Kamala Haris del nga gara presidenciale

Një nga kandidatët kryesorë të garës presidenciale brenda Partisë Demokrate ka dhënë dorëqejen.

 

Nga Ruben Avxhiu

Senatorja nga California, Kamala Harris, sapo u ka bërë të ditur nëpëmjet një konference telefonike ekipit të saj të fushatës se nuk do të vazhdojë më kandidimin.
Një mesazh me video për publikun është gati por nuk ishte postuar ende kur po shkruhej ky lajm.
Fushata e Senatores Harris ka qenë prej ditësh në shënjestrën e medias amerikane për shkak të përplasjeve të brendshme, pushimeve në masë nga puna, dhe mungesës së një filozofie të qartë nga kandidatja.
Largimi i saj nga gara vjen një ditë mbas dorëheqjes së Steve Bullock, guvernator i shtetit Montana. Partia Demokrate ka shumë kandidatë në garë dhe pakësimi i numrit i shërben zgjedhësve po edhe vetë partisë, që druhet nga përplasja e grupeve të ndryshme që në fund duhet të bashkohen rreth një kandidati të vetëm.
Kamala Harris ka përvojë si prokurore që e bën atë një nga demokratët e rrallë në garë që ka dëshmuar mungesë tolerance ndaj krimit. Nga ana tjetër, në një kohë kur teprimet në polici dhe në sallën e gjyqeve ndaj anëtarëve të pakicave, janë një temë shumë e rëndësishme për demokratët, epërsia e saj ishte kthyer në problem.
Kamala Harris u mirëprit si kandidaturë si një mundësi për të zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë, një grua që vinte nga pakicat, po për hir të garës, ajo u përpoq të paraqitej si afrikano-amerikane, duke lënë në heshtje prejardhjen e saj indiano-amerikane. Me këtë strategji, ajo humbi mbështetjen e njërit komunitet pa fituar dot atë të tjetrit.
Në debatin e parë, ajo fitoi pikë kur akuzoi ish-Zv-Presidentin Joe Biden se në vitet 1970 kishte punuar kundër ligjit që detyronte dërgimin me autobusë në shkollë fëmijët afrikano-amerikanë. Biden u zu ngushtë dhe u përpoq të mohonte faktin. Harris doli fituese nga debati, po afrikano-amerikanë të vjetër që mbështesin kandidatin Biden kanë folur më vonë duke dëshmuar se Biden ka reflektuar në atë kohë kërkesat e komunitetit të të zinjve, që nuk dëshironin që fëmijët e tyre të dërgoheshin në shkollat e të bardhëve, ku nuk ishin të mirëpritur, pavarësisht prej ligjit.
Harris ndryshoi pikëpamjet e saj për reformën në shëndetësi nga një debat në tjetrin. Ajo u përplas me kandidaten tjetër nga California, kongresisten Tulsi Gabbard, e cila e sulmoi ashpër për abuzime si prokurore ndërsa Senatorja iu përgjigj duke i kujtuar afërinë e saj me një kriminel lufte si Asadi i Sirisë. Në fund, përplasja i dëmtoi të dy kandidatet.
Kamala Harris mbetet gjithësesi një kandidate e fortë për postin e zv-Presidentit dhe kandidatët që mbetën në garë do të luftojnë shumë tani për të siguruar mbështetjen e saj dhe të përkrahësve të saj.

Comment

*