Kam “green card me kusht” dhe më keqtrajton bashkëshorti – Çfarë të bëj?

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Pyetje nga lexuesit:

Përshëndetje: Jam martuar me një shtetas amerikan. Kam green card dyvjeçare me kusht. Më kanë dalë shumë probleme me bashkëshortin që më abuzon psikologjikisht dhe më kërcënon duke më thënë që nëse divorcohemi, do të më deportojnë. Ma merr rrogën dhe nuk më lë asgjë. Nuk di çfarë të bëj. Green card-a më ka skaduar prej më shumë se një muaji dhe nuk kam dokumenta të vlefshëm. Ju lutem më tregoni se çfarë të bëj.

Anonime

Më vjen keq për problemet që ju kanë dalë gjatë martesës. Nëse ju abuzojnë psikologjikisht ose fizikisht, ju këshillojmë të telefononi policinë afër jush duke marrë numrin 911. Mos u shqetësoni për statusin e emigracionit. Gjendeni këtu në mënyrë të ligjshme. Në komunitetin ku jetoni, ka agjenci që mund t’ju ndihmojnë si p.sh. Safehorizon 1-800-621-HOPE si dhe numri direkt i vënë në dispozicion për rastet e dhunës brenda familjes 1-800-799-7233. Ju këshillojmë të flisni me një avokat emigracioni që ka përvojë me raste të tilla. Avokati do të mund të shqyrtojë dokumentat tuaja, t’ju intervistojë dhe t’ju rekomandojë një zgjidhje. Çdo rast ka të veçantat e tij, ndaj dhe avokatit i duhet të njohë mirë të gjithë faktet që kanë të bëjnë me rastin konkret përpara se t’ju japë një këshillë profesionale. Ne ndërkohë mund t’ju shpjegojmë ligjin në vija të përgjithshme.

Nga letra juaj nuk del qartë nëse keni aplikuar për heqjen e kushtit, dmth nëse keni dërguar ose jo formularin I-751 (Petition to Remove Conditions on Residence). Si rregull, bashkëshortët e dërgojnë këtë formular bashkarisht. Kur dërgohet formulari në fjalë, zakonisht USCIS-i (Shërbimi i Nënshtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së) dërgon një letër që tregon që peticioni është dërguar dhe green card-a me kusht është shtyrë dhe për një vit tjetër. Nëse e keni marrë këtë letër, atëherë peticioni është dërguar dhe duhet menjëherë të ndiqni pikë për pikë çfarë kërkon peticioni në mënyrë që të dërgoni dokumentat e duhura.

Theksojmë që formulari I-751 duhet dërguar gjatë periudhës 90 ditore që i paraprin mbushjes së dy vjetorit të martesës. Data e skadimit të statusit me kusht është gjithashtu data e përvjetorit të dytë të martesës me shtetasin amerikan. Nëse nuk aplikoni në kohë për të hequr kushtin e green card-ës, mund të humbisni statusin e rezidentit me kusht dhe të dëboheni nga Amerika.

Nëse formulari I-751 është dërguar në kohë, atëherë së bashku me bashkëshortin duhet të paraqisni prova që dëshmojnë që nuk jeni martuar për t’i bërë bisht ligjeve të SHBA-së. Peticioni duhet dërguar bashkarisht dhe duhet të përmbajë prova që lidhja juaj ka vazhduar pa ndërprerje. Nëse nuk keni besim tek bashkëshorti/ja, atëherë peticionin e përbashkët nevojitet ta ktheni në një kërkesë për waiver (heqje dorë) nga aplikimi bashkarisht. Rezidentët me kusht që nuk janë në gjendje të aplikojnë së bashku me bashkëshortin aktual ose të mëparshëm duhet të paraqesin një ose më shumë kërkesa që t’u lejohet të mos aplikojnë bashkarisht.

Si ta fitosh të drejtën për të aplikuar më vete dhe jo bashkarisht për heqjen e kushtit

Nëse nuk keni mundësi të aplikoni bashkarisht për heqjen e kushtit, atëherë duhet të bëni kërkesë për atë që quhet waiver, dmth leje që të jeni të lirë të aplikoni më vete dhe jo me bashkëshortin. Mund të bëni njëherazi një ose më shumë kërkesa për këtë gjë.

