Interesi kombëtar është interes suprem i shqiptarëve

Frank Shkreli

“Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri”, u shpreh Kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës së tij në Tiranë, të martën.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, u takua me udhëheqësit më të lartë të vendit: Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Kryetarin Partisë Demokratike Lulzim Basha.  Në komentin e botuar në portalin e tij, pas vizitës në Tiranë, Kryeministri Kurti e ka falënderuar Kryeministrin Rama “për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm”. Ai i ka falënderuar edhe udhëheqësit tjerë shqiptarë me të cilët është takuar, përfshirë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta për “takime të përzemërta e vëllazërore”, që pati me ta gjatë vizitës në Tiranë.

Siç duket, e vetmja gjë për të cilën arritën marrëveshje të dy palët në takimin e tyre ishte krijimi i një komisioni ndërshtetëror për të “analizuar” zbatimin ose jo të nja 77 marrëveshjeve të nënshkruara midis Shqipërisë dhe Kosovës, shumica prej të cilave, sipas Zërit të Amerikës, nuk janë zbatuar. Në takimin midis dy kryeministrave shqiptarë u ra dakort edhe që dy qeveritë të takohen në Shkodër në të ardhmen, për marrveshje të tjera, të cilat në qoftë se e kaluara është një mësim, do të mbeten vetëm marërveshje në letër, duke marrë parasysh mospajtimet aktuale midis dy palëve.

Siç dihet, pengesa kryesore midis dy republikave shqiptare sot është i ashtuquajturi “mini-Shengeni ballkanik”, për të cilin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “ishte një temë e trajtuar”, por shtoi se takimi i tij të martën në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ishte në fakt për “makro Shengenin shqiptar” më shumë se sa për “mini Shengenin ballkanik”.  Ndërsa Kryeministri Rama nguli këmbë se nuk do të heqë dorë nga ideja e tij në mbështetje të “mini-Shengenit ballkanik”. Ai citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë: “Besoj se nuk ka ‘makro-Shengen shqiptar’, pa ‘mini-Schengenin ballkanik’. ‘Makro schengeni’ shqipar është i lidhur ngushtësisht me Shengenin rajonal, sepse, nëse jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, atëherë na hapet rruga e mbyllur prej vitesh për të patur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve, për të patur lëvizje të lirë mes nesh, jo vetëm të mallrave e kapitaleve, por dhe të njerëzve, çka deri dje ishte e paimagjinueshme…”.

Duket se me gjithë kundërshtimet e Kryeministrit Kurti dhe të Republikës së Kosovës në përgjithësi ndaj “mini-Shengenit ballkanik”, kryeministri shqiptar, Edi Ramas,  edhe pa konsultime me Qeverinë e Kosovës, ka vendosur që në llogoren e tij të mbrojë me çdo kusht idenë e “mini-Shengenit ballkanik”, me grykat e topit të tij drejtuar kundër Kosovës, duke mos lejuar asnjë shoshitje të mendimeve të lira e të kthjellët, për një çështje aq me rëndësi. Padia që ka paraqitur kundër ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe mosmarrëveshjet e tij aktuale me Kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurtin, janë të paprecedencë midis shteteve dhe jo më midis dy shteteve që i përkasin të njëjtit komb, siç janë Shqipëria dhe Kosova.

Nevojitet diçka dramatike nga ana e Tiranës zyrtare për ta tejkaluar këtë krizë të madhe politike, ekonomike dhe kombëtare në marrëdhëniet midis vëllëzërve. Si është e mundur që të jetë më e lehtë për Tiranën të arrijë marrëveshje dhe pajtim idesh me Beogradin, me Ankaranë e ku ta di unë me kë, se sa të arrijë pajtim të ideve me Prishtinën  zyrtare për realizimin e interesave të përbashkëta kombëtare, për realizimin e të cilvet duhet të luftojnë së bashku?

Është e qartë, fatkeqësisht, se me gjithë qëllimet e mira të Albin Kurtit, vizita e tij e parë si Kryeministër i Republikës së Kosovës në Atdheun Amë nuk shkoi mirë dhe as në frymën vëllazërore që priste udhëheqsi i ri i Republikës së Kosovës. Kjo shihej qartë edhe në fytyrat e dy kryeministrave, gjatë konferencës me shtypin. Siç duket, Albin Kurti priste që takimi me Kryeministrin Rama të ishte takim  i “vëllait me vëllain” dhe jo një vizitë të “politikës së jashtme”, siç e cilësoi ai në portalin e tij. “Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë”, është shprehur Kurti.

