Kalendari i letërsisë: Servantesi dhe Shekspiri

Muhamet HAMITI

Servantesi dhe Shekspiri kanë vdekur në të njëjtën datë, por jo në të njëjtën ditë

Prej vitit 1995, me vendim të UNESCO-s, kjo ditë, 23 prilli, shënohet si Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit (World Book and Copyright Day) në nderim të këtyre dy shkrimtarëve, në radhë të parë, ndonëse kjo ditë shënon lindjen ose vdekjen edhe të disa shkrimtarëve të tjerë të njohur.

Më 23 prill 1616 kanë vdekur Servantesi (Miguel de Cervantes), shkrimtari spanjoll, autori i “Don Kishotit”, romanit të parë dhe ndoshta më të madhit deri sot, dhe Uilliëm Shekspiri (William Shakespeare), dramaturgu e poeti anglez, më i madhi dramaturg i botës.

Ka shumë gjasë që Shekspiri ta ketë lexuar Servantesin në përkthim në anglisht, por jo Servantesi Shekspirin.

Romani i Servantesit “Don Kishoti” (pjesa e parë, botuar së pari më 1605) u botua në anglisht më 1612. Më 1613 Shekspiri dhe kolegu i tij më i ri Xhon Fleçeri nisën dramatizmin e historisë së Kardenios (Cardenio) të çmendur prej dashurie që ishte thurur në aventurat e kalorësit të lojtur mendsh të Servantesit. Kjo dramë ka humbur.

Servantesi dhe Shekspiri rroken në veprat e veta me ndeshjen ndërmjet idealeve dhe realitetit, ndërmjet imagjinatës dhe realitetit.

Në një koincidencë historie, Servantesi dhe Shekspiri kanë vdekur në të njëjtën date. por jo në të njëjtën ditë. Në atë kohë Spanja përdorte kalendarin gregorian, ndërsa Anglia ende kalendarin julian.

Vendet katolike si Spanja, Italia dhe Portugalia e kanë aplikuar kalendarin gregorian që nga viti 1582, ndërsa vendi protestant, Anglia, nga viti 1752. Shekspiri ka vdekur më 3 maj.

Megjithatë, ditë e lindjes dhe e vdekjes së Shekspirit shënohet 23 prilli. Një koincidencë tjetër interesante që Bardi anglez ka të njëjtën ditë të lindje dhe vdekjes. Jetoi 52 vjet.

Shekspiri u varros në kishën e qytezës së tij të lindjes, në Stratford-upon-Avon.

Trupi i Servantesit 69-vjeçar u varros në një varrezë massive. U identifkua disa shekuj më vonë, para pesë vjetësh, më 2015. Inicialet e tij në arkivol (M. C.) dhe plagët në gjoksin dhe në dorën e tij u bënë shenja për identifikim të eshtrave të tij.

Prindët e Shekspirit e shpëtuan të birin e vet të sapolindur nga murtaja, në vitin 1564, duke u mbyllur në karantinë, në kohën kur një e katërta e popullisë së qytezës së tyre, Stratford, duket se kishte vdekur prej murtaje.

Shkrimtari anglez duhet të ketë shkruar disa nga veprat e tij të mëdha, ndër të tjera edhe “Mbretin Lir“, gjatë kohës kur murtaja e kishte pllakosur Londrën.

Ndërmjet viteve 1603 dhe 1613, në kulmin e fuqisë krijuese të Shekspirit, teatri i tij “Globi“ dhe teatro të tjera të Londrës kanë qëndruar mbyllura nja 78 muaj, mbi 60 për qind të kohës.

(Muhamet Hamiti është profesor i letërsisë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinë – Departamenti i Gjuhës e Letërsisë Angleze)

Comment

*