Jozefina Topalli rikthehet në politikë me partinë e re, Lëvizja për Ndryshim

Prishtinë, 29 tetor 2020 – Jozefina Topalli, ish kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe një prej figurave qendrore të Partisë Demokratike deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, iu rikthye jetës politike active.  Të mërkurën në mbrëmje, ajo e promovoi forcën e re politike “Lëvizja për Ndryshim“.

Zonja Topalli, kundërshtare e hapur e kryetarit aktual të PD-së Lulzim Basha, e cila nuk ishte përfshirë në listën e kandidatëve të kësaj partie për deputetë, së bashku me disa figura të tjera të PD-së, gjatë viteve të fundit është shfaqur vetëm përmes deklaratave apo qëndrimeve personale ndaj zhvillimeve të ndryshme politike.

Ndërsa para mbështetësve të saj, kryesisht të rinj dhe njerëz të paangazhuar më parë në politikë, tha se kjo forcë politike ka përpara një punë “të papërpunuar“.

“Kemi përpara një punë të papërfunduar, të nisur dekada më parë. E vendosur për të mos qëndruar anash, për të mos heshtur, për të mos patur frikë, sot jam bashkë me këta të rinj për t’i mbështetur në kauzën e tyre patriotike drejt një projekti të ri”, tha ajo, citon Zëri i Amerikës.

Zonja Topalli bëri të qartë se ka vendosur të hyjë në një betejë me forcat kryesore politike në vend.

“Tre kryetarë nuk mund të mbajnë peng 3 milionë shqiptarë. Nuk duhet të ketë një Shqipëri të Ramës, një Shqipëri të Metës e një Shqipëri të Lulit. Shqipëria është vetëm e shqiptarëve. Dhe këta të fundit nuk mund të dorëzohen. Ata duhet ta rifitojnë atdheun e tyre”, theksoi ajo.

“Këta të tre veprojnë sikur Shqipëria është prona e tyre, ekonomia e vendit është ndërmarrja e tyre dhe shqiptarët rrogtarët e tyre. Ata vendosin se kush duhet të bëjë biznes me ata, kush duhet të punojë, kush jo, ku duhet të punojë, sa duhet të marrë, kush duhet të jetojë e punojë në Shqipëri dhe kush duhet të iki! Praktikisht vendi është pa alternativë”, theksoi ajo në prezantimin e nismës së re politike.

Zonja Topalli tha se vendi ndodhet përpara vështirësive të mëdha, siç u shpreh, “ku nuk ka as qeveri as opozitë të besueshme; ku qytetari nuk ka ku të gjejë drejtësi sepse nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të lartë; ku Gjykata administrative është afër kolapsit dhe ata të shkallës së parë kanë degraduar…Por mos të pretendojmë se gjërat ndryshojnë nëse vazhdojmë t’i bëjmë në të njejtën mënyrë”.

“Unë nuk kam as para, as vende pune për të ofruar. Ju ofroj vetëm sfidë! Nuk kam asnjë pushtet. Kam përvojën e nevojshme, vullnetin e palëkundur dhe besimin e patundur për të kontribuar që ky vend të bëhet. Kam frikë se nesër do jetë vonë. Koha është tani”, theksoi ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.

Forca e re politike e zonjës Topalli, pason të paktën tri forca të tjera të lindura nga përplasjet në Partinë Demokratike. Vitin e kaluar, ish nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, së bashku me disa ish-anëtarë të kësaj partie dhe ish-anëtarë të forumeve drejtuese të sa, e themeluan partinë “Bindja Demokratike“.

Edhe dy deputetët Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi, të cilët nuk iu bindën vendimit të opozitës për ta braktisur parlamentin, kanë njoftuar për krijimin e partive të reja.

Gazet ”Rilindja Demokratike”, organ zyrtar i PD-së, i ka cilësuar si “kukulla të Ramës”, ish-anëtarët e kësaj partie që themeluan forca të reja politike.

Zonja Topalli tha se kjo tregon se fushata kundër forcave të reja politike është sinjal i panikut.

“Praktikisht fushata ka nisur, por më shumë se kundra qeverisë është kundra Lëvizjes që ende nuk ka lindur. Dhe më shumë se fushatë, është histeri nga paniku”.

(r.m.)

Comment

*