Johannes Hahn në Shkup: Dera e BE-së është e hapur për Maqedoninë

Shkup, 17 korrik 2018 – Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Han, mbërriti sot në Shkup per nisjen e procesit të “screening-ut” për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Hahn mori pjesë në mbledhjen e qeverisë e pastaj pati një takim me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Hahn tha se Këshilli i Evropës e ka pranuar përparimin e Maqedonisë, ndërsa tani duhet që vendi të përgatitet për bisedimet me BE-në.

“Sot mund të jap disa lajme të mira për vendin tuaj, për integrimet euroatlantike. Dua t’ju uroj për ftesën që morët nga NATO. Është hap i madh, pasi qytetarët do të jenë më të sigurt dhe me më shumë perspektivë. Populli i këtij vendi ka treguar durim dhe tani jeni shembull për gjithë rajonin. Ju falënderoj për vendosmërinë tuaj. Unë do të angazhohem edhe më tej dhe do t’ju ndihmoj në çdo hap të ardhshëm”, tha Hahn, citon Ora News.tv.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të marrrij pjesë në referendum dhe të shprehin vullnetin e tyre për intehgrimin e vendit në strukturat evro-atlantike.

“Tani ju mbetet juve, qytetarëve që të vendosni për të ardhmen tuaj. Dera e BE-së është e hapur, juve ju mbetet ta shfrytëzoni këtë mundësi, duke marrë pjesë në referendum, sidomos të rinjtë. Është e rëndësishme të merret pjesë në referendum dhe të shfrytëzohet e drejta e votës. Bëhet fjalë për vendin tuaj dhe të ardhmen tuaj. Përparimin e Maqedonisë e ka pranuar edhe Këshilli i Evropës. Sot jam këtu që të fillojmë zyrtarisht procesin e përgatitjes për bisedimet me BE-në. Këto aktivitete zbatohen me gjitha vendet-kandidate, do të thotë nuk janë vetëm për Maqedoninë”, theksoi Hahn.

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev tha se tani është koha që Maqedonia të përgatitet për negociatat me Bashkimin Evropian.

“Maqedonia ka arsye të festojë, pasi do të fillojë bisedimet me NATO-n dhe BE-në. Më herët, me z. Hahn dhe znj. Mogherini jemi marrë vesh që të fillojmë të përmbushim kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Zaev.

“Siç kemi njoftuar, sot, me z. Hahn, i kemi definuar hapat e ardhshëm për procesin e skriningut për bisedimet me BE-në. Sot në mbledhjen e qeverisë, z. Hahn na njoftoi për procesin, ndërsa ne kemi marrë disa vendime: Bujar Osmani do të jetë shef i delegacionit që do të bisedojë me BE-në, Zoran Mariçiq do të jetë këshilltar i veçantë. Bisedimet me BE-në janë detyrë historike për gjitha institucionet”, theksoi ai.

Zaev i vlerësoi si suksese të Maqedonisë reformën në sistemin gjyqësor, reformën në administratë dhe marrëveshjet me Greqinë dhe me Bullgarinë.

Eurokomisioneri Hahan, pas përfundimit të takimeve në Shkup, do të udhëtojë drejt Tiranës, ku do të takohet me Presidentin Meta, me kryeministrin Rama dhe me drejtues të institucioneve tjera shtetërore. (r.m.)

 

Comment

*