Mund të kualifikoheni për waiver nëse arrini të provoni që martesa juaj, për sa kohë zgjati, ishte e vërtetë dhe më vonë përfundoi në divorc ose u anullua. Mund të aplikoni më vonë, nëse arrini të tregoni që nuk ishte faji juaj që peticioni nuk u dërgua në kohë.

Nëse bëni kërkesë për waiver duhet të tregoni se pse ju duhet ky waiver. Në rrethana të caktuara të tregosh diçka të tillë nuk është e lehtë, ndaj dhe peticioni duhet përgatitur me kujdes. Që kërkesa për waiver me bazë martesën e vërtetë të aprovohet, duhet të jeni të divorcuar, të ndarë me ligj ose martesa të jetë anulluar. Duhet gjithashtu të provoni që kjo martesë nisi si një martesë e vërtetë. Me martesë të vërtetë nënkuptojmë një martesë të mirëfilltë dhe jo për qëllime përfitimi nga emigracioni. Gjithashtu ajo nënkupton që ju dhe bashkëshorti kishit si qëllim të ndërtonit një jetë së bashku, dhe nuk nënkupton një martesë ideale. Zyrtari i emigracionit do të vendosë nëse martesa juaj ka qenë që në fillim e rreme ose jo. Kjo do të thotë që zyrtari do të analizojë veç e veç gjendjen shpirtërore të palëve. Duhet të tregoni gjithashtu se martesa shkoi keq për shkak të gjërave që ishin jashtë kontrollit tuaj (ju, emigranti, nuk ishit shkaktar i prishjes së martesës.) Duhet të paraqisni dhe prova të lidhjes martesore. Prova bindëse janë ato që tregojnë që ju dhe bashkëshorti i keni përzier bashkë financat si dhe huatë dhe hipotekat janë në emrin e të dyve. Prova që dëshmojnë që jetoni në të njëjtën banesë ndihmojnë gjithashtu për të treguar vërtetësinë e martesës.

Mund të bëni kërkesë për waiver edhe në rastin kur deportimi ose dëbimi nga vendi do të shkaktonte “vështirësi ekstreme”. Për këtë duhet të paraqisni prova që dëshmojnë që krahasuar me të huaj të tjerë që deportohen apo dëbohen për shkak se kanë qëndruar më shumë se sa u lejohet, në rastin tuaj deportimi apo dëbimi do të shkaktonte vështirësi të jashtëzakonshme. Provat e paraqitura duhet të kenë të bëjnë me faktorë që janë krijuar gjatë periudhës dyvjeçare si rezident me kusht.

Mund të bëni gjithashtu kërkesë për waiver dmth për heqje dorë nga aplikimi bashkarisht nëse tregoni që lidhja martesore ishte e vërtetë dhe jo për përfitime nga emigracioni, por gjatë martesës ju ose fëmija juaj u rrah dhe ra pre e një trajtimi tejet mizor nga bashkëshorti/ja shtetas amerikan apo rezident i përhershëm dhe nuk ishte faji juaj që nuk arritët të paraqisni peticionin e përbashkët për heqjen e kushtit. Duhet të paraqisni prova të abuzimit si p.sh. kopje të raportimeve apo dokumentave zyrtarë të paraqitura në polici, gjykatë, pranë personelit mjekësor, zyrtarëve të shkollës, institucioneve fetare, punonjësve socialë apo personelit të agjencive të ndryshme të shërbimit social. Mund të paraqisni dokumenta ligjorë që lidhen me urdhra mbrojtës kundër abuzuesit ose që kanë të bëjnë me hapat ligjorë të ndërmarrë nga ju për t’i dhënë fund abuzimit. Duhet të paraqisni prova që keni kërkuar strehim në vende të sigurta të krijuara apostafat për personat e abuzuar si dhe foto që tregojnë lëndimet trupore si dhe kopje të dokumentit të divorcit nëse martesa përfundoi në divorc për shkak të abuzimit fizik dhe keqtrajtimit ekstrem. Në raste të tilla, mund të aplikoni për heqje të kushtit në çdo kohë pasi jeni bërë rezident me kusht, por përpara se t’ju dëbojnë nga vendi.

Lexuesja jonë po përballet me një problem të vështirë, por jo pa zgjidhje. E këshillojmë që të kërkojë ndihmë menjëherë.

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet dhe pyetjet tuaja të vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’u përgjigjemi në të ardhmen sa më shumë prej tyre që të jetë e mundur. Ju ftojmë të na dërgoni pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike

[email protected]

Comment

*