Ja pse debati i sotëm, mes kandidatëve për Zëvendës-President, nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Ndërmjet debatit të parë dhe të dytë mes kandidatëve për president në SHBA, mbahet ai mes zëvendësve të tyre.
Sonte, demokrati Tim Kaine dhe republikani Mike Pence do të përballen në një debat që mund të jetë më i rëndësishmi që është bërë ndonjëherë në historinë e debateve mes kandidatëve për numër 2 në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo nuk ka të bëjë edhe aq me dy guvernatorët sesa me dy kandidatët: Hillary Clinton dhe Donald Trump.
Asnjëherë në histori, amerikanët nuk kanë qenë kaq dyshues ndaj të dy njerëzve që konkurrojnë për postin më të lartë të vendit. Përqindja e mosbesimit në opinionin publik për të dy kandidatët është më e lartë se 60%. Problemi më i madh që kanë si Clinton dhe Trump është frika se një pjesë e votuesve tradicionalë mund të mos dalin në votime.
Shumë republikanë dyshojnë në kredencialet konservatore të manjatit nga New York City, që deri “dje” ishte një demokrat liberal i hapur. Të tjerë dyshojnë se çfarë do të thotë për partinë e tyre aleanca e pashenjtë me ekstreme të politikës që deri dje denoncoheshin nga të gjitha krahët. Trump është dyshues ndaj tregëtisë së lirë dhe çuditërisht i dobët me Rusinë.
Nga ana tjetër, Clinton, e akuzuar si tepër e majtë nga konservatorët, konsiderohet si jo mjaftueshëm e majtë nga brezat e rinj të demokratëve e rinia studentore, që mbështetën haptas dhe me entuziazëm Senatorin Bernie Sanders. Një pjesë e votës pacifiste e myslimane gjithashtu e trajton kandidaten demokrate si një “neo-konservatore” kur vjen puna te politika e jashtme dhe e sigurisë. Po pika e saj më e dobët mbeten votuesit meshkuj “të bardhë”, të klasës punëtore, dikur shtylla kurrizore e Partisë Demokrate.
Hetimi për përdorimin e komunikimeve elektronike gjatë kohës kur ishte Sekretare e Shtetit dhe dyshimet për Fondacionin Clinton vetëm sa i kanë shtuar këto distancime.
Pikërisht këtu hyjnë kandidatët për zëvendës-presidentë, të zgjedhur duke pasur në mendje, jo aftësitë por dobësitë e dy kandidatëve.

Republican U.S. presidential nominee Donald Trump hugs running mate Governor Mike Pence (R) at the conclusion of the final session of the Republican National Convention in Cleveland, Ohio, U.S. July 21, 2016. REUTERS/Jonathan Ernst

Mike Pence dhe Donald Trump

Mike Pence, guvernatori nga Indiana, ka kredenciale të padiskutueshme konservatore. Ai artikulon rrjedhshëm “në gjuhën konservatore”, në të cilën Trump belbëzon, sa herë që hynë në detaje. Ndryshe nga kandidati, zëvendësi i tij ka kritikuar ashpër veprime e qendrime të Vladimir Putinit. Ai është aty për të qetësuar kundërshtarët e abortit, votuesit që nisen nga i ashtuquajturi moral kritistian, militantët e të drejtës për të mbajtur armë, etj. Ndryshe nga Trump, Pence nuk ka flirtuar ndonjëherë gjatë kësaj fushate me supremacistë të djathtë, apo anti-semitë, ndonëse refuzoi në një intervistë që të dënonte David Duke.
Tim Kaine është gjithashtu gjithshka që Hillary Clinton nuk është. Së pari, është “një burrë i bardhë” me prejardhje nga klasa punëtore, që flet gjuhën e atyre që janë ftohur sot nga Partia Demokrate. Shumë analistë preferojnë ta përshkruajnë kandidaten demokrate si një njeri të ftohtë dhe jo shumë komunikuese, ndërsa nga ana tjetër Kaine shihet si një babaxhan karizmatik. “Xhaxhai që kurrë nuk e pata”, është një batutë që qarkullon shumë në rrjetet sociale, e shprehur në variante të ndryshme.

