Ismail Kadare në rumanisht, “Darka e gabuar” përkthehet nga Marius Dobresku

Kadare RumanishtShkrimtari dhe përkthyesi Marius Dobresku tha se Kadareja nuk është shkrimtar që përtypet lehtë, i thjeshtë e që botohet me tirazhe të mëdha

 

Denion Ndrenika
“Darka e gabuar” e shkrimtarit kandidat për çmimin “Nobel”, Ismail Kadare është përkthyer në gjuhën rumune. Ky është romani i dytë i Kadaresë që përkthehet dhe botohet në rumanisht pas veprës “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Përkthyes i romanit “Darka e gabuar” nga shqipja në rumanisht është Marius Dobresku, ndërsa botimin e bëri Shtëpia Botuese “Humanitas”. “Që nga viti 1983, Dobresku ka përkthyer në rumanisht plot 23 romane dhe novela të shkrimtarit të shquar shqiptar. Me rastin e botimit të këtij romani shkrimtari dhe përkthyesi Marius Dobresku shprehet se Kadare nuk është një shkrimtar që përtypet lehtë, i thjeshtë e që botohet me tirazhe të mëdha”-raportoi njoftoi Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Pas Shqipërisë dhe Francës, Rumania po shndërrohet dukshëm në një vend me botimin e plotë të veprës së Ismail Kadaresë. Në “Humanitas” janë botuar një numër i madh i veprave të Kadaresë, njoftoi ATSH. Zoti Dobresku foli mbi veprën e Kadaresë dhe se me çfarë përballet ai në punën si përkthyes: “Vepra e tij është e rëndë, hera-herës e errët, që të vë në mendime dhe të bën të meditosh mbi historinë dhe pasojat e saj shkatërruese ndaj individit. Për rrjedhojë, lexuesit e veprës së Kadaresë janë përgjithësisht njerëz të kultivuar, që mund të bëjnë vlerësime, pra është një kategori njerëzish, jo shumë e madhe në numër, por tepër e rëndësishme për çdo shoqëri”
Kurse, përkthyesi Luan Topçiu tha se “Darka e gabuar” në rumanisht “ka hyrë në tregun e librit dhe premton të jetë një sukses editorial. “Është, sigurisht, një rast fatlum kur tek një përkthyes i huaj i letërsisë shqipe bashkohen njohja e hollë e gjuhës shqipe, transportimi mjeshtëror në gjuhën mëmë, rumanishten, me pasionin dhe dashurinë ndaj kulturës shqiptare e shqiptarëve si popull, çelësa që garantojnë suksesin tek publiku i huaj dhe jetëgjatësinë e veprës”-u citua përkthyesi Topçiu nga ATSH.

Comment

*