Tensionet gjatë takimit në Tiranë të martën, midis dy kryeministrave shqiptarë dhe delegacioneve të tyre në dhomën rreth tavolinës ku u takuan dukeshin aq të theksuara sa që edhe ajri mund të pritej me thikë, sipas një fraze amerikane, një atmosferë ku “body language” fliste për një atmosferë pothuaj të pa tolerueshme midis dy palëve. Se si mund të jetë diskutuar në atmosferë të tillë për ndonjë gjë konstruktive në interes të të dyja shteteve dhe të kombit shqiptar, vetëm ata e dinë!

Në atë mendjen time të vogël, unë nuk i shoh përfitimet që mund të vijnë për Shqipërinë nga ideja e Kryeministrit Rama për një “Shengen ballkanik” pa Kosovën, e edhe më pak për Kosovën, sidomos pa njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe nga mbrojtësja e saj historike, Rusia. Unë kam qenë dhe jam i mendimit se lidhjet e Tiranës zyrtare me Beogradin, pa përjashtim, duhet të kalojnë gjithmonë nëpër Prishtinë. Të vjetrit na thoshin: “Nuk ka Shqipëri pa Kosovë dhe nuk ka as Kosovë pa Shqipëri”.

Historikisht, kurrë më parë nuk ka ekzistuar një periudhë historike më e volitshme se sot për të bashkëpunuar dhe për të bashkërenduar politikat, jo vetëm midis dy republikave shqiptare, por edhe politikat e përbashkëta të Tiranës dhe Prishtinës , në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

“Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri”, është shprehur Kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri. Nuk i mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë”, ka shtuar Kurti në portalin e tij, pas vizitës së tij të parë në Shqipëri, si kryeministër i Kosovës.

Ashtu edhe duhet të jetë.  Dy shtetet shqiptare duhet të jenë “prioritet i njëra-tjetrës”.  Asnjë i ashtuquajtur “Shengen ballkanik” nuk mundet dhe nuk duhet të zëvendsojë vëllazërimin dhe bashkëjetesën e shqiptarëve si komb. Që ata të shtohen e të rriten në harmoni me njëri-tjetrin dhe në begati, të bashkuar rreth idealeve kombëtare që nuk mund t’i thyejë askush.  Nuk ka gjë më të shenjtë se liria dhe pavarësia e një kombi, prandaj, si e tillë, duhet të mbrohet me gjithë mend e zemër nga çdo shqiptar, e sidomos nga prijësit e tij. Ndjenjat dhe krenaria kombëtare duhet të rivendosen pa vonesë, forca e ndjenjës së vëllazërimit kombëtar e rilindësve duhet të kthehet, para se të keqësohen marrëdhëniet ndër-shiqptare. Personat dhe zërat kundër pajtimit kombëtar, qofshin ata politikanë në pushtet ose jashtë pushtetit, teoricienë, akademikë ose tregtarë, nga veriu ose nga jugu, nga Shqipëria ose nga Kosova, të cilët vënë pengesa dhe mbyllen në kullat e ideve të tyre në kundërshtim me rivendosjen e këtyre idealeve kombëtare, duhet të shpallen si persona me mendime të ndryshkura dhe të pandërgjegjshëm, nga pikëpamja kombëtare.

Para se të bëhet vonë, është në interesin kombëtar që shqiptarët t’i shërojnë plagët e vjetra e të reja.  Kanë nevojë për pajtim të pikëpamjeve të ndryshme dhe për ribashkim vëllazëror, sot më shumë se kurrë.  Pajtimi kombëtar duhet të jetë guri i themelit mbi të cilin do të ndërtohet një tempull i ri i lirisë kombëtare shqiptare, në liri, pavarësi, paqe dhe begati për të gjithë shqiptarët pa dallim, në marrëveshje, pikësëpari me njëri-tjetrin, por edhe në fqinjësi të mirë me të tjerët në rajon.

Comment

*