Jo përjetësi në politikë

Moza Boletini

Nga Moza Boletini

SHBA, Shkurt 2019. Sipas ligjeve amerikane senatorët në Senat kanë të drejtë të zgjidhen pa limit të përcaktuar. Ka raste që në SHBA një senator ka ushtruar këtë mandat mbi 50 vite. Siç ka ndodhur në fakt në shtetin e West Virxhinias, ku senatori demokrat Robert Byrd udhëheqi këtë post për 51 vite me rradhë. Kurse senatori demokrat Joseph Biden e mbajti këtë titull në shtetin e Delaware per 36 vite, që nga viti 1973.
Senatori Republikan i Texasit Ted Cruz, i cili rikandidoi nëntorin e kaluar dhe siguroi një mandat të dytë në senat ndaj demokratit Beto O’ Rourke, është shprehur për një amendament shtesë të këtij ligji.  Ai kërkon që të hidhet poshtë kandidimi dhe zgjedhja për më shumë se dy mandate e një senatori dhe për anëtarët e Kongresit jo më shumë se tre mandate.
Senatori Cruz, mandati i të cilit përfundon në vitin 2025, thotë se anëtarët e kongresit për një periudhë tejet të zgjatur  me fuqinë e tyre kanë abuzuar dhe injoruar vullnetin e popullit. Sipas TV-Amerikan ABC senatori Ted Cruz ka qenë vazhdimisht një kritik i kushtetutës amerikane në mos përfshirjen e limit të mandateve. Edhe një vit më parë ai paraqiti një propozim të tillë të ngjashëm.
Për të larguar përjetësinë në politikën shqiptare, mendoj se ky amendament duhet aplikuar në Shqipëri dhe Kosovë, për të evituar çdo lloj abuzimi dhe korrupsioni të paligjshëm.
Shënim: Autorja ka qenë anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në Shqipëri.

Comment

*