Izetbegoviqi e Çoviqi përplasen në Beograd për Kosovën

Beograd, 6 dhjetor 2017 – Dy anëtarë të Kryesisë së Bosnjës e Hercegovinës, boshnjaku Bakir Izetbegoviq dhe serbi Dragan Çoviq, janë përplasur sot në Beograd për shkak të Kosovës.

Përplasja ka ndodhur në konferencën e përbashkët të shtypit të tre anëtarëve të Kryesisë së Federatës së Bosnjës e Hercegovinës me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Serbi Çoviq, duke folur për çështjen e Kosovës, të cilën e ka cilësuar si “çështje të brendshme” të Serbisë, ka thënë se Kryesia e Bosnjës e Hercegovinës do të mbajë qëndrimin e Beogradit.

“Qëndrimi ynë, i të tre anëtarëve të Kryesisë (së Bosnjës e Hercegovinës), kur bëhet fjalë për çështjet e brendshme të Serbisë, është që politikën e jashtme lidhur me çështjet e hapura (lexo çështjen e Kosovës) ta përshtatim me qëndrimet e Beogradit”, është shprehur Çoviq, transmeton gazeta beogradase “Danas”.

Boshnjaku Izetbegoviq ka reaguar menjëherë dhe është distancuar nga deklarata e kolegut të tij serb. Ai ka thënë se ky është qëndrim personal i Çoviqit dhe ka theksuar se politika e jashtme e Bosnjës e Hercegovinës bëhet në Sarajevë dhe jo në Beograd.

“Politikën e jashtme të Bosnjës e Hercegovinës do ta udhëheqin këta tre njerëz (anëtarët e Kryesisë së Bosnjës e Hercegovinës) dhe ajo do të bëhet në Sarajevë. Natyrisht, gjithsesi do t’i kemi parasysh qëndrimet e vendeve fqinje, sepse ne jetojmë në fqinjësi me Serbinë dhe me Kroacinë, sikur edhe qëndrimet e Bashkimit Evropian, sepse kemi marrë obligime në kuadrin e procesit të integrimeve.  Por, qëndrimi im është se politika e jashtme bëhet në Bosnjë e Hercegovinë”, është shprehur Izetbegoviq.

Pas përfundimit të konferencës për shtyp, Izetbegoviqi ka shpjeguar se para konferencës së shtypit në Beograd e kishte paralajmëruar kolegun e tij serb që të mos fliste për Kosovën në emër të Kryesisë së Bosnjës e Hercegovinës.

“Kam reaguar sepse Çoviqi nuk mund të vendosë për këtë në emrin tim. Duke shkuar në konferencën e shtypit i kam thënë: ‘të lutem, mos e thuaj këtë gjë në emër të të treve’. Kam dashur të distancohem dhe të sqaroj çështjen”, ka thënë Izetbegoviq për Televizionin Al Xhazira.

Izetbegoviq ka kujtuar se Çoviqi edhe para 20 ditësh kishte deklaruar se Bosnja e Hercegovina do ta lë në dorën e Serbisë vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës.

(r.m. Illyriapress.com)

Comment

*