Ish-botuesi i gazetës “Illyria” që është takuar me gjashtë presidentë amerikanë

Ekrem Bardha është njëri ndër figurat më interesante dhe më të shquara të diasporës shqiptare në Amerikë, por që prej viteve ka krijuar rreth vetes edhe në Shqipëri, një mjedis të veçantë dhe i përkushtohet dhënies së parë, kur pas disa dekadave zbriti në tokën nga kishte ikur, se “Unë i takoj së djathtës, por Partia ime është Shqipëria”.

 

Nga Bedri Islami

Jam i bindur se kur është arratisur nga Shqipëria me gjithë familjen e tij, pasi më parë kishin ikur dajallarët dhe dy vëllezërit e mëdhenj, as që mund ta kishte menduar se e ardhmja e tij do i kishte hapur një jetë krejt ndryshe. I nisur nga nevoja e mbijetesës, pasi mund të kishte përfunduar si vëllai i tij Samiu, i pushkatuar pak pas largimit të tij, ose do të kishte shkuar gjysmën e jetës në burgje, shumë – shumë ai do të ketë menduar për një jetë të qetë, aty ku ishin dajallarët e tij apo vëllai i madh; kishte menduar për një jetë ndryshe, ku fjala nuk ndërpritej dhe ku e nesërmja ishte e pasigurtë.

Por nuk do të ketë menduar kurrë se në rrugën e tij ai do të bëhej një emër i njohur, shumë përtej krahinës së tij, Kolonjës, edhe më përtej vendit ku lindi, Shqipërisë dhe do të kthehej si një figurë përbashkuese.

Mbi të gjitha nuk do të ketë menduar kurrë se në jetën e tij ai do të takohej me 6 presidentë amerikanë, do të shkëmbente mesazhe me to, do të pritej në takime të veçanta, do i kishte si miq në shtëpinë e tij dhe do të bëhej shkas për shumë nga ngjarjet që do të pasonin më pas. I arratisuri familjarisht do të gjente kur do të kthehej shtëpinë e tij të rrënuar deri në themele, do të shikonte gjashtë shtëpitë e dajallarëve të shembura deri në rrënjë, por pas vetes solli mbresa të tjera, që do i qëndrojnë kohës shumë më tepër se sa disa ngrehina, ku jeta mund të jetë e përkohshme, ndërsa rruga e bërë prej tij do të jetë tejet e gjatë dhe, sido që të venë kohërat, do të mbetet në memorien e ngjarjeve.

Ekrem Bardha është i vetmi shqiptar që ka takuar 6 presidentë amerikanë në jetën e tij dhe po ashtu, është i pari shqiptar që ka folur para Kongresit Amerikan. Nuk e kishte arritur askush tjetër këtë fat njerëzor dhe ngjarje politike, megjithëse drejt sallave kongresale kishin synuar dhe kishin ëndërruar shumë shqiptarë të njohur, shumë më të njohur se të tjerët dhe gjurmëlënës në historinë e kombit. Mes tyre edhe Faik Konica dhe Fan Noli, por kohërat tani kishin ndërruar, Shqipëria e ndarë në disa pjesë dhe e gjitha nën sundim ishte po ashtu, më tepër se një ngjarje, rreth së cilës ishin mbledhur shumë shqiptarë të njohur, që u bënë të famshëm, jo nga pasuria, që ishte mundi i tyre; jo nga lidhjet që kishin krijuar me senatorë dhe kongresmenë, sepse lidhje mund të krijohen gjithsesi; jo se kishin kohë për të humbur, sepse në botën e biznesit koha rrjedh ndryshe, por nga që ishin të përkushtuar, të ndershëm, besëdhënës dhe besëmbajtës, solidë, mendimtarë dhe idealistë, të cilëve hapësira gjeografike me atdheun nuk ia largonte atë, por jo rastësisht ia bënte më të afërt.

Asim Jakova, një ndër figurat e njohura shqiptare në diasporë, botuesi i parë i Veprave të Migjenit, pas dëshmisë së Ekrem Bardhës në Kongresin Amerikan, do i shkruante :

 

LETRA E ASIM JAKOVËS

13 qershor 1988

 

I nderuar zoti Bardha!

