John McCain bëhet gati të thotë: Lamtumirë!

Senatori i shquar amerikan ndërpret trajtimin mjekësor për sëmundjen fatale në tru

Familja e Senatorit John McCain tha se senatori i Arizonës ka zgjedhur që ta ndërpresë trajtimin mjekësor për kancer në tru.

Përmes një deklarate, familja McCain tha se ai deri tani i ka tejkaluar pritshmëritë për mbijetesën e tij, por “përparimi i sëmundjes dhe mosha e avancuar janë faktorë të pandalshëm. Me forcën e vullnetit që e karakterizon, ai ka bërë zgjedhjen e tij, që ta ndalojë trajtimin mjekësor.”

81-vjeçari McCain është në mandatin e tij të gjashtë si Senator i Arizonës, por ai nuk është paraqitur në punë që nga muaji dhjetor.

Me daljen e lajmit që zoti McCain ka ndaluar mjekimin për kancer në tru, një numër i madh njerëzish i kanë çuar atij mesazhe respekti. Guvernatori i Arizonës Doug Ducey e cilësoi zotin McCain “një hero amerikan”, i cili kurdoherë ka vënë vendin në plan të parë. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell tha se “ne lutemi për familjen McCain në këto kohë tepër të vështira për të.” (VOA)

Comment

*