Jepet verdikti: Shtatë vjet burg për Martin Shkrelin

Një gjykatës federal në Brooklyn ka dënuar sot me shtatë vjet burg Martin Shkrelin, duke i dhënë më në fund masën e dënimit disa muaj pasi ekzekutivi i firmave farmaceutike ishte shpallur fajtor për shkelje rregullash dhe mashtrim të klientëve të tij financiarë.
Prokurorët federal kishin kërkuar të paktën 15 vite burg për të, kurse avokatët e tij ikërkuan Gjykatësit Amerikan të Distriktit Kiyo A. Matsumoto që të mjaftohej me një dënim 12 deri në 18 muajshe burg. Sidomos duke pasur parasysh që ai i ka kryer tani 6 muaj burg që do të zbriten nga dënimi.
Një rol jo të vogël në vendimin për 34-vjeçarin që dikur lavdërohej si një gjeni në Wall Street ka luajtur sjellja e tij e pazakontë publike, me të cilën ka provokuar vazhdimisht opinionin publik amerikan.
Duke injoruar lutjet dhe këshillat e përfaqësuesve të tij ligjorë dhe të kompanisë, ai ka këmbëngulur që të mos heqë dorë nga truket e tij publike. Një i tillë ishte oferta për 5,000 dollarë për një qime floku nga Hillary Clinton, që solli rritjen e sigurisë për isj-kandidaten presidenciale dhe refuzimin e gjykatësit për ta lejuar që Shkreli të priste vendimin në liri.
Djalë i një çifti emigrantësh shqiptaro-amerikanë, Martin Shkreli u pasurua shpejt duke luajtur me investimet në fushën e farmaceutikës, por u shpall nga media si “njeriu më i urryer në botë”, kur pasi bleu të drejtat e një lloj barne për të sëmurët me kancer ia rriti çmimin 750 herë brenda natës.
Kërcime të tilla të çmimeve kanë mjaft precedente në farmaceutikën amerikane, por ekzekutivët e kësaj industrie nuk para dalin në publik dhe e shoqërojnë vendimin me një fushatë të mirë të marrëdhënieve publike.
Shkreli, i dashuruar papritur me rolin e djalit të keq të Wall Street-it, zgjodhi të tallet me kritikët, të përqeshë gazetarët dhe të përfshihet në debate të kota në internet me do të panjohur që hynte për ta sharë.
Në fund, dënimi me burg erdhi për mashtrim në tregun e sigurimeve, mashtrim të investitorëve të fondeve gardh dhe përdorimi i paligjshëm i aseteve të një kompanie për të paguar borxhet e kompanive të mëparshme.
Ironia është që investitorët në fund nuk kanë humbur asnjë cent, por Shkreli është dënuar gjithësesi për shkeljen e ligjit, ndonëse veprimet e tij nuk shkaktuan viktima. Ai ka thënë se do ta apelojë vendimin. Po me reputacionin e dëmtuar rëndë, duket se gjykatësit do të vijojnë ta paragjykojnë deri në shkallën më të lartë të drejtësisë.
Lajmi i dënimit me burg është pritur me gëzim nga pjesa më e madhe e publikut që e identifikon tani Shkrelin më abuzimet dhe mungesën e ndëshkimit të bosave të industrisë farmaceutike në SHBA. (Ruben Avxhiu)

Comment

*