Investitorët e huaj po e shmangin Kosovën, po shkojnë në vendet e rajonit

Prishtinë, 28 dhjetor 2016 – Investimet e huaja direkte konsiderohen të domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. Për këtë arsye, asociacionet e bizneseve dhe ekspertët e ekonomisë kërkojnë vazhdimisht përmirësimin e kushteve për investitorë të huaj.

Por, gjatë vitit që po përfundon, vlera e investimeve të huaja ka qenë shumë nën nivelin e dëshiruar

Ekspertët thonë se ndër dështimet më të mëdha të Qeverisë se Kosovës gjatë vitit 2016 ka qenë pikërisht rënia e investimeve të huaja dhe zbehja e interesimit të kompanive të huaja që ta shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës tregojnë se deri në muajin shtator të këtij viti, shuma e investimeve të huaja kanë qenë 184 milionë euro, kurse vitin e kaluar investimet e huaja në Kosovë kanë qenë rreth 320 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se shtetet e rajonit kanë qenë shumëmë “agresive” në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.

“Ajo çka i karakterizon janë lehtësira në të bërit biznes, qasje më agresive karshi brendeve bazuar në Ligjin për Investime Strategjike dhe mbi të gjitha kanë përmirësuar imazhin politik”, ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

“Kosova duhet të mësojë nga vendet e rajonit dhe nuk i bëhet nder që Maqedonia të jetë edhe absorbues i investimeve të huaja, por edhe eksportues shumë më i madh se Kosova. Në të njëjtin rang është edhe Mali i Zi, e të mos flasim për Serbinë”, ka thënë Gërxhaliu.

Drejtori i hulumtimeve në Institutin Riinvest, Alban Hashani, ka thënë se autoritetet kompetente duhet të krijojnë ambient më të përshtatshëm për investimet e huaja direkte.

“Arsyet pse investitorët hezitojnë të vijnë në Kosovë janë të lloj-llojshme. Para se gjithash, janë kushtet e të bërit biznes në Kosovë që lidhen me mosfunksionim të mirë të gjykatave e moszbatim të kontratave, gjë që e rrit riskun e operimit në Kosovë. Për pasojë, i frikëson investitorët të vijnë dhe të investojnë në Kosovë”, ka thënë Hashani.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, Banka Qendrore e Kosovës ka treguar se gjatë vitit 2017 në sektorin e prodhimi në Kosovë janë investuar vetëm 3.2 milionë euro të inversitprëve të huaj.

Alban Hashani ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të dizajnojë politika ekonomike për tërheqjen e investuesve të huaj në të gjithë sektorët, konkretisht në ata që gjenerojnë zhvillim ekonomik.

“Ne duhet të sigurohemi që kushtet për të investuar në Kosovë janë të mira dhe investimet janë të sigurta dhe që ata do të jenë subjekt i një trajtimi të barabartë, si të gjithë investitorët tjerë, dhe se do të mund të kenë përfitime nga operimi në Kosovë”, ka thënë Hashani.

“Orientimin e bëjnë investitorët vetë, mirëpo ne duhet të sigurojmë që të kemi investime në të gjithë sektorët “, ka shtruar ai.

Sipas ekspertëve, situata politike është shkaktare e rënies se nivelit të investimeve të huaja.

Me qëllim të eliminimit të barrierave dhe procedurave burokratike për realizimin e investimeve të huaja, në muajin tetor, në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për Investimet Strategjike, por ai nuk ka hyrë ende në fuqi.

Ky ligj i mundëson Qeverisë së Kosovës që të negociojë drejtpërdrejt me investitorë të huaj, por edhe me investitorë të mëdhenj vendorë.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, ky ligj ofron të njëjtat kushte që investitorëve të huaj ua ofrojnë vendet fqinje dhe vendet e rajonit. (r.m.)

 

Comment

*