Ish-kryetari i bordit të AKP-së: 50 hektarë tokë janë shitur për 5 mijë euro

Prishtinë, 15 tetor 2020 – Ish-kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Blerim Rexha, ka raportuar para Komisionit hetimor të Kuvendit të Kosovës për procesin e privatizimit.

Rexha ka thënë se detyrën në AKP e kishte pranuar në një kohë të vështirë, me qëllim që ta udhëheqë ndryshe procesin e privatizimit, por kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, për shkak se nuk ishte pajtuar me çmimin e shitjes së pasurisë së ndërmarrjeve shoqërore.

Rexha ka treguar se një prej arsyeve të dorëheqjes së tij kishte qenë shitja e një toke me 1 euro për ari ose 1 cent për metër katror.

“50 hektarë janë shitur për 5 mijë euro. Kam votuar kundër, kam marrë vota ta ndaloj këtë shitje. Ka pasur edhe këso rastesh. Nuk kam pranuar të nënshkruaj me këso kushtesh. Kam thënë se nuk e nënshkruaj dhe jam larguar”, ka deklaruar ai.

Rexha ka thënë se në atë kohë ishte zhvilluar një fushatë kundër tij, jo vetëm në media. Ai ka thënë se për shkak të qëndrimit të tij ishte ndjerë edhe i kërcënuar.

Rexha kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së më 16 maj të vitit 2016.

(r.m.)

Comment

*