Irani pranon se ka rrëzuar gabimisht aeroplanin ukrainas që solli vdekjen e 176 civilëve

Nga Ruben Avxhiu

Irani pranoi të shtunën se forcat e tij ushtarake rrëzuan “pa dashje” aeroplanin ukrainas duke vrarë të 176 udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit.
Për disa ditë me radhë, qeveria iraniane kishte mohuar përgjegjësinë duke akuzuar SHBA-në dhe Perëndimin për falsifikim dhe një fushatë shpifjesh.
Aeroplani u rrëzua në kohën kur Irani sulmoi dy baza ushtarake me trupa amerikane në Irak. Synimi ishte të ndëshkonte Shtetet e Bashkuara për vrasjen e general Qasem Soleimanit pas një sulmi amerikan.
Irani është justifikuar se forcat e tij ushtarake e morën avionin ukrainas për objekt armik. Në fakt, avioni civil sapo ishte ngritur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Teheranit.
Një numër kritikësh dhe ekspertësh kanë qortuar Iranin që nuk kishte mbyllur hapësirën e tij ajrore për fluutrimet civile kur vendosi të sulmojë bazat amerikane. Irani gjithashtu nuk ka njoftuar kompanitë e fluturimit për rreziqet e veprimeve ushtarake.
Këto dy ditë, Irani dhe Rusia kanë kaluar në një fushatë kundërpërgjigjesh duke hedhur poshtë me forcë akuzat amerikane, europiane dhe kanadeze se avionic dukej i rrëzuar pas një goditjeje me raketë. Ukraina kërkoi nga OKB që të detyronte Iranin të dorëzonte kutinë e zezë të avionit të rrëzuar.
Raporte nga terreni thanë se buldozierë kishin pastruar hapësirën ku ishte rrëzuar avioni duke zhvendosur mbeturinat e dke bërë të pamundur një hetim forensik të vendngjarjes.
Në fund, sot në mbrëmje, Teherani ka pranuar gabimin e tij dhe ka premtuar se autorët e goditjes së panevojshme do të përndiqen sipas ligjit të vendit.

Comment

*