Miku ynë i përbashkët, Xhevat Kallajxhiu, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, më dërgoi:

(a) vendimin e ri të Kongresit Amerikan,

(b) dy artikujt mbi veprimet tueja në lamën shqiptare dhe kosovare,

(c) deponimin tuej në Kongresin e Shteteve të Bashkueme.

Me sa dij un, asht e para herë që nji shqiptar ka mujt me hy në gjirin e Kongresit Amerikan. Si ia shkrova dhe Xhevatit, i ndjeri Faik Konica më ka pas thanë se, me gjithë randësinë që ay kishte, në Departamentin e Shtetit e në qarqet diplomatike në Washington, nuk kishte muejt n’asnji mënyrë me pasqyrue problemet shqiptare dhe kosovare drejtpërdrejt me Kongresin Amerikan.

Kjo gja asht nji vepër “pionere” dhe shpresoj se ka me vazhdue në t’ardhmen. Por duhet të shënoj se ju keni tregue nji zotësi të madhe tue u miqësue me deputetin Broomfield që ashtë ba shtylla e shpresës kosovare. Unë dhe shumë të tjerë jemi mirënjohës për këtë vepër kolosale.

Këto figura të shquara kishin synuar të hapnin të gjitha dyert që mund të hapeshin ndershmërisht, kishin hulumtuar, kishin gjurmuar mendjet dhe faktet, ishin bërë së bashku për të gjetur rrugët që të depërtonte e vërteta e tyre dhe, kur kishin qenë të bindur se mund të bëhej, atëherë kishin nisur të vepronin.

Ekrem Bardha është njëri prej tyre, ndoshta ndër më të shquarit, por të cilit i ra fati i pazakontë që në jetën e tij politike të takohej me 6 presidentë amerikanë.

Disa vite pas vajtjes në Amerikanë, pasi kishte bërë 60 ditë burg të rënë në qelitë e Asfalisë greke, që donin ta kishin njeriun e tyre, pasi kishte vajtur në Gjermaninë Perëndimore, ku kishin qenë edhe vëllezërit e tij, ai do të kishte fatin e jetës së tij, të takohej me kongresmenin e shquar amerikan, Broomfield, njeriu që në çdo pjesë shqiptare meriton të ketë statujën e tij.

Takimi i parë është me presidentin Nixon, njeriun e ashpër, të sertë, luftarak deri në fund, këmbëngulës dhe i bindur se komunizmi do të kishte fundin e tij.

Është koha kur Junta ushtarake greke, 1967 – 1969 ka rrëmbyer pushtetin dhe kërkon domosdo aneksimin e jugut të Shqipërisë, ka ringjallur fantazmën e Vorio Epirit dhe gjendja është e rënduar.

Ekrem Bardha është kundërshtar i komunizmit, ai është larguar nga ideologjia, por kjo nuk do të thotë se nuk e do vendin e tij. Duke qenë me origjinë nga Konica, e di fare mirë se çfarë mund të bëjnë andartët grekë, ka përjetuar mizoritë dhe dëbimet e në qoftë harruar historia e vjetër, një tjetër është ende e përgjakur, dëbimi dhe vrasjet masive të shqiptarëve të Çamërisë.

Për të gjetur përgjigjen e tij ka vetëm një rrugë: Shtëpia e Bardhë, por kjo është ëndërr. Njeriu që ia sugjeron takimin është miku i tij, kongresisti Broomfield.

Në kujtimet e tij, të cilat do të botohen së shpejti, duke risjellë takimin me Presidentin Nixon, viti 1968, Ekrem Bardha ka shkruar:

Bashkë me kongresistin Broomfield, shkuam në Vashington që të dielën. Takimi ishte në orën 11, në mëngjes. Udhëtuam nga zyra e tij drejt hotelit “Hilton”, ku do të takoheshim. Nuk e dija ku ishte hoteli. Po të mos isha me z. Broomfield do ta kisha vështirë ta gjeja. Kaq mendjehumbur isha.

Thashë se do të më pushonte zemra. Anglishten nuk e flisja mirë. Mendoja: “Kur nuk flas mirë në një ambient të zakonshëm, si do t’ia bëj në një takim me Presidentin amerikan?”

Broomfield e dinte këtë dhe më tha të kem besim.

