Ju lutemi: Mos lëndoni plagët tona të hapura!

Prof. Sami Repishti

Sami Repishti, PhD.

Ridgefield, CT. – Vëllazën, motra: ju lutemi mos lëndoni plagët tona të hapuna, sepse me thye zemrën e nji viktime të pafajshme ashtë dështimi ma i madh në jetë!
Sot me deklaratën e KM Rama: “Im atë po, ka qenë komunist, dhe si shumë të tjerë komunistët kanë qenë në anën e duhur të historisë” ai ka dështue në mënyrë të pareparueshme. Ky ashtë gjykimi i nji zemre të thyeme nga vuejtjet e rregjimit komunist 45 vjeçar në Shqipëri që NUK ka qenë “…..në anën e duhun të historisë!
Sot, ju lutem për shumë arsye; ajo ma kryesorja sepse plagët tona janë ende të hapuna. Akoma rrjedhin gjak, akoma nuk sherohen, sepse në vendin tim e të parëve të mi, qeveri mbas qeverie nuk kanë lejue shërimin e dëshirueshëm, qoftë për mungesën e nevojshme, urgjente dhe humanitare, me kuptue thellësinë e këtyne plagëve, qoftë për frymën e hakmarrjes së ushqyeme me kujdes shkencor të nji sistemi politik kriminel mbështetun në urrejtje, dhunë e mashtrim.
E kam fjalën për tragjedinë e shekullit njizetë, komunizmin “ndërkombëtar” të ndertuem në ish Rusinë cariste, e në Bashkimin Sovietik, e fatkeqsisht edhe në Shqipërinë tonë ma vonë, nji ndermarrje kriminale që synonte “fitoren finale të pansllavizmit” në botë. Akoma sot më kujtohen fjalët e humanistit Karl Marx që mbasi vizitoi Rusinë cariste të viteve 1840-ta, si korrespondent londinez i fletores së vjetër The New York Daily Tribune, arriti përfundimin e pakundërshtueshëm të aventurës politike ruse të dominimit botënor:
“ Politika ruse ashtë e pandryshueshme. Metodat, taktikat, manovrimet mund të ndryshojnë; por Ylli Polar i politikës ruse – me sundue mbi të gjithë botën- ashtë nji yll i fiksuem. Ka vetëm nji mënyrë me trajtue nji fuqi të madhe si Rusia, dhe kjo mënyrë ashtë rruga që nuk njeh frikën”. (“Raport mbi politikën e Lindjes” riprodhue në The New York Times, 10 Maj 1972, faqe 43).
Komunistët shqiptarë përqafuen politikën ruse jo” në anën e duhur të historisë!”
Kjo politikë ruse vazhdon edhe sot! “Drejtori i FBI-së, (SHBA), Christopher Wray paralajmëroi ligjëvenësit se Rusia nuk heq dorë nga përpjekjet për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve të 3 nentorit (2020), duke u munduar të dëmtojë shanset e fushatës së kandidatit demokrat, ish nën-presidentit Joe Biden, një përfundim që duket se nuk po i shkon për shtat Presidentit Donald J. Trump”.(VoA, 18 shtator 2020)
Që në fillim të ekzistencës së tij në arenën ndërkombëtare me revolucionin e vitit 1917 në Rusinë cariste deri me ndryshimet e vitit 1989 e çthurjen e imperatorisë sovjetike me 1991, prania në arenën ndërkombëtare e komunizmit si parti politike dhe instrumenti i saj, “shteti sovjetik”, si “organ-fasadë publike Bashkimi Sovjetik”, jemi dëshmitarë të përpjekjeve të vazhdueshme të Kominternit sovjetik me nenshtrue popujt tjerë me anë të revolucioneve gjakatare në shumë vende të Europës, model i të cilëve ka qenë revolucioni hungarez i vitit 1918, i kryesuem nga terroristi ndërkombëtar, Bakunin; kryengritjet e Poznanit dhe Berlinit, 1953, ajo hungareze 1956 u shtypën simbas doktrinës Krushçev që nuk lejonte frymëmarrje të lirë; si dhe nji proces, sidomos që nga viti 1980, i nji disintegrimi të mbrendshëm- nga 16 ish-republikat “sovjetike” të inkuadrueme me dhunë, trazime që sollën pavarësinë e plotë nga nji “federatë” e imponueme me dhunë, proces që u konkretizue me reformat rranjësore të Presidentit Mikhail Gorbaçev, Me 26 dhetor 1991, Sovieti Suprem vendosi shpërndamjen e Bashkimit Sovjetik.
