Iu dha lamtumira e fundit shkrimtarit Arif Demolli

Prishtinë, 7 mars 2017 – Sot, në Prishtinë, iu dha lamtumira e fundit, shkrimtarit Arif Demolli, autorit të rreth 30 veprave letrare, për fëmijë e për të rritur, në poezi, prozë e zhanre të tjera, të cilat renditen në mesin e vlerave letrare kulmore të letërsisë shqipe.

Në mbledhjen komemorative dhe në ceremoninë e varrimit të Arif Demollit, mori pjesë një numër i madh i miqve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve të veprave të tij, për të nderuar figurën shembullore të njeriut të urtë, të dashur, fjalëpak e fjalëpeshuar dhe autorin e krijimeve të imagjinatës së paskajshme, shkruar me një gjuhë shumë të pasur e me një stil të stërholluar.

Në mbledhjen komemorative që u mbajt në Bilbiotekën e Qytetit “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Munish Hyseni, shprehu dhembjen e pikëllimin për ikjen e parakohshme të mikut të tij Arif Demolli, autorit të veprave që zënë vend në krye të renditjes së vlerave letrare, sidomos në prozë.

Hyseni tha se Arif Demolli la një vend të madh bosh mes familjarësh, miqsh e bashkëpunëtorësh dhe mes lexuesve.

“Familjarët, bota letrare, miqtë e vletër e të rinj, por edhe lexuesit e bibliotekës sonë e kanë humbur mikun e tyre, shkrimtarin më të lexuar në këto 15 vjetët e fundit”, tha Hyseni.

“Arif Demollin do ta kujtojmë si njeri të urtë e të dashur, por edhe si njeri me shpirt kundërshtues, i cili e ruajti integritetin e tij personal dhe kurajën qytetare gjithë jetën, edhe atëherë kur cenohej nga brutaliteti i shtetit totalitar”, theksoi Munish Hyseni.

Me ndjenjë të thellë nderimi e respekti për personalitetin e Arif Demollit dhe veprën e tij letrare foli edhe poeti Xhevat Syla, koordinator i manifestimit letrar tradicional “Karvani letrar për fëmijë ‘Agim Deva’”.

Ai tregoi se ishte paraparë që Arif Demolli të merrte pjesë në nismën e “Karvanit…” të sivjetmë, i cili ishte planifikuar të niste pikërisht sot, në Ditën e Mësuesit, dhe pikërisht në sallën ku po mbaheshin fjalime mortore për të.

Xhevat Syla tha se në kohën që po e priste konfirmimin për pjesëmarrjen e Arifit në takimin e parë letrar të ‘Karvanit…”, ai e mori lajmin e hidhur.

“Ai lajm më erdhi si një goditje e rëndë, jashtëzakonisht tronditëse, thellësisht trishtues”, tha Syla.

“Tani jemi këtu, vetëm një orë para se trupi i Arifit t’i dorëzohet tokës së atdheut të vet, për t’i thënë pak fjalë lamtumirëse për Arifin njeri, për Arifin shkrimtar, për Arifin shok e mik i sinqertë”, shtoi ai.

“Tani jemi këtu për të kujtuar mikun tonë të shtrenjtë, shkrimtarin tonë të shquar, anëtarin e rregullt dhe ndër më të mirët që i kishin ngelur ‘Karvanit…’ tonë, Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, elitës së intelektualëve të mirëfilltë, letërsisë dhe kulturës sonë në përgjithësi”, theksoi Xhevat Syla.

Më pas, ai foli për tiparet njerëzore të Arif Demollit dhe për botën e madhe letrare të tij.

Pak fjalë të zgjedhura për figurën e Arif Demollit dhe për punën e veprën e tij i tha edhe Zëvendës-ministri i Arsimit, Agim Bërdynaj.   Ai theksoi se Arifi, si kudo ku kishte punuar, kishte lënë gjurmë edhe në këtë ministri, ku merrej me tekstet shkollore.

Varrimi i Arif Demollit u bë në varrezat e qytetit, në Prishtinë.

 

Ramadan Muçolli

Comment

*