Ismaili: Kosova nuk do të blejë më barna me çmime të fryra

Prishtinë, 17 prill 2018 – Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se prejse e ka marrë mandatin e ministrit e ka ndaluar blerjen e barnave nga buxheti i Kosovës me çmime të fryera, siç ka ndodhur deri tani.

Ismaili, gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës, ka thwbw se i ka ftuar në dëgjim publik të gjithë përfaqësuesit e kompanive farmaceutike dhe ua ka bërë të qartë se nuk do të blejë më asnjë ilaç më shtrenjtë se në tregun privat apo në shtetet fqinje.

“Nuk ka asnjë forcë që mund të më ndalojë ta zbatoj këtë vendim që kam marrë dhe Ministria që unë e udhëheq nuk do të lejojë më asnjëherë që barnat të blihen nga buxheti i shtetit me çmime të fryera”, ka thënë ministri Ismaili, transmeton Express.

Ai ka thënë se ka ndërmarrë një varg reformash në sistemin e shëndetësisë dhe ka kërkuar që të gjithë deputetët ta mbështesin këtë reformë, e cila, sipas tij, do të krijojë një bazë të qëndrueshme për të ardhmen e shëndetësisë në Kosovë.

Ismaili ka bërë të ditur se me ardhjen e tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë e ka rritur buxhetin në mbi 200 milionë euro, kështu që ka siguruar më shumë buxhet për furnizim me barna, për investime kapitale dhe për punësimin e mbi 300 mjekëve e infermierëve, në mënyrë që të ofrohen shërbime shëndetësore më cilësore për qytetarët e Kosovës.

Ai ka thënë se tani është duke u reformuar edhe administrata e sistemit të shëndetësisë, e cila duhet të shërbejë për lehtësimin e punës së mjekëve. (r.m.)

Comment

*