Në takim isha unë, kongresisti Broomfield dhe Presidenti Nixon. Kur shoqëruesit i treguan për ardhjen, u ngrit në këmbë dhe bëri disa hapa drejt nesh. Ishte njëri ndër miqtë më të ngushtë të z. Broomfield, e respektonte, ia dëgjonte fjalën, këshillohej me të.

Kisha një emocion të papërshkruar. Zemra më rrihte si e zogut. Pak vite kisha në Amerikë dhe po takoja njeriun më të fuqishëm të botës, Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kisha ankth për anglishten time… Kongresisti Broomfield e njihte anglishten që flisja unë, kisha vite që komunikoja me të. E kuptonte çfarë doja të thosha edhe kur nuk arrija të artikulohesha qartë.

Më vonë mësova se President i SHBA, Richard Nixon që punonte me axhenda të mirëpërcaktuara, i kishte kushtuar shumë kohë të çmuar takimit tonë.

Presidenti ishte shumë dashamirës.

Pasi u ulëm, shtriu para dorën e djathtë dhe tha:

– Po ju dëgjoj!

– Jam i larguar nga atdheu se është nën një regjim të egër komunist, por nuk e kam harruar kurrë vendin tim. Jam kundër regjimit, por jo kundër Shqipërisë. Junta e kolonelëve grekë, pas grushtit të shtetit atje, duan të aneksojnë pjesë të Shqipërisë…

Ai më ndërpreu:

– Sa shqiptarë jetojnë në Amerikë?

– Vetëm në Michigan jetojnë rreth 100 mijë.

– Po në Amerikë?

– Rreth 600 mijë.

I bëri përshtypje ky fakt.

– Vazhdo! – më tha.

I thashë se kolonelët grekë kanë shfaqur hapur pretendimet e tyre për aneksimin e jugut të Shqipërisë, të cilin ata e konsiderojnë territorin e tyre, si të ashtuquajturin Vorio-Epir.

– Ju çfarë mund të bëni, z. President që ta pengoni këtë tentativë të juntës greke? – iu drejtova në fund të fjalës sime.

Pastaj foli kongresisti Broomfield. E pyeti Presidentin çfarë mund të bëhej.

Presidenti u mendua. Pastaj thirri dikë nga stafi, i kërkoi një letër shkrimi.

Ia solli sekretari. Një letër e zakonshme.

Presidenti i SHBA shkroi.

“Qeverisë greke nuk do t’i jepet trajtim me përparësi, as nga pikëpamja territoriale, as në drejtim tjetër.

Unë interesohem pa asnjë dallim, për të gjithë amerikanët, pavarësisht nga origjina e tyre kombëtare.

Gjithashtu kam interes të posaçëm për të gjithë popujt që jetojnë nën dhunën komuniste.”

Ai e firmosi dy herë këtë deklaratë.

Pastaj, duke folur me zërin e qetë dhe të sigurtë, Presidenti Nixon më tha:

– Kjo gjë nuk do të ndodhë! Unë nuk do të lejoj që pretendimet greke për territore të Shqipërisë të realizohen.

Në një atmosferë shumë miqësore dhe konfidenciale, Presidenti Nixon shkroi me dorën e tij këtë mesazh që unë e ruaj si një nga gjërat më të çmuara të takimeve të mia me presidentët e SHBA.

Kur më dorëzoi këtë deklaratë shkruar me dorën e tij, m’u duk vetja sikur Presidenti Nikson më kishte falur Amerikën. Ishte një moment i jashtëzakonshëm dhe një përjetim i paharrueshëm. Historik për mua.

 

x  x  x

Ky ishte takimi i parë me një president amerikan. Pastaj do të vijojnë takimet dhe bashkëpunimi me presidentët George Ford, Ronald Regan, George Bush Sr. Bill Klinton, George Bush Jr. dhe, nëse në nëntor do të jetë fitues Joe Biden, do të jetë presidenti i shtatë.

Në vëmendjen e diasporës shqiptare në Amerikë, ndoshta jo rastësisht, prioriteti i dekadave të fundit ka qenë Kosova. Ajo ka zënë angazhimin më të madh të saj, është bërë pjesë jete dhe megjithëse shumë prej figurave të njohura vinin nga Shqipëria londineze, Kosova u bë vendlindja e tyre, thelbi i sakrifices dhe i përkushtimit.