Gjatë gjithë kësaj periudhe 74 vjeçare, komunizmi u tregue nji sistem politik policor i cili në esencë udhëhiqej nga nji program rritje të vazhdueshme terroriale, qoftë me propagandë mashtruese qoftë nga presioni ushtarak para, gjatë, dhe mbas Luftës 2 Botënore. Ky qendrim “…nuk ka qenë në anën e duhur të historisë!
Nënshtroja ideologjike e politikës sovjetike u demaskue plotësisht në gusht 1939 me Traktatin e përfunduem me Gjermaninë hitleriane, që solli ndamjen e shtetit polak (për të katërten herë në histori nga Rusët!),nji grabitje kriminele e pavarësisë dhe territorit polak. Në përfundim të Luftës 2 Botënore, Polonia u riformue, por Bashkimi Sovjetik refuzoi kthimin e territorit polak. Në vitin 1940, Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën e vogël që rezistoi heroikisht dhe u detyrue me dhanë territore tjera fqiut grabitçar.
Ky akt “….nuk ka qenë në anën e duhur të historisë!”
Me 22 qershor 1941, Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik pa provokim. Ashtu si Napoleon Bonaparti 127 vjet ma parë u gabue tue mos llogaritë vështirësitë e dimnit “gjenerali ma i mirë rus”. Patriotizmi i popujve të Bashkimit Sovjetik rezistoi me heroizëm. Në këte situatë shumë kritike, erdhi ndihma ushtarake e fuqive perëndimore, Anglia dhe SHBA-ja, potenciali industrial e ushtarak i të cilëve ishte i pakrahasueshëm. U krijue kështu boshti i aleancës anti-hitleriane, Koalicioni anglo-sovjeto-amerikan, që përfundoi me fitoren finale të 5 maj 1945!
Bashkimi Sovietik dhe Jugosllavia e Titos kane qenë dy vende fitimtare që okupuen territore të hueja, si “shperblim” i sakrificave të luftës, nji metodë e vjetrueme kolonialiste. Shtetet kufitare të Europës lindore ranë nen influencën ruse, me ndihmën e partive komuniste vendëse që luejtën rolin e “kalit të Trojës”, sherbëtorë servilë të padronit sovjetik, dhe krijuen kampin e shteteve socialiste – nji grup shtetesh satelite të komandueme nga Moska. Jugosllavia fitoi territore nga Italia e Austria.
Nji akt i këtill “…nuk ka qenë në anën e duhur të historisë! “
Për afër dyzetë e pesë vjet, gjysma e Europës vuente nën kambën ruse, e shkëputun nga bota perëndimore, dhe arritjet e saj. Vendet e okupueme të Europës Lindore u quejtën “the captive nations” (kombet e robënueme”). Nji nga ato ka qenë deri në fund edhe Shqipëria e jonë, viktimë e katastrofës kontinentale, si rezultat i veprimtarive klandestine, terroriste dhe pozitës poshtënuese të nënshtrimit të pranuem nga udhëheqsit servilë të ashtu-quejtunës Partia Komuniste Shqiptare, ma vonë Partia e Punës së Shqipërisë. Nji grup aventurierësh, agjentë të Kominternit Sovietik, dhe të Partisë Komuniste Jugosllave që në fillim mori në duer përfaqsimin e Shqipërisë në botën e jashtëme, ndërpreu marrëdhanjet tona me SHBA-në dhe Anglinë, nji akt që izoloi vendin tonë nga bota e jashtëme. Oferta e ndihmës së Planit Marshall u denoncue nga Moska dy ditë para se të bahej zyrtarisht nga Tirana. Gjatë Konferencës së Parisit, KM Enver Hoxha KM i Shqipërisë, nuk qendroi në nji hotel, por në banesën e Ambasadës jugosllave në Paris, tue inkurajue kështu akuzat e nji nënshtrimi politik të vendit. Andrra e Shqipërisë së pavarun u vra nga komunistët!

