Janjiq: Vuçiqi e Thaçi bisedojnë qe dy vjet për ndarje

Beograd, 9 gusht 2018 – Analisti Dusha Janjiq ka thënë se nga deklaratat e Presidentit të Serbisë,  Aleksandar Vuçiq, mund të përfundohet se ai nuk e përjashton opsionin e ndarjes së Kosovës.

Ai ka thënë se edhe paralajmërimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën nuk është gjë tjetër veçse një version i planit për ndryshim kufijsh dhe për ndarje, për çka kanë biseduar Vuçiqi e Thaçi, vitin e kaluar dhe sivjet.

“Në deklaratën e pardjeshme të Vuçiqit nuk dukeshin shenja sigurie, sepse ai s’e demonstroi forcën të cilën e demonstron rëndom, kur është i bindur për ndonjë gjë”, ka thënë Janjiq për agjencinë beogradase të lajmeve, Beta.

Ai ka thënë se Vuçiqi e Thaçi po ushtrojnë presion ndaj institucioneve dhe opinionit publik, për të realizuar planin e tyre.

“Është e qartë se ekziston agjenda sipas të cilës veprojnë Vuçiqi e Thaçi. Ata dëshirojnë që procesin ta përfundojnë përmes një presioni të tmerrshëm ndaj opinionit publik, duke paralajmëruar edhe referendume të ndryshme”, ka thënë Janjiq.

Por, ai ka shprehur bindjen se në muajin shtator, kur pritet takimi i radhës i Vuçiqit e Thaçit, nuk do të vendoset asgjë për Kosovën.

Sipas tij, në shtator, Kosova e Serbia do ta kuptojnë se do të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme. (r.m.)

Comment

*