Itali, përurohet sheshi “Scanderbeg”, Meta: Meritojmë të jemi pjesë e Europës

Ceremonia ka nisur me ekzekutimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit kombëtar italian, e më pas u vijua me përshëndetjet e rastit të mbajtura nga të gjithë të pranishmit, të cilët ndërsa vlerësuan marrëdhëniet e mira dhe të ngushta midis dy vendeve shprehën konsideratat e larta për figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu

 Aristir Lumezi

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në përurimin e monumentit dhe sheshit dedikuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Fermo të Italisë. “Ne meritojmë të jemi pjesë e Europës së Bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Europian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO”, u shpreh Meta.

 Të pranishëm në këtë ceremoni ishin autoritetet më të larta lokale të zonës, përfaqësues të Parlamentit Italian, përfaqësues të Senatit italian, Ambasadori i Shqipërisë në Itali, Neritan Ceka, zv/Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Halili, Ambasadorja e Kosovës ne Itali, Bukurije Gjonbalaj, deputeti Spartak Braho, Presidenti i RTV “Ora-News”, Ylli Ndroqi, Kryegjyshi i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali.

 Ceremonia ka nisur me ekzekutimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit kombëtar italian, e më pas u vijua me përshëndetjet e rastit të mbajtura nga të gjithë të pranishmit, të cilët ndërsa vlerësuan marrëdhëniet e mira dhe të ngushta midis dy vendeve shprehën konsideratat e larta për figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu mirënjohjen ndaj komunitetit shqiptar në Itali për kontributin e tyre ndërsa vlerësoi bashkëjetesën pozitive të këtij komunitetit në Itali si një shprehje të miqësisë që dy vendet dhe popujt kanë me njeri-tjetrin.

 Ai theksoi se, ashtu siç Skënderbeu dha për shqiptarët mësimin se “Bashkimi e bën fuqinë!”, të gjithë sot duhet të reflektojnë për një bashkëpunim të ngushtë me njeri tjetrin për të arritur suksese dhe për të fituar sfidat që kombi shqiptar ka përpara.

 “Ky mësim është i vlefshëm edhe sot e kësaj dite, ku kemi nevojë të bashkohemi gjithnjë e më shumë, të bashkëpunojmë gjithnjë e më shumë për të spikatur, për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të popullit tonë dhe kombit tonë. Sepse ne meritojmë të jemi pjesë e Europës së Bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Europian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO” u shpreh Meta.

 Në fund të ceremonisë, Prefektja e Provincës së Rajonit Fermo, Emila Zarrilli nderoi Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta me një çmim kontributiv.

 Gjatë kësaj vizite, Kryetari i Kuvendit, Meta mori pjesë në darkën madhështore të organizuar nga emigrantët e Fermos në Itali me këtë rast, ku të ftuara ishin gjithashtu edhe Kryetarja e Bashkisë së Fermos si dhe Prefektja e Provincës së këtij Rajoni.

 Më herët gjatë vizitës në Fermo, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në një takim nga Kryetarja e Bashkisë së Fermos, Nella Bramati, e cila ndërsa u shpreh e nderuar për këtë vizitë të Meta vlerësoi se komuniteti shqiptar është një pasuri e vyer për rajonin e Fermos.

Comment

*