Kadri Veseli udhëton për në Hagë, do të intervistohet si i dyshuar

Prishtinë, 3 maj 2019 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka udhëtuar për në Hagë, ku e presin për intervistim prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Burime të Gazetës Express kanë treguar se Veseli ka udhëtuar për në Hagë, përmes Lubjanës. Aeroplani për Lubjanë është nisur nga Aerporti i Prshtinës në orën 14:45.

Bashkë me Veselin kanë udhëtuar edhe katër persona të tjera.

Më herët Gazeta Express ka kontaktuar me kabinetin e z. Veseli, mirëpo nuk ka arritur të marrë një prononcim lidhur me këtë.

Ndryshe, Kryeparlamentari Veseli nuk ka pranuar asnjëherë se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, por ka shprehur gatishmëri që të shkojë në Hagë, nëse ftohet atje nga prokuroria.

Javë më parë, Express ka raportuar se burime brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë thënë se po përgatiten aktakuza që prekin ish-drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe Presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Gjykata Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Bazë për krijimin e kësaj gjykate ka qenë një raport i hartuar nga senatori zviceran, Dick Marty, i cili ishte miratuar nga Këshilli i Evropës. Sipas raportit, disa prej drejtuesve të UÇK-së, dyshohet se ishin përfshirë në trafikim të organeve. (r.m.)

Comment

*