James Ker-Lindsay: BE ka mirëkuptim për politikën e jashtme të Serbisë

James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës dhe ekspert i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Serbia nuk u bashkohet rezolutave të Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian në dënimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga vendet autokratike përfshirë, Rusinë dhe Kinën, sepse llogarit në mbështetjen e tyre për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Derisa çështja e Kosovës të zgjidhet me vendosmëri dhe plotësisht, Serbia do të ketë nevojë për mbështetjen e Rusisë, do të ketë nevojë për mbështetjen e Kinës” ka thënë Lindsay për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se politika e jashtme e Serbisë bazohet në objektivat e saj lidhur me Kosovën.

“Tashmë është e qartë se Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës, prandaj tani po lufton për të parandaluar shtetet nga njohja e Kosovës, por edhe për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Prandaj, sigurisht, për të parandaluar që çështja t’i referohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ajo ka nevojë për veton ruse dhe kineze në Këshillin e Sigurimit, duke pasur parasysh që Britania e Madhe, Franca dhe Shtetet e Bashkuara – të cilat e kanë njohur Kosovën – mbështesin aplikimin e saj për anëtarësim në OKB. Në këtë kuptim, ne shohim sesi Kosova zë një vend të madh në politikën e jashtme të Serbisë”, ka thënë ai.

Lindsay vlerëson se ky nuk është problem vetëm për Serbinë, por edhe për Bsshkimin Evropian, por Brukseli I toleron sjelljet e Serbisë.

“Ne e dimë që Serbia duhet të përshtasë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë sepse është pjesë e procesit të pranimit të saj në BE, por ka gjithashtu një mirëkuptim pse kjo nuk po ndodh akoma. Unë mendoj se, në fakt, Bashkimi Evropian e kupton plotësisht se sa më shumë sfida që do t’i paraqiste Serbisë për shkak të kësaj, ka aq më shumë gjasa që ta shtyj atë edhe më shumë në duart e Rusisë dhe Kinës. Nëse Bashkimi Evropian do ta detyronte Beogradin të merrte një vendim, ai do ta dinte që Serbia nuk ka mundësi të kundërshtojë Rusinë dhe Kinën – për shkak të Kosovës. Dhe në këtë mënyrë i rikthehemi sërish problemit të njëjtë. Unë mendoj se ka një mirëkuptim të përgjithshëm se pse është kaq e rëndësishme që përfundimisht dhe plotësisht të zgjidhet çështja e Kosovës, në mënyrë që të prishet mbështetja e pafund e Serbisë në Moskën dhe, në një farë mase, në Pekinin”, ka thënë Lindsay.

“Nëse do të ekzistonin disa rrethana të tjera, nëse nuk do të ishte në pyetje Kosova, dhe nëse Serbia do të vepronte kështu, unë mendoj se atëherë Bashkimi Evropian ndoshta do të ishte shumë më i drejtpërdrejtë dhe do t’i thoshte Serbisë – dëgjoni, nëse doni të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian, atëherë duhet të harmonizoni politikën tuaj të jashtme me bllokun”, ka shtuar James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës dhe ekspert i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor.

(REL)

Comment

*