Intelektuali që i priu Kosovës drejt pavarësisë

Shkumbin Brestovci

Kur Ibrahim Rugova e mori përsipër fatin e Kosovës, ai hyri si një intelektual jo fort optimist ose, me fjalët e tij, si optimist realist. I vetëdijshëm për imazhin e keq të popullit të vet, të krijuar jo vetëm nga propaganda përmbi njëqindvjeçare e shtetit dhe elitave serbe, por edhe nga vetizolimi shekullor i shqiptarëve, ai e dinte se kishim shumë pak miq nëpër botë. Kjo propagandë serbe, e cila arriti kulminacionin e intensitetit në vitet e ’80-ta shungullonte në tërë botën diplomatike dhe ishte për çdo njeri normal e pamundshme të sfidohej.

Natyrisht, as Ibrahim Rugova nuk do ta ketë parë këtë sfidim të mundshëm, por u angazhua për të shmangur luftën e planifikuar, duke i larguar qytetarët nga rruga dhe duke nisë një rezistencë të refuzimit, të cilën Rugova atëbotë e quan rezistencë pasive, të moskonfrontimit fizik, sepse – së paku ai e kishte të qartë – që pasojat do të ishin katastrofike.

Mirëpo, shoqëria kosovare e befasoi edhe optimistin realist Ibrahim Rugova duke e shndërruar rezistencën e tij në një rezistencë jo vetëm jashtëzakonisht aktive, por duke i dhënë asaj një komponentë, të cilën shqiptarët nuk e kishin ushtruar seriozisht asnjëherë në histori, atë të shtetndërtimit.

Një shoqëri e tërë u mobilizua të dëshmojë se ëshë e aftë për të ndërtuar e për të mbajtur shtet. Qysh nga mesi i vitit 1990 në partinë e Ibrahim Rugovës, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, u anëtarësuan mbi 700 mijë qytetarë të Kosovës, për të demonstruar përkrahjen për udhëheqjen që e kishin dëshiruar. Në Qendrën për Informim të Kosovës çdo ditë raportonin në baza vullnetare mbi 3500 bashkëpunëtorë nga mbarë Kosova, për ta luftuar terrin informativ që e kishte krijuar regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Mbi 22 mijë punëtorë të arsimit u organizuan në sistemin e edukimit. Mbi 3000 pronarë i lëshuan shtëpitë e veta për të krijuar hapësirë për shkollat e mbyllura. Mbi 1600 mjekë dhe punëtorë shëndetësorë  u organizuan në sistemin e pavarur të shëndetësisë dhe i hapën 96 klinika nëpër tërë territorin e Kosovës. Një armatë e tërë sportistësh u organizuan për ta pavarësuar sportin kosovar dhe për ta afirmuar atë në botë. E tërë kjo u mbështet me një angazhim kolosal të afaristëve dhe të gjithë shoqërisë kosovare me kontribute vullnetare. Është për t’u admiruar fakti që kjo ekonomi kosovare, ndonëse e rrënuar nga regjimi serb, në shumicën e komunave i mbulonte me përmbi 60% nevojat e institucioneve, ndërsa pjesa e mbetur mbulohej nga diaspora.

Për shumë pak kohë Ibrahim Rugova ia doli jo vetëm ta sfidojë propagandën serbe, por ta mundë atë dhe të zë miq për kauzën e popullit të vet, në mbarë botën e civilizuar.

Insistimi i vazhdueshëm i Rugovës për çlirimin e mendjes, për pluralizmin e mendimeve dhe për hapje ndaj botës e bën atë liderin e parë dhe të vetëm që arrin ta bindë shoqërinë shqiptare, historikisht gjithmonë të përçarë,  për domosdoshmërinë e homogjenizimit për çështje madhore.

Siç shihet edhe nga intervistat e Rugovës, evoluimi i mesazheve të tij përgjatë viteve tregon qartë qëndrimin e tij të palëkundur në strategjinë e çlirimit të orientuar në shtetndërtim. Kjo strategji e bën atë prijësin e vetëm me vizion, por edhe prijësin e vetëm të cilit i kanë besuar të gjithë.

Trashëgimia që Rugova ia ka lanë popullit të vet, ndonëse është luftuar egërsisht nga kundërshtarët e tij, është baltosur, është mbuluar me pleh e me shpifje, është manipuluar për përfitime meskine, vazhdon të rrezatojë edhe sot e kësaj dite dhe do të jetë akoma më e rëndësishme për gjeneratat që do të vijnë, për gjeneratat e reja, të cilat, siç thotë ai vetë, dinë të komunikojnë me botën.

Janar 2019

 

(Parathënia e librit bibliografik “Kështu foli Rugova” të Munish Hysenit, i cili doli nga shtypi këto ditë)

Comment

*