Joe Biden shpalos planin ekonomik

Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë Joe Biden ka shpalosur shtyllën e tretë të planit të tij ekonomik duke premtuar një rritje prej 775 miliardë dollarë për kujdesin e fëmijëve. Të dhënat e anketave të fundit tregojnë për epërsi të ish zëvendës-presidentit Biden ndaj Presidentit Trump në shtetet fushë-beteja. Anketat e opinionit publik tregojnë se të dy kandidatët gëzojnë mbështetje të njëjtë kur flitet për ekonominë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Daria Dieguts sjell më shumë hollësi.

 

Kandidati demokrat Joe Biden është i gatshëm të investojë 775 miliardë dollarë për përmirësimin e kujdesit për fëmijët gjatë dekadës së ardhshme. Arsimim parashkollor falas, përfitime nga taksat, subvencione qeveritare për prindërit – janë pjesë e planit ekonomik të zotit Biden. Zbatimi i tij po ashtu do të krijonte më shumë se 3 milion vende pune. Charles Jacobs është analist politik.

“Kemi shumë familje me dy prindërit që punojnë që gjenden në situata të vështira kur shtohen me fëmijë. Po ashtu ka edhe nga ata që kujdesen për prindërit e moshuar njëkohësisht. Politika të tilla si kjo kanë tendeca të jenë shumë tërheqëse për atë pjesë të shoqërisë që po vuajnë efektet stresuese të ekonomisë.”

Më herët, zoti Biden e vuri theksin e programit të tij tek mbështetja prodhimi brenda vendit, novacionet si dhe nismat e hartuara për të zhvilluar energji miqësore me mjedisin.Ekspertët thonë se synimi kryesor i zotit Biden është të sulmojë axhendën ekonomike të Presidentit Trump. Christina Greer është me Universitetin Fordham.

“Plani i ekonomik i zotit Biden duket të jetë gjithëpërfshirës për familjet. Kjo është mënyra e tij për t’u kujtuar familjeve amerikane që ata jo vetëm që kanë një krizë të shëndetit publik por edhe krizë ekonomike. Kur Donald Trump bëri betimin në vitin 2017, ekonomia ishte në gjendje të mirë.”

Sipas sondazheve të fundit, mbështetja e publikut për agjendën ekonomike të kandidatëve është pothuajse e njëjtë. Por shqetësimi kryesor i Presidentit Trump tani është mbështetja në shtetet fushë-beteja. Në këto shtete të pavendosura, anketat tregojnë se zoti Biden kryesonte me 10 përqind muajin e kaluar.

Megjithëse zoti Trump ka shprehur dyshime mbi besueshmërinë e sondazheve, ai ka bërë lëvizje brenda stafit të fushtatës së tij, thonë ekspertët. Pamundësia për të zhvilluar tubime po ashtu e ka dëmtuar fushatën e zotit Trump, thotë analisti Charles Jacobs.

“Përmes tubimeve të fushatës, ai ishte në gjendje të krijonte mbulime të gjëra mediatike dhe të krijonte një lloj niveli energjitik nëpër tubime për të krijuar përshtypjen enjë mbështetje me bazë të gjerë, jo vetëm për të si kandidat por edhe për politikat e tij.”

Sigurimi i rendit mund të bëhet tema kryesore e fushatës së zotit Trump mes përkeqësimit të situatës ekonomike, besojnë ekspertët. Presidenti ka kritikuar idetë e demokratëve për shkurtimin e fondeve për policinë, thotë analistja Christina Greer.

“Qasja e presidentit për zbatimin e ligjit është një lloj përpjekje e fundit që të sigurojë jo vetëm bazën e tij, por të fitojë edhe mbështetjen e të pavarurve dhe demokratët e lëkundur. Ne e dimë që shumë amerikanë të bardhë kanë idenë se sa në rrezik është vendi, pavarësisht nëse bazohen në fakte apo trillime. Shumica e amerikanëve aktualisht nuk jetojnë në lagje të rrezikshme.”

Tema e zbatimit të ligjit përdoret në mënyrë aktive në reklamat e zotit Trump. Buxheti i shpenzuar vetëm në një video është 20 milion dollarë – baraz me shpenzimet e zotit Joe Biden për të gjitha reklamat me video. (VOA/ Fotografia nga Gage Sigmore)

Comment

*