Jetë e iluzion

Astrit Lulushi

Astrit Lulushi

Liria është iluzion për të krijuar realitet të rremë. Njeriu jeton i ndërvarur, nga lindja në vdekje. I sapo lindur ai ka nevojë fizike për ndihmën e të tjerëve, kur rritet, i ngarkohet të punojë kundrejt pagesës për ta bërë të ndërvarur edhe ekonomikisht. Cdo njeri që nuk ndjek këtë rrugë mënjanohet si skarcitet shoqëror. Liria në thelb nuk ekziston.

Por njeriu beson dhe merr udhën drejt saj, edhe pse ankohet se është lindur për një periudhë të shkurtër kohe, të cilën e shpenzon aq shpejt sa ajo merr fund në momentin kur mendon se është bërë gati për ‘të. ‘Jeta është e shkurtër, arti është i gjatë’, thoshte Aristoteli, që ndonjë mund ta kuptojë thjesht se jeta mbaron, arti jeton. Duke folur mbi Natyrën që e kishte bërë njeriun ‘jetëshkurtër’, ndërsa disa kafshë të jetonin deri 5 deri 10 herë më shumë, Filozofi thoshte se jeta e njeriut është mjaft e gjatë nëse lë pas, ose e kalon duke bërë, vepra të mira.

Përfshirja, përmbledhja politike e shoqërore është ‘kompleksitet’. Ajo që i shtynë institucionet në cdo qytetërim të bëhen politikisht komplekse është mënyra hierarkike e tyre. Një kooperativë fshatrash – bashkim fisesh – nuk mund të quhet qytetërim pasi nuk është shoqërisht e politikisht përmbledhës. Kur një mijë vjet më vonë, arrihet që familja mbretërore të jetojë në pallat, ruajtur nga ushtarë profesionistë, e ndarë nga masa prej klanesh, dhe nga një kastë klerikësh që kujdeset për fenë, atëherë mund të thuhet se është krijuar kushti politik e shoqëror ‘kompleks’ – qytetërimi.

Historikish, asnjë shoqëri fisesh, sado e zhvilluar, kurrë nuk është quajtur qytetërim – ashtu si një poet sot nuk mund të quhet disident sepse thotë që në kohën e diktaturës i lexonte vargjet e tij para një salle të zbrazët, pa audiencë. “Por heshtja publike, leximi pa zë, i poezive nën diktaturë,” thotë shkrimtari Faruk Myrtaj, “është më shumë disidencë se pagesa për të mbetur famoz edhe asokohe.”

Comment

*