JUSUF ZENEL BAJRAKTARI, ISHTE NJË ARSIMTAR DHE VEPRIMTAR I DASHUR PËR KOSOVËN

Harry Bajraktari

Jusuf Bajraktari 1937- 2020.

Sot, nga vendlindja ime, Vranoci, mora lajmin e hidhur për vdekjen e Jusuf Zenel Bajraktarit, kushëririt tim, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi arsimimit të shumë brezave në shkolla të ndryshme të Kosovës dhe lirisë së saj.

Me Jusuf Bajraktarin në kullën e Emin Bajraktarit në Vranoc, 2019.

Jusuf Z. Bajraktari qysh si fëmijë, në moshën tetëvjeçare mbeti jetim. Babain e tij Zenel Bajraktarin së bashku me Hajdin Zekën, Sadik Ramën e Fazli Ramën në vjeshtën e vitit 1944 i nxorën nga shtëpitë e tyre partizano-komunistët dhe pas shumë torturave që ushtruan mbi ta në burgun e Pejës, një muaj më vonë, i ekzekutojnë, ndërsa trupat e tyre i zhdukën. Edhe sot pas gjithë këtyre viteve të kaluara, nuk janë gjetur asnjëherë eshtërat e tyre, që ta kishin një varr. Me ta u mor edhe Metë Bajraktari, babai im, por për shkak të moshës së re, pas dy javësh lirohet.

Në shtëpinë e Metë Bjraktarit në New York, nga e majtë: Qerim, Metë dhe Jusuf Bajraktari, 1996.

Jusuf Zenel Bajraktari, i mbetur jetim, pa babain e tij, me shumë peripeci e vuajtje u nis rrugës së shkollimit, që e shihte si të vetmën dritë në atë kohë të errët ku sundonte terrori komunist në Kosovë. Regjimi i asaj kohe i komanduar nga OZN-a dhe UDB-ja, familjet e mëdha dhe të zëshme për çështjen e atdheut, i kishin në shënjestër të vazhdueshme. Këtë fat të keq e kishin edhe shumë familje të tjera në Vranoc dhe Lug të Baranit.
Jusuf Zenel Bajraktari pasi e kreu shkollën fillore në Baran, ndoqi mësimet në Normale të Pejës dhe në Gjakovë e Prizren. Mirëpo, për shkak të kushteve të dobëta ekonomike, ai u detyrua të ndërpresë shkollimin e rregullt dhe të dalë si mësues. Në fillim ai inkuadrohet në fshatin Zhebel të Gjakovës, pastaj punoi në shkollën fillore të Kryshecit, ndërsa ai vetë ndiqte mësimet me korrespodencë për kualifikim. Jusufi i cili kishte një dashuri të madhe ndaj arsimimit, në rrethana të tilla, diplomohet. Ai fillon punën në Shkollën Fillore “Vëllezërimi” në Baran, si arsimtar i matematikës.
Më 1986, duke marrë parasysh punën e tij në edukimin e gjeneratave të reja, zgjidhet drejtor në shkollën e Baranit, ku me shumë dinjitet e përgjegjësi e udhëheqi këtë instucion të arsimit, në kushte tejet të vështira gjatë viteve të 90-ta kur regjimi serb ushtronte dhunë për mbylljen e shkollave shqipe. Ai gëzonte një autoritet të madh tek populli i Lugut të Baranit dhe më gjerë. Ishte i dashur dhe i përkushtuar ndaj lirsë dhe pavarësisë së Kosovës.
Për autoritetin që kishte, ai zgjedhet deputet i Asamblesë komunale në Pejë. Për shkak të babait të tij Zenelit dhe veprimtarisë shumëvjeçare që kishte zhvilluar si arsimtar dhe veprimtar për Kosovën e lirë, në prill të vitit 1992 ftohet nga Sekretariati i Punëve të Brendshme në Pejë, ku aty keqtrajtohet brutalisht nga organet e sigurimit serb. Po të njëjtin vit, pas dy muajsh, ftohet përsëri dhe trajtohet mizorisht deri në alivanosje. Në një gjendje të tillë të alivanosjes nxirret jashtë ndërtesës së sigurimit. Aty gjenden dhe e marrin Ali Brahim Bezera i Raushiqit dhe Ali Ramë Krasniqi i Baranit të Epërm dhe e dërgojnë në spital, ku qëndroi plot një muaj për shërim.

Në vitin 1992-1993, për shkak se i rrezikohej jeta e tij nga regjimi i Millosheviqit, ai detyrohet të shkojë jashtë Kosovës në Lublanë, tek Brahim Sadria i Kosturiqit, i cili asaj kohe punonte në Lublanë. Në Slloveni kishte kontakte me disa deputetë të Kuvendit të Kosovës që ishin strehuar atje pas miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut.

Për punën e tij si arsimtar dhe veprimtar i dalluar, Jusuf Zenel Bajraktari, mori mirënjohje me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të Shkollës së Parë Shqipe në Vranoc.

Viteve të fundit të pas luftës, kam qenë shumë i lidhur me të. Sa herë që udhëtoja për Kosovë e takoja dhe bisedat me të ishin një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua, se ai e dinte mirë historinë e Lugut të Baranit dhe ngjarjet e përgjakshme që kishin ndodhur në të kaluarën.

Jusuf Zenel Bajraktari ka ndihmuar babain tim që të vinte në Amerikë. Babai im Meta, dhe unë gjithnjë kemi qenë mirënjohës ndaj tij dhe gjithmonë kemi qenë afër njëri-tjetrit.

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës z. Atifete Jahjaga, me rastin e 7 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me “Urdhërin e Lirisë” dekoroi martirët e kombit Sali Rexhë Bajraktarin nga Vranoci, Arif Halil Shalën nga Poçesta dhe Zenel Binak Bajraktarin nga Vranoci, për jetën e tyre të flijuar për lirinë e Kosovës. Dy martirët e parë u pushkatuan në vitin 1913 nga ushtria dhe xhandarmëria e Malit të Zi, sepse kundërshtuan ndërrimin e kombit dhe të fesë në Lugë të Baranit, ndërsa Zenel Binak Bajraktari u ekzekutua pa gjyq në vjeshtën e vitit 1944 nga udhëheqja komuniste serbe në Pejë.

Jusufi la pas tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë: Dorjanin, Dorentinin dhe Dorontinën.
Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij për humbjen e rëndë, dhe të mburren me të që e patën.

Shpirti i tij pushoftë në Paqe!
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Presidentja e Kosovës, Atfete Jahjaga duke i dorëzuar Jusuf Bajraktarit “Urdhërin e Lirisë” për babain e tij Zenel Bajraktarin, si martir i Kosovës, 2015.

Kongresisti dhe miku i shqiptarëve, Eliot Engel, i uron Jusuf Bajraktarit “Urdhërin e Lirisë” për babain e tij, Zenelin si martir i Kosovës.

Me Jusuf Bajraktarin gjatë vitit të kaluar në Vranoc.

Në përkujtim të masakrës së vtit 1936-1937 në Lug të Baranit nga Serbia hegjemoniste, e njohur si “Votimet e përgjakshme”, 2019.

Comment

*