Kamala Harris zyrtarizohet kandidate e demokratëve për nën-presidente

Kama Harris, 55 vjeçare, një ish prokurore, është e para grua afrikano-amerikane dhe indiano-amerikane, kandidate për nënpresidente për një nga partitë kryesore. Nëna e saj ishte një shkencëtare e kancerit të gjirit që emigroi nga India. Ajo vdiq në vitin 2009. Babai i senatores Harris, një ekonomist, erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Xhamajka.

Duke folur në natën e tretë të Kuvendit Kombëtar të Demokratëve, zonja Harris kritikoi ashpër presidentin Donald Trump për trajtimin e pandemisë së koronavirusit dhe të ekonomisë, duke thënë se “dështimi i tij në udhëheqje ka kushtuar jetë”.

Më herët gjatë mbrëmjes, ish-presidenti Barack Obama, sumoi ashpër presidentin Trump, pasuesin e tij, duke thënë se presidenti Trump po e trajtonte presidencën si “një reality show”, dhe duke rrezikuar demokracinë me udhëheqjen e tij të papërshtatshme dhe në stilin autoritar.

Duke pranuar emërimin nga demokratët, zonja Harris foli për një komb me “kompleksitete dhe papërsosmëri”, dhe nevojën për t’u vënë në punë për të trajtuar të metat e tij, të tilla si luftimi i racizmit dhe realizimi i “premtimit për drejtësi të barabartë para ligjit”.

https://twitter.com/KamalaHarris/status/1296294272514363394/photo/1

 

“Të mos gabohemi, rruga përpara nuk është e lehtë. Ne do të pengohemi. Mund të rrëzohemi. Por unë ju premtoj se do të veprojmë me guxim dhe do t’i trajtojmë me ndershmëri sfidat tona. Ne do të themi të vërtetën dhe do të veprojmë me të njëjtin besim tek ju sikundër ju kërkojmë që të keni besim në ne”, tha zonja Harris.

Vendimi i zotit Biden për të zgjedhur gruan e parë afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane si kandidate për nënpresidente, preku shumë nga pakicat dhe gratë në parti, që shprehnin një mbështetje të vakët ose ishin kundër 77-vjeçarit Biden.

Zonja Harris u zotua se një administratë Biden-Harris do të punojë për “ngritjen e një ekonomie që nuk e lë askënd prapa”, të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit, dhe të ndërtojë një komunitet që është “i fortë dhe modest, i drejtë dhe i mirë”.

“Ne duhet të zgjedhim një president që do të sjellë diçka ndryshe, diçka më të mirë dhe do të bëjë punë të rëndësishme,” tha zonja Harris. “Një president i cili do të na bashkojë të gjithëve për të ndërtuar të ardhmen që ne e duam kolektivisht. Ne duhet të zgjedhim Joe Biden”, tha ajo.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*