ITSHKSH, adresë e profilimit civilizues të shqiptarëve

Emin Azemi

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni (ITSHKSH) gjithnjë e më tepër po bëhet një pikë orientimi e referimi për sa i përket ndërtimit të strategjive shkencore në funksion të profilimit civilizues të shqiptarëve në Maqedoni.

Shkup, shtator – Ky Institut fillimisht kishte nisur punën me pesë Departamente dhe i janë dashur disa vite, nga themelimi e deri sot, që të etablohet suksesshëm në botën shkencore e hulumtuese, jo vetëm në hapësirën shqipfolëse por edhe më gjerë. Pjesëmarrja në shumë simpoziume e ngjarje shkencore me karakter rajonal e ndërkombëtar, e ka bërë ITSHKSH adresë të çmueshme ku emra të njohur studiuesish po trokasin për të thelluar bashkëpunimin e mëtutjeshëm. Kjo, falë punës tepër përkushtuese e këmbëngulëse të drejtorit dr. Skender Asani, i cili ITSHKSH e ka shndërruar në një algoritëm modern të kërkimit të dijeve në horizonte të pashkelura deri më tani.

Hapja e ITSHKSH  drejt vlerave universale

Intenca për të hapur këtë institucion, jo vetëm në fushën e historisë dhe gjuhësisë, por edhe duke e zgjeruar strategjinë e përafrimit me vlerat kulmore të civilizimit botëror, ka konfirmuar në praktikë një moto jetësore të dr. Skender Asanit, sipas të cilit nëse dëshiron të të respektojnë të tjerët, mos ngurro duaji ata, me vepra të sinqerta. ITSHKSH tash e sa vite po e mban gjallë vëmendjen e publikut me vepra që rrezatojnë energji pozitive, si në planin e afirmimit të kaluarës më pak të njohur të shqiptarëve, por edhe begatitë shpirtërore e kulturore të popujve tjerë. Mbi këtë interaksion tematik, dr. Asani ka vendosur edhe disa tangenta pikëtakimesh, duke i dhuruar lexuesit dhe opinionit shkencor disa hulumtime me karakter tepër dobiprurës për kohën e tashme dhe për të ardhmen.

Një hulumtim i tillë është bërë edhe në zbardhjen e historisë së familjeve hebreje që u shpëtuan nga shqiptarët e Shkupit gjatë Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur shumë pak popuj arritën të solidarizohen me fatin tragjik të hebrenjve.

Kjo ka qenë edhe nxitja shpirtërore e intelektuale për dr. Skender Asanin që me rastin e deportimit të mbi 7100 hebrenjve para 76 vjetësh nga Maqedonia, në kuadër të ITSHKSH të themelojë Departamentin për studimin e Holokaustit, i pari i këtij lloji në rajon,  një punë kjo që ndërlidhet jo vetëm me kauzën humane të shqiptarëve që e kanë pasur me shekuj, por edhe me ambicien shkencore të ITSHKSH për të krijuar një kulturë civilizuese respekti për popujt tjerë, sidomos për ata, siç janë hebrejt, të cilët gjatë historisë kaluan momente dramatike të zhbërjes. Shqiptarët, një popull liridashës, më mirë se kushdo tjetër e kuptojnë këtë dramë dhe jo pa arsye ata kanë një lidhje të veçantë miqësie me hebrejt, kurse dr. Skender Asani këtë miqësi e shndërroi në mision shkencor përmes këtij Departamenti, i cili pritet që në të ardhmen të zhvilloj një aktivitet të pasur studimor.

“Në të vërtetë, ky departmanet nuk është i rëndësishëm vetëm sepse është i pari i këtij lloji në rajon, as vetëm sepse do të jetë edukimi më i mirë dhe më i saktë institucional për historinë e vuajtjes së një populli në një periudhë të historisë por, sepse duke edukuar për Holokaustin, duke i njohur historitë që presin të shkruhen, arrijmë të rinjohim veten tonë”, kishte  arsyetuar dr. Asani hapjen  e këtij Departmenti. Sipas tij, Departamenti për studimin e Holokaustit synon ndërgjegësimin e përgjithshëm shoqëror lidhur me historinë që nuk e lë indiferent asnjë individ të qytetëruar. Ai me këtë rast pat folur edhe për historinë e familjeve shqiptare Meliqi nga Shkupi dhe Shurdha nga Shkodra që kishin shpëtuar pjesëtarë të komunitetit hebre duke i fshehur për të mos i dorëzuar në kampet naziste.

Jo rastësisht, mbase, këtyre ditëve në mbledhjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është miratuar një raport pune në të cilin është integruar fryma dhe angazhimi i ITSHKSH në edukimin dhe hulumtimin për Holokaustin.