 

Në këté vorbull të zhvillimeve ndërkombëtare, Shqipëria hyni nga pozita të dobëta. Mungesa e rezistencës serioze-jo simbolike-, në plazhet e bregdetit shqiptar me 7 prill 1939 tregoi dobësinë e sistemit monarkist shqiptar, dhe paaftësinë e nji elite shqiptare me organizue nji popull emocionalisht i përgatitun me rezistue. U humb kështu nji rast i veçantë me tregue traditën e trashëgueme gjatë shekujve: me mbrojtë lirinë, pavarësinë dhe integritetin tokësor të atdheut shqiptar. Sakrifica e kapterit Mujo Ulqinaku dhe e nji grupi ushtarësh e vullnetarësh nën komandën e Majorit Abas Kupi nuk mjaftuen me krijue përshtypjen e nji rezistence serioze!
Kjo e metë rrjedh edhe nga fakti se mbas vitit 1912, Shqipëria nuk u konsolidue si shtet i të gjithë shqiptarëve që jetojnë në nji atdhe të përbashkët, por mbeti nji grumull fisesh e zona nën influencën e “prijësve’’ lokalë, me pushtet të kufizuem mbrenda territorit ku njihej “autoriteti” i tyre. Mbështetja e popullsisë ndaj “bajraktarit” nuk kalonte kufijtë e provincës së “fisit” . Kjo mungesë u tregue ma e theksueme ditën e 7 prillit para disorganizimit të ushtrisë invaduese italiane. Lavdia mbeti në duert e Greqisë me qendresën e saj gjashtë mujore (tetor 1940-prill 1941). Rezistenca greke shkaktoi pezullimin e ofensivës gjermane kundër Rusisë deri me datën 22 qershor 1941. Koha e humbun nga nazistët u ba faktor me randësi në planet ushtarake gjermane me arrijtë Moskën para ardhjes se dimnit të plotë, dhe rezultoi në dështimin e parë ushtarak nazist në fushën e betejës europiane. Greqia u ba “the darling” e botës anti-fashiste, dhe siguroi nji pozicion të favorshëm mbas lufte, që përdoroi edhe kundër Shqipërisë.
Në Shqipëri, kolaboracioni me pushtuesin u ba nji fakt i ditës, dhe shteti shqiptar u transformue në nji administratë pa perspektiva politike. Emnimi i Dr. Omer Nishanit, ish anëtar i Këshillit Fashist Korporativ në Shqipëri, në vitin 1945, në postin e presidentit të Shqipërisë komuniste, la vendin e hapun për sulmet greke në Konferencën e Paqës, Paris, 1946.
Me 22 qershor 1941, gjendja ndërkombëtare pësoi nji ndryshim radikal. Kominterni në Moskë mobilizoi të gjitha agjenturat e simpatizuesët e Bashkimit Sovietik dhe filloi luftën e armatosun të udhëhequn nga partitë komuniste vendëse, Åshtë fakt i pamohueshëm se komunistët shqiptarë kanë mirëpritë Traktatin sovjeto-nazist te vitit 1939 si “nji akt historik” që bashkoi “punën kundër kapitalit” kryesisht Franca, Ånglia e SHBA, prandej nji hap në drejtimin e duhun për proletariatin. Deri me 22 qershor 1941, asnji pushkë nuk ashtë zbrazë kundër fashisto-nazistëve. Mbas vendimit të Kominternit filloi mobilizimi për kryengritje në të gjithë Europën. Deri në ate ditë barra e randë e luftës kundër Gjermanisë mbeti në krahët e Britanisë së Madhe sidomos mbas kapitullimit të Francës, qershor 1940. Britania e Madhe e udhëhequn nga KM W. Churchill meriton mirënjohjen e botës mbar për qendrimin e saj heroik!
Në Shqipëri ky qendrim u muer në nandor 1941 me formimin nga agjentët jugosllavë, M.Popoviq dhe D. Mugosha, të “Partisë Komuniste Shqiptare”. Në atë kohë, PKSH kishte 108 anëtarë. Konfuzioni në mes të anëtarëve ka qenë i madh. Edhe ardhja e fashizmit në Shqipëri u konsiderue si nji hap përpara në ndertimin e Shqipërisë komuniste. Fashizmi, u tha atëherë, do të industrializojë Shqipërinë, do të krijojë klasën punëtore bazë e revolucionit socialist, në nji vend ku nuk ekzistonte.
