Johannes Hahn viziton Tiranën, do takohet me Metën dhe Ramën

Tiranë, 16 korrik 2018 – Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, do të nisë nesër vizitat në Shqipëri dhe në Maqedoni, për të diskutuar për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE.

Në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, Hahn bëri të ditur  se më 17 korrik do të nisë një tur ballkanik që nis me Shkupin e pastaj me Tiranën.

Gjatë vizitës do të sqarojë hapat që duhen ndërmarrë për procesin scrining për Shqipërinë dhe Maqedoninë, e cila do të shërbejë si një sfidë përgatitore për hapjen e negociatave në qershor 2019.

Në kryeqytetin shqiptar eurokomisioneri Hahn do të takohet me Presidentin Meta, me kryeministrin Rama dhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë.

Hahn nuk ka parashikuar takime me përfaqësues të opozitës. Në konferencën e shtypit në Bruksel, ai tha se do tw takohet edhe me përfaqësues të opozitës, nëse i premton koha.

Para vizitës, Hahn ka bërë të qartë se Shqipëria duhet të vazhdojë zbatimin e reformave dhe të plotësojë  5 prioritetet e përcaktuara për të marrë përgjigje pozitive në lidhje me negociatat.

Duke folur në lidhje me negociatat mes Shqipërisë e Greqisë, ai theksoi se BE “nuk do t’ia hapë dyert asnjë vendi që ka probleme me fqinjët”.

Gjatë vizitës në Shkup, Hahn do të zhvillojë takime me kryeministrin Zoran Zaev, me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, me përfaqësues të partive politike dhe me aktorë të shoqërisë civile e të  biznesit. Në axhendën e tij nuk është paraparë takimi i tij me Presidentin e Maqedonis, Gjoergje Ivanov, i cili refuzon të firmosë marrëveshjen me Greqinë për emrin e Maqedonisë. (r.m.)

Comment

*