Isa Mustafa kërkon shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozitat në LDK

Prishtinë, 20 qershor 2020 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)ë, Isa Mustafa, ka kërkuar që Vjosa Osmani të shkarkohet nga pozita e  nënkryetares dhe e anëtares së Kryesisë së LDK-së.

Ai, në një letër drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka kërkuar që Avdullah Hoti ta zëvendësojë Osmanin në këto pozita, raporton KOHA.

Mustafa ka thënë se në seancën e Kuvendit, në të cilën u votua mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, Osmani në kundërshtim me qëndrimin e Kryesisë së LDK-së, bëri apel të mos votohet mocioni dhe se ajo vazhdoi të kundërshtojë publikisht koalicionin qeverisës dhe qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Sipas Mustafës, zonja Osmani “iku nga përgjegjësia për ta drejtuar seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga LDK-ja“.

“Si Kryetar i LDK-së e kam për obligim të kujdesem për zbatimin e Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rrjedhimisht për zbatimin e vendimeve të organeve të LDK-së. Ju përkujtoj se Statuti i LDK-së në nenin 14, pika 14.2 shprehimisht thotë: ‘Anëtarët e LDK-së nuk mund të jenë në pozita, organe dhe forume të LDK-së, nëse ata publikisht refuzojnë dhe i mohojnë vendimet e organeve dhe forumeve, anëtarë të të cilëve janë’. Organet e LDK-së, sipas Statutit janë: Kuvendi i LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Kryetari i LDK-së dhe Kryesia e LDK-së; pastaj Forumi i Gruas së LDK-së dhe Forumi Rinor i LDK-së”, thuhet në letrën e Mustafës.

Mustafa ka kërkuar që anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të votojnë sot deri në orën 19:00 në mënyrë elektronike.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa ditë më parë në DESKU-n e KTV-së pati thënë se partia që ai udhëheq s’ka diskutuar për përjashtimin e nënkryetares Vjosa Osmani, pasi kjo doli kundër disa vendimeve të fundit të partisë. Ai ka thënë se nuk ka pasur kontakte së fundmi me kryeparlamentaren.

(KOHA.net)

Comment

*