Me nderhymjen e “shokëve” jugosllavë, kryesisht Popoviq e Mugosha u vendos disiplina e hekurt ushtarake në rradhët e PKSH-s, u imponue programi, u ba e detyrueshme bindja e verbët dhe u pranue pa diskutim nevoja absolute për bindje -“pa hezitim, pa kondita, pa rezerva me punue dhe me luftue për Bashkimin Sovjetik dhe shokun Stalin-“. PKSH u çfaq në fillim si lëvizje Nacional-Çlirimtare e Shqipërisë si dhe Fronti Demokratik simbas udhëzimeve jugosllave. U krijue nji front i përbashkët lufte me elementë të “rezistencës”, front që u mbajt deri në gusht 1943, kur PKSH e ndjeu veten të fortë mjaft me imponue me forcën e armëve programin e vet mbi të tjerët. Në këte atmosferë u zhvillue dhe deshtoi Mbledhja e Mukaj, gusht 1943, në dam të interesave shqiptare. Nga këtu deri në ditën e “çlirimit” 28 nandor 1944, PKSH ndërmori nji fushatë gjithëshqiptare për eliminimin e elementit kundërshtar, ose të pakënaqun,. Mbasi mori në dorë pushtetin absolut të vendit, shpronësoi latifondistët dhe tregëtarët me taksa të jashtëzakonshme, dhe sidomos filloi koordinimin e përbashkët ekonomik të Shqipërisë si aneks i ekonomisë kombëtare jugosllave me rrjedhime katastrofike. Patriotizëm komunist!
PKSH u nënshtrue para Lidhjes Komuniste Jugosllave, dhe pranoi programin për bashkimin me Jugosllavinë e Mareshalit Tito. Sekretari i përgjithshëm i PKSH, Enver Hoxha, pranoi se ky post ishte i Mareshalit Tito, dhe se ai ishte sekretar i parë i Republikës ashtu si ishin sekretarët e parë të gjashtë republikave socialiste jugosllave. PKSH nuk kishte lidhje direkte me PK të Bashkimit Sovjetik, por nepërmjet Beogradit, nji nensatelit i satelitit jugosllav. Në këto ditë konfuzioni politik afër tremijë rekrutë kosovarë u masakruen në afërsitë e qytetit TIvar, Mal i Zi,. Lajmi u mbajt i fshehtë. Ministria e Jashtëme shqiptare ruen këte dokument: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatue në masë. Ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur me cilësinë e Ministrit të Mbrendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së të pushkatojshin pa gjyq në tokën shqiptare ma shumë se 1.000 kosovarë të pafajshëm (Arkivi i MPJ të Shqipërisë, Dosje 191,1949)
(Në të vertetë, kur UDB-ja bani masakrat e Tivarit, Ministër i Punëve të Mbrendëshme ka qenë “anadollaku”H axhi Lleshi jo Koçi Xoxe. I pyetun për këte Lleshi pergjegji: “Të gjithë kanë qenë reaksionarë. Përsëri do të veprojshe nji lloj”)
Kjo nuk ishte “…në anën e duhur të historisë”.
Aq e plotë ka qenë varësia e PKSH ndaj LKJ sa që në bashkëbisedimet Roosevelt-Churchill, Yalta 1945, presidenti amerikan bani pyetje:”Ç’të bajmë me Shqipërinë”? Churchill u përgjegj se Shqipëria ashtë plotësisht e varun tek Jugosllavia. Tito do të shqetësohej në se ndërhyjmë në nji fushë që ai e konsideron si të tijën. dhe interesat tona janë për nji miqësi me Titon..…
Në fakt, Shqipëria filloi përpunimin e planeve të zhvillimit ekonomik si nji aneks i ekonomisë jugosllave. Në fillim, të gjitha rezervat me mallna të kohës së luftës u konfiskuen dhe u derguen në Jugosllavi në shkembim të nji sasie misri të dorës së fundit për ushqimin popullor. Planet ekonomike të përbashkëta parashikonin edhe parifikimin e monedhës dy herë ma të fuqishme shqiptare me dinarin jugosllav. Jeta në vend u keqësue aq shumë sa që filluen raste të urisë në popullsi që u përmbajtën nën kamxhikun e Policisë dhe sidomos të Sigurimt të Shtetit. Viktima kryesore e këtij orientimi skllavërues ka qenë Nako Spiru që paralajmëroi Qeverinë e Tiranës për rrjedhimet shkatërrimtare të kësaj politike.
