Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë rënë në 100 milionë euro

Prishtinë, 4 janar 2019 – Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë rënë nga 400 milionë euro në 100 milionë euro, në pesë vitet e fundit.

Në vitin 2018 Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë qenë 121.9 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, ato kanë rënë për 43 për qind.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se kjo rënie e investimeve të huaja direkte është tregues jashtëzakonisht negativ për ekonominë e vendit.

Rukiqi ka thënë se rënia e investimeve të huaja është pasojë e një sërë faktorësh të pafavorshëm për biznes dhe afarizëm në Kosovë. Ai ka thënë se investimet e huaja mund të rriten vetëm pasi të jenë eleminuar faktorët që i panegojnë ato.

“Promovimi më i mirë i investimeve është kur të përmirësohen kushtet këtu në Kosovë, kur ka energji elektrike të mjaftueshme, kur e eliminojmë burokracinë, kur nuk kemi problem me leje të ndërtimit e me licenca të ndryshme, kur e zvogëlojmë korrupsionin, kur e rrisim performancën e gjyqësorit, kur i trajtojmë çështjet pronësore”, ka theksuar Rukiqi, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, Kryetari i Bordit të Odës së Afarizimit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka thënë se investimet e huaja janë përgjysmuar për shkak të mungesë së ofertës së mirëfilltë dhe mungesës së një ligji efikas për të investuar në Kosovë.

“Shkaqet kryesore janë mungesa e ofertës. Kosova ende nuk ka arritur të bëjë një ofertë serioze për investitorët, qoftë vendorë apo të huaj. Para dy vitesh është miratuar ligji për investime strategjike, por, fatkeqësisht, këtë vit ne i kishim vetëm 11 oferta, por asnjëra prej tyre nuk është përfunduar. Pra, Kosova nuk ka arritur të sjellë asnjë investitor përmes Ligjit për Investime Strategjike”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se perspektiva për të jetuar në Kosovë është duke u zbehur çdo ditë e më shumë, për shkak se Qeveria e Kosovës nuk e ka vënë në krye të prioriteve ekonominë dhe zhvillimin e vendit.

Por, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se thithja e investimeve të huaja do të jetë njëri nga prioritetet kryesore të Qeverisë gjatë vitit 2019.

Ai ka thënë se janë bërë disa ndërhyrje në aktet nënligjore lidhur me investimet strategjike dhe se pret që këtë vit të shpallen investitorët e parë strategjikë.

“Deri tash ka të interesuar të cilët janë duke i ndjekur të gjitha procedurat të cilat i përcakton Ligji për investime dhe rregulloret tjera në fuqi. Besoj se shumë shpejt ne, si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë, do të dalim edhe me rezultate”, ka thënë Shala. (r.m.)

Comment

*