Vitet e paraluftës dhe të luftës në Kosovë do të ishin në vëmendjen e kësaj elite, e cila, aq sa ishte politike, aq ishte edhe kombëtare.

Do të trokitej në çdo derë, do të krijoheshin të gjitha lidhjet e ndershme dhe të sinqerta, do të bisedohej me miq senator dhe kongresmenë, do të hapeshin ata porta që ishin menduar të mbyllura përgjithnjë dhe kur duhej, do të ngrihej zëri më shumë se sa mund të ishte lejuar në rrethana normale.

Ajo që ka bërë diaspora shqiptare në Amerikë është e pashembullt, e patjetërsueshme, njëra nga aktet më të paharruara të njerëzve të lidhur me kombin e tyre. Kosova u bë e njohur në qarqet e larta të politikës amerikane pikërisht nga këto njerëz, të urtë deri në përkushtim, të pafjalë deri në heshtje, por punëtorë të mëdhenj dhe të përkushtuar deri në sakrifice. Askush nuk guxon të harrojë atë që ka bërë diaspora shqiptare në disa dekada, deri sa përgatiti atë taban mbi të cilin do të krijoheshin lidhjet e domosdoshme dhe jetike në dobi të Kosovës dhe të shtetit shqiptar.

Kjo ndodhi sepse në brumosjen e njerëzve që u morën me politikë kombëtare, me dëshirën e tyre dhe jo si profesionistë, ishte krijuar mendësia e qytetarisë, e bisedës, dialogut, ishte rritur ndër vite figura e tyre si njerëz seriozë, miq, ose kundërshtarë të denjë. Porta e parë që u hap për lirinë dhe shtetin e ardhshëm të Kosovës zuri fill pikërisht në përpjekjet e para të këtij lobimi, në vitet e zanafllës së vështirë si çdo zanafllë. Figura të shquara të shqiptarëve të Amerikës fllojnë dritëzohen. Ata bëhen shembujt e një përpjekjeje vigane, të pashoqe, pa asnjë lloj interesi fnanciar, veçori e skajshme e këtij lobimi dhe njëkohësisht, mbështetës të çdo lloj lëvizjeje tjetër që mund të sillte pavarësinë e Kosovës.

Me figurën e tyre janë të lidhur edhe shumë emra të shquar të politikës së Shteteve të Bashkuara, të cilët në një kohë të vështirë u bënë zëdhënës të këtij lobi, njerëz të afërt të tyre, si pikë mbështetje për politikën që po ndiqej në Kosovë.

Më pas, të njëjtët, ndoshta më të shumtë do të bëhen mbështetës edhe të lëvizjes çlirimtare. Kjo ndodhte pasi ata e kishin qartësuar mendimin politik se shqiptarët në dhjetë vite synuan të realizojnë ëndrrën e tyre përmes fjalës dhe kur nuk mbeti më asnjë mundësi tjetër, i’u drejtuan luftës.

Ekrem Bardha duke qenë njëri prej tyre, ndër më të njohurit dhe politikisht më aktivi, si  drejtues politik i një strukture të rëndësishme të klubit shqiptaro – republikan, ka pjesën e tij të rëndësishme.

Letërkëmbimi i shumtë mes tij dhe presidentëve amerikanë ka gjithnjë në qendër Shqipërinë dhe më shumë Kosovën, sa që e kam menduar fillimisht si kosovar, ose, më e largëta si banor i rrethinave të Kukësit. Ishte kolonjar, por atdheu nuk matet me harta.

Në vitet e fundit të luftës së Kosovës, kur gjithçka ishte më tehun e thikës, takimet më të shpeshta dhe komunikimet më të dendura zoti Bardha i ka me presidentin Klinton. Do të bisedojë gjatë me të dhe do të ketë fatin ta presë si mysafir. Në një artikull të veçantë të gazetës “Detroit Free Press”, prill 1999, u shkrua edhe takimin e Presidentit Klinton me familjen Bardha në Detroit, 15 prill 1999.

Mes të tjerave, aty mund të lexohet:

“Kur e mendoj ende më duket si përrallë”, tha Ekrem Bardha.