Me prishjen e marrëdhanjeve sovjeto-jugosllave, qershor 1948, Mareshali Tito siguroi pavarësinë e Jugosllavisë. Shqipëria ra plotësisht në pozitat e shtetit ma të vogël dhe ma të vorfën të kampit socialist. Si rezultat, qindra teknikë dhe jo teknikë, sovjetikë mbuluen boshllekun e lanun nga largimi i dhunëshëm i elementit jugosllav. Shqipëria u ba anëtare e Traktatit të Varshavës, 1949, dhe pjesë e kampit ushtarak që u formue kundër formimit të NATO-s në Perëndim. Me nji gjest të këtill varësie të plotë, Shqipëria e izolueme nga bota rrezikoi ekzistencën e vet. Ardhja e instruktorëve ushtarakë sovjetikë, ndertimi i aeroporteve ushtarake (me fuqi punëtore të burgosunit politikë!) dhe paisja për nëndetëse e Pashalimanit, Vlorë, u banë objektiva ushtarake, dhe sulmi nuklear në rast konflikti në Europë. Botime amerikane nënvizojnë dy objektiva: “Bllokun”, lagjen e udhëheqësve në Tiranë, dhe bazën detare Pashaliman të Vlorës.
Kjo nuk ka qenë “… në anën e duhur të historisë!”
Me “ndihmën sovjetike” PKSH, -tashti Partia e Punës së Shqipërisë- PPSH -ndërmori nji program të industrializimit të vendit me sakrifica të mëdha Mospërfillja e bujqësisë, si dega e parë e ekonomisë së vendit shkaktoi vështirësi në furnizimin me prodhime të jetës së përditëshme. Pakënaqësia e popullit u shtyp, pa mëshirë nga maqina mishngranëse e Sigurimit kriminel. Burgjet e kampet e internimit u shumëzuen, e Shqipëria u ba nji “burg i vertetë për të gjithë!” Parulla e dites: “Edhe bar do të hajmë, por socializmin nuk e ndryshojmë!”
Kjo, nuk ka qenë “…në anën e duhur të historisë!”
Prishja e marrëdhanjeve “vëllazrore” me Bashkimin Sovjetik pruni perpjekjet e Shqipërisë me gjetë “përkrahje” të re. Ishte momenti kur Kina e Mao-s ishte përqendrue në anëtarsimin në OKB-në -ku deri tani përfaqsohej nga Formosa/Taiwani) secessionist. Shqipëria e izolueme nga bota përfitoi nga ky eveniment dhe u vue në sherbim të kauzës kineze. Kina e Mao-s u ba anëtare permanente e Këshillit të Sigurimit dhe filloi furnizimin e Shqipërisë me industri të lehtë. Si rezultat i kësaj aventure politike, Shqipëria kaloi nepër tri faza nënshtrimi politik: nensatelit jugosllav, satelit sovjetik, dhe aleat minor i Kinës komuniste për disa vite me përfundue në izolim dhe vorfëni te përherëshme.
Kjo nuk ka qenë “…në anën e duhur të historisë!”
Me lëvizjet historike studenteske të Dhetorit 1990, ndërtesa e kalbun e rregjimit kriminal komunist në Shqipëri u thye për arsye të krimeve të panumërta të kryeme nga ai rregjim gjakatar që u dorëzue pa asnji pushkë…!, U priste nji valë hakmarrje nga ish të persekuemët , që në Shqipëri donte të thoshte i gjithë populli i përndjekun pa mëshirë.
Nuk ngjau! Ajo që dëshmuem të gjithë ka qenë mungesa e nji fryme hakmarrëse që rrjedh nga urrejtja. Për fatin e madh të popullit tonë, rrugët e sheshet e Shqipërisë nuk u mbuluen me gjak, ashtu siç ngjau me 28 nandor 1944…..Na nuk kerkuem varjen në litar të Byrose Politike. U derdhën lotë, por ishin lotë gëzimi që solli çlirimi i vendit nga diktatura e proletariatit, monstruoziteti ma i madh i shekullit njizetë. Nuk u vra njeri, nuk u var në litar njeri, nuk u burgos njeri, nuk shkoi në kampe internimi nji familje e vetme, dhe jeta filloi ritmin e nji shoqënie të qytetnueme. U këput zinxhiri i hakmarrjes e kunder-hakmarrjes që ndoqi vendin tonë për dekada të gjata. Bota shqiptare filloi me marrë frymë pa frikë dhe me punë të evitoj urinë, pa frikë. Kjo fitore historike ashtë vepra madhore e “Reaksionarëve”….të persekutuem!