Se kjo frymë dhe ky angazhim po bën jehonë edhe në botë, kjo u dëshmua edhe me rastin e  vizitës së një ekipi hulumtuesish nga Muzeu Memorial i Holokaustit në Uashington, i cili qëndroi të mërkurën për vizitë pune në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e hulumtimit dhe studimit të çështjes së Holokaustit në këto treva, me ç’rast u zhvilluan intervista me dëshmitarë për rastet e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo vizitë njëherësh  shpreh në praktikë ndjenjën e respektit që kanë institucionet relevante botërore për ITSHKSH-në, aq më tepër kur dihet se  Muzeu Memorial i Holokaustit në Uashington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një nga muzetë më të mëdhenj dhe më të pasur në botë që trajton çështjen e Holokaustit.

Ndriçimi i kulturës materiale të shqiptarëve

Një dimension tjetër mjaft i rëndësishëm i punës hulumtuese-shkencore i ITSHKSH-së, është edhe ndriçimi i kulturës materiale të popullit shqiptar në këto treva. Për dr. Skender Asanin kjo është një fushë që hap horizonte të shumta, të cilat deri tani kanë qenë të mbyllura për studiuesit shqiptar. Sipas tij tash e tutje kjo fushë do të studiohet nga Departamenti i Muzeologjisë, duke zgjeruar gamën e hulumtimit në të gjitha qytetet ku më lehtë do të mund të ushtrohet veprimtaria muzeale e arkeologjike, përmes ekipeve që do të shpërndahen në terren, e që do të jenë nën drejtimin dhe kujdesin e ITSHKSH. Etno-kultura shqiptare tash e në të ardhmen do të ndodhet në fokusin  e interesimit të studiuesve të ITSHKSH, kurse dr. Skender Asani shpreson se krejt kjo punë do të përmblidhet në publikime dhe trajtesa shkencore.

Një Departament tjetër që shënon kthesë në veprimtarinë shkencore të ITSHKSH-së, i kushtohet marrëdhënieve shqiptaro-osmane. Domosdoshmëria e themelimit të këtij Departamenti lidhet me nevojën e thellimit të njohurive mbi historinë politike e shoqërore të një periudhe kur një pjesë  e elitës shqiptare ishte pjesë e piramidës udhëheqëse të Perandorisë Osmane dhe ky fakt në historiografinë shqiptare ka nxitur debate  e polemika të shumta, por pa një konkluzion të mirëfillt shkencor. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që dr. Skender Asani përmes këtij Departamenti synon të hedhë më shumë dritë mbi marrëdhëniet shqiptaro-osmane, duke ofruar argumente për dritë-hijet e këtyre interferimeve, si në rrafshin diakronik, por edhe në atë sinkronik historik, sociologjik, politik, fetar e kulturologjik.

Brendimi shkencor i jetës dhe veprës së Nënë Terezës

Shkupi si qendër historike e shqiptarëve në Ballkan, nxori edhe Gonxhe Bojaxhiun, e cila në botë njihet si Nënë Tereza. Mbi figurën e saj tash më janë shkruar qindra vepra dhe gjiruar po aq filma. Por, trajtimi më i përkushtuar për të nga ana e shqiptarëve ka munguar, ndërkohë që tash së fundmi ITSHKSH ka hapur Departamentin për studimin e jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Drejtori, dr. Skender Asani shprehet tejet i kënaqur me faktin se Shkupi, tash e tutje, përpos si vendlindje e Gonxhe Bojaxhiut, po bëhet edhe qendër referimi dhe hulumtimi për shumë studiues, të cilët përmes këtij Departamenti do të mund të plotësonin dimensionet e shumta të panjohura të veprimtarisë së Nënë Terezës. Për të penguar keqkuptimet e aty këtushme rreth origjinës së kësaj figure me përmasa planetare, dr. Asani tash e në të ardhmen është i fokusuar në brendimin shkencor të jetës dhe veprës polidimensionale të Nënë Terezës, deri në periudhën e parashenjtërimit.

Vula e origjinalitetit shkencor ndodhet gjithmonë në duart e studiuesve të guximshëm dhe largpamës. Njëri prej tyre është edhe  dr. Skender Asani, i cili po synon që në hapësirën shqiptare, dhe jo vetëm, të rivendos koordinatat e historisë sipas logjikës së ngjarjeve dhe dialektikës së tyre. Për rrjedhojë, aksiomë e tij e punës disavjeçare është bërë ridimensionimi i faktorit shqiptar në Shkup dhe më gjerë në Dardani, duke i ofruar studimeve albanologjike një këndvështrim të plotë, por të munguar deri më tani.

Comment

*