Tim Kaine dhe Hillary Clinton

Mbështetësit më të flaktë të Hillary Clinton dhe Donald Trump bezdisen nga numërimi i të metave të kandidatëve të tyre që pritet të zbuten zëvendësit përkatës. Ata këmbëngulin se Trump është aq konservator sa duhet dhe nuk ka nevojë për kredencialet e Pence. Ai do të fitonte këdo që të zgjidhte si zëvendës, sepse sjell një risi në politikën amerikane, një lëvizje popullore të pandalshme. Në mënyrë të ngjashme, demokratët hillaristë këmbëngulin se kjo zgjedhje presidenciale është historike sepse do të kemi gruan e parë presidente në SHBA. Sipas tyre, Clinton ka një histori dekadash kontributi në shërbim të klasës punëtore dhe vjen vetë nga një familje punëtorësh, biznesmenësh të vegjël dhe minatorësh të bardhë, kështu që nuk ka nevojë për përkthim me ta nga Tim Kaine.
Mirëpo, anketim pas anketimi, është nënvizuar dyshimi për kandidatët si dhe teoria që nuk lodhet se Clinton dhe Trump mund të fitojnë vetëm kundër njëri-tjetrit. Çdo zgjedhje tjetër e partive përkatëse do t’i kishte përmbysur. Pastaj është edhe puna e dy kandidatëve të tjerë, nga Partitë Libertariane dhe të Gjelbër, që rrezikojë të devijojnë 10 deri në 20% të elektoratit. Kë do të dëmtojnë më shumë?
Donald Trump është fare amator në fushën e qeverisjes, ndonëse ka menaxhuar firmat e tij. Hillary Clinton nuk ka qeverisur kurrë ndonëse ka drejtuar Departamentin e Shtetit. Asnjëra nga të dy përvojat nuk mjafton për punën e jashtëzakonshme të qeverisjes së demokracisë më të fuqishme të botës, po kjo nuk i bën ata më të ndryshëm nga shumica e presidentëve të tjerë para tyre. Ndihmon nga ana tjetër dhe nuk është rastësi, që të dy zëvendësit e tyre kanë qenë guvernatorë shtetesh, ku kanë qeverisur, hartuar buxhete e aprovuar ligje.
Në fund, zëvendës-presidenti zgjidhet edhe që në rastin e skajshëm, kur një president jep dorëheqjen, përjashtohet, bëhet i paaftë fizikisht e mendërisht apo humbet jetën, të jetë në gjendje ta zëvendësojë menjëherë në Zyrën Ovale.
Si asnjëherë në historinë e Amerikës, mosha mesatare e këtyre dy kandidatëve për president është 69.5 vjeç. Trump është 70, Hillary mbush 69 këtë muaj. Shëndeti i tyre është kthyer në debat publik. Clinton pati një episod, gjatë ceremonisë së 11 Shtatorit. Trump ka shtuar në peshë në vend që të humbasë gjatë fushatës intensive. Të dy nuk janë shumë të gatshëm të raportojnë gjendjen e tyre të plotë shëndetësore dhe është mëse njerëzore të mendosh që në moshën e tyre problemet janë diçka e natyrshme. Ndonëse amerikanët po jetojnë e punojnë më gjatë se kurrë ndonjëherë në histori, është dëshmi kujdesi e përgjegjshmërie të zgjedhësh zëvendës-presidentë që janë gati të marrin timonin në raste të skajshme.
Roli i zëvendës-presidentit ka ardhur duke u forcuar në SHBA, me figura si George HW Bush, Al Gore, Dick Cheney dhe Joe Biden. Por, në këtë cikël zgjedhor – për këto më lart e plot arsye të tjera – debati i sotëm i numrave 2 do të ketë një rëndësi si asnjëherë tjetër. Edhe sikur Kaine dhe Pence të mos të nevojiten kurrë në krye të Shtëpisë së Bardhë, ata duhet të shkëlqejnë sonte në debat, të paktën për të qetësuar nervat, ndërgjegjet dhe instiktet e shumë votuesve të pavendosur e të pakënaqur amerikanë.

Kush duhet të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA?

  • Hillary Clinton (74%)
  • Donald Trump (18%)
  • Dikush tjetër (6%)
  • Nuk më intereson/Nuk e di (2%)

Loading ... Loading ...

Comment

*