Për këte fitore të madhe historike, na, ish të persekutuemët jemi kryenaltë! Këte shembull historik, urojmë ta kthejmë në nji traditë morale dhe patriotike që na nderon para vehtes sonë dhe para botës së qytetnueme. Na jemi sot brumi i shoqënisë së re, pa peshën e krimit të kryem mbi popullsinë e pafaj, the pionerë të nji shoqënie të re: të lirë nga frika dhe të lirë nga uria!
Kjo ashtë merita e jonë e madhe! Dhe kjo, o ju të mashtruem e të indoktrinuem nga ideologjia komuniste ka qenë dhe do të mbetet në anën e duhun të historisë!
Fitorja e jonë ashtë fitorja permanente e shpirtit shqiptar, dhe trashëgimi ma i pasun që do të gëzojnë breznitë ardhme shqiptare…!
Z. Kryministër:
Në fillim të këtij shkrimi theksova lutjen tonë të mos lëndohen plagët tona të hapuna, dhe në perfundim të këtij shkrimi përsëris lutjen tonë. Mos harmoni se nji kalvar i vertetë 45 vjeçar ashtë përjetue nga nji popullsi disa miljonëshe nen tiraninë e murtajës komuniste. Mijëra të pushkatuem pa faj, të arrestuem, të torturuem, të gjykuem e të burgosun pa faj, të shpronësuem pa të drejtë me plotësue dëshirat satanike të udhëheqësve injorantë e maniakë komunistë, ose me plotësue forcën punëtore të nevojitun nga projektet e çmenduna . Për 45 vjet me rradhë u përjetue gjendja ekonomike e padëshirueshme me të meta për nevojët thelbësore, jetike, në heshtje nën kërbaçin e policit të kuq.
Në vitin 1991, Shqipëria kishte vetëm shtatë ditë bukë rezervë,…. mbas nji punë kockëthyese pesë dekadash. E tmerrshme!
Sot, në çdo shtëpi, lagje e katund ka zemra që vajtojnë, të thyeme nga vuejtjet e padurueshme të terrorit qeveritar e politik komunist. Sot, në çdo votër shqiptare kujtohen me dhimbje viktimët e kësaj vuejtje që akoma randon mbi kurrizët e tyne. Ajo që pritej, sidomos nga autoritetet e nalta që qeverisin vendin tonë, ashtë të paktën nji fjalë ngushëllimi, nji përkdhelje për fëmijt pa prindë, për të vejat pa burrë, për prindët pa djalin e pa vajzën të zhdukun në qelitë e errëta mesjetare të Sigurimit kriminel…. e kampe përqendrimi. Kur kjo nuk vjen, dëshprimi arrin kulmin. Mendoni, ju lutem, si ndjehen këto vëllazën e motra tona të së vetmes racë njerëzore, shumë prej tyne akoma të sakatuem mendërisht e fizikisht- kur lexojnë gjykimet e Kryeministrit se kriminelët komunistë kanë qenë në anën e duhur të historise! E na, të gjithë kundërshtarët e rregjimit kemi qenë në anën e gabueme të historisë……
E pabesueshme! Makabre! Zbritje në fundin e ferrit dantesk!
Mijëra të tjerë si unë, kemi zemrën e thyeme pa sherim! Babaj viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë viktimë e terrorit nazist; nana, motra e vëllau minoren, víktima të rregjimit komunist të internuem në Berat e Tepelenë, …aty ku motra ime 14 vjeçare u detyrue me tërheqë karrocën e bukës për policët në tatpjetat e rrugës, …. në vend të kalit!; dhe unë i arrestuem, torturuem e i burgosun për dhetë vjet të gjata sepse deklarova besnikërinë time për demokracinë liberale perëndimore; shtëpinë e zanun nga të huejtë…… e tjera.!
Dëshiroj të veçoj nji rast: ditën e “lirimit”nga burgu, në mbramje, nana plakë e shqetësueme, më tha: “Nuk kemi të holla me ble bukën..!…
Ishte dita e ime e parë në …..’liri!’
———————————————————————————————————-

Ish i burgosuni Sami Repishti është ndoshta personaliteti më i shquar dhe më i urtë që shqiptarët kanë sot në SHBA. Sami Repishti është i dënuar politik, i arratisur nga Shqipëria në kohën kur komunistët gëzonin pushtetin”.

Comment

*