Ish ministri gjerman ndërmjetëson në kontestin Kosovë-Serbi për energjinë

Frankfurt (Gjermani), 8 mars 2018 – Klaus Tëpfer, ish-ministër gjerman i ambientit nga radhët e partisë së kancelares Merkel është caktuar ndërmjetësues në zgjidhjen e problemit për çështjen e energjisë elektrike midis Kosovës dhe Serbisë, grindje kjo që për pasojë ka shkaktuar probleme në rrjetin energjetik në vendet e Bashkimit Evropian.

Tëpfer ka konfirmuar për gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemajne Cajtung se në fillim të javës që vjen do të udhëtojë në Kosovë dhe në Serbi.

I ngarkuari i Qeverisë gjermane, ish ministri Tëpfer tha se për javën e ardhshme i ka planifikuar takimet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe me kryeministren e Serbisë Ana Bernabiq.

“Fjala është për zgjidhjen e problemit mes dy vendeve dhe për t’i sensibilizuar të dyja palët për rëndësinë që ka kjo çështje”, ka thanë Tëpfer.

“Problemi energjetik midis Kosovës dhe Serbisë, nuk është problem periferik. Përkundrazi, ai ka efekte edhe në rrjetin energjetik në të gjithë Evropën”, thotë ai, transmeton RTK.

Për shkak se Kosova importon energji elektrike nga rrejti evropian, ndërsa kjo pengohet nga Serbia, në janar të këtij viti ka ardhur deri tek lëkundja e frekuencave, që për pasojë ka nxjerrë nga takti orët digjitale në vendet e Bashkimit Evropian, shkruan gazeta prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemajne Cajtung.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Komunitetit të Energjisë Elektrike, Dirk Buschle, tha se problemet vijnë për arsye politike, pasi Operatori Kosovar i Sistemit të Transmisionit – KOST po pengohet nga Serbia dhe nga dy vende të Bashkimit Evropian, Spanja dhe Rumania, që të bëhet anëtar i Shoqatës së rrjeteve evropiane të transmisionit Entso- E.

Pengesat kryesore, sipas zëvendësdrejtorit Dirk Bushle, vijnë nga Serbia, për shkak të interesave të saj financiare. Duke pasur parasysh këtë fakt, Komuniteti energjetik ka nisur proceduarat kundër Serbisë për shkelje të kontratës, si anëtare e kësaj organizate.

“Kjo çka po bën Beogradi është shkelje e të drejtës evropiane”, tha ai.

“Zgjidhja është tek anëtarësimi i Kosovës në Entso-E, duke krijuar zonën e vet të pavarur energjetike”, shtoi ai.

Në  tetor të vitit 2015, Entso-E ka nënshkruar një kontratë për pranimin e Kosovës, mirëpo në artikullin 16 thuhet se kjo kontratë hyn në fuqi vetëm atëherë kur në veri të Kosovës, ku jeton një shumicë serbe, të licencohet një operator serb i tregut të energjisë elektrike. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani nga institucionet e Kosovës, pasi serbët po refuzojnë të njohin shtetin dhe ligjet zyrtare të Kosovës, transmeton Aktivpress. (r.m.)

Comment

*