Atij dhe të tjerëve iu dha mundësia e pazakontë (e takimit me Presidentin), pasi ata, ose familjarët e tyre, njihen si fgura të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe janë mbështetës të Clinton. Ekrem Bardha, pronar i një zinxhiri restorantesh “McDonald” dhe botues i gazetës më të madhe shqiptaro-amerikane “Iliria” u shpreh se Clinton u tha atyre që lufta në Ballkan mund të përfundojë më shpejt nga sa mendojnë.

Presidenti tha: “Shpresoj se nuk do të zgjasë 30 ditë, shpresoj se do të marrë më pak kohë. Kjo është një deklaratë shumë e rëndësishme”.

Ekrem Bardha, 65 vjeç tha se sytë e Clinton u përlotën disa herë gjatë takimit, përfshirë edhe rastin kur familja Bardha i lexoi një e-mail nga vajza e tyre, e cila po ndihmon refugjatët. Clinton i kërkoi ta merrte letrën në të cilën shkruhej për vajzat e vogla që nuk dilnin nga çadra e tyre, për shkak të traumës së përdhunimit nga ushtarët serbë.

“Ai dëgjonte e dëgjonte duke na parë në sy. Kuptohej që ishte vërtetë i shqetësuar”, tha Bardha. Kështu shkruan gazetari Kim North Shine.

Jeta dhe takimet e zotit Bardha, me të cilat, për fat të keq jam njohur dsa vite më pare, kanë mes tyre mësimin e madh për njerëzit e politikës në Shqipëri.

Mësimi i parë, secili nga njerëzit e politikës së sotme ka lobuar fort dhe ka paguar fort për të krijuar lidhjet e tij me Shtëpinë e Badhë, me senator dhe kongresmenë.

Ata, kur kanë qenë në pushtet, kanë lobuar me paratë e taksapaguesve dhe kur kanë qenë në opozitë edhe me para të panjohura se nga vijnë.

Të gjitha këto për një takim, një fjalë, një foto, duke e ditur se kjo ishte ndër rrugët për të qenë në pushtet. Si dëshmi e rëndësisë së tyre. Për të qenë pushtetarë dhe pastaj, për të sunduar.

Ekrem Bardha është takuar me presidentë, senatorë dhe kongresmenë jo për vete e as për bizneset e tij. Është takuar për kombin e tij. Gjithë investimin e tij jetësor si personalitet e ka bërë për këtë.

Mësimi i dytë, kur u kthye në Shqipëri Ekrem Bardha nuk iu fut politikës, megjithëse e joshën nga e djathta dhe nga e majta. Ai ishte mik i Dritëroit, po aq sa i Meksit, i Kadaresë, po aq sa i Eduard Selamit, ai ka në rrethin e tij miqësor nga të gjitha anët, por në politikë nuk u bë pjesë. Ai e kishte mbaruar misionin e tij jetësor në politikë. Dy synimet e jetës së tij, Kosova si shtet i lirë dhe Shqipëria, ishin jetësuar.

Njerëzit tanë futen në politikë për të qenë të përjetshëm, megjithëse ndonjëri prej tyre prej kohe duhej të ishte diku tjetër.

Mësimi i tretë: Bardha ka investuar në miqësitë e tij ndershmërinë dhe pasionin, por edhe ka kontribuar financiarisht. Dhjetra letra mirënjohje dhe respekti nga presidentët amerikanë janë në arkivën e tij. I shkruajnë miqësisht, e ftojnë në darkat e tyre familjare, i janë mirënjohës dhe mbi të gjitha, e besojnë. Kris Hill, diplomati i njohur që drejtoi Konferencën e Rambujesë, në një darkë në Paris, ku ishte edhe shkrimtari i shquar, Kadare, do t’i besojë faktin që më pas do të bëhej një e vërtetë e njohur: shteti krimial serb do të ndëshkohet.

Njerëzit tanë të politikës kapërdisen në lobimet e tyre me paratë e të tjerëve dhe sjelin foto si të sillnin fitoren e tyre.

Së fundi: Nuk e di se si do të dukej jeta e njeriut, ditët e së cilës kanë kaluar nëpër takimet me 6 presidentë dhe që pas nëntorit mund të të bëhen shtatë. (Gazeta “Dita”)

Me Presidentin George HW Bush.

Comment

*