ulja 0.9 përqind. Ndërkohë vihet re se indeksi i grupit “qera, ujë lëndë djegëse dhe energji” shënoi një ulje prej 0.1 për qind. Te ky grup mund të veçohet ulja e çmimit të lëndëve djegëse me 0.4 përqind. Gjithashtu gjatë muajit korrik 2013, grupi “shëndeti” ka shënuar ulje 1.0 përqind, që ka ardhur si rezultat i uljes së çmimeve të barnave (medikamenteve) me 1.4 përqind. Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave, indeksi i grupit “Transporti” ka shënuar një ulje prej 0.1 për qind. Brenda këtij grupi çmimi i naftës shënoi një ulje prej 0.5 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 0.4 për qind. Përsa i përket indeksit të grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, INSTAT njofton se është shënuar një ulje prej 0.8 përqind, që ka ardhur si rezultat i uljes së tarifave të siguracionit të makinave. Ndërkohë në grupet e tjera ndryshimet luhaten nga minus 0.1 përqind në 0.1 përqind.

Comment

*