Kamberi: Çdo zgjidhje parciale për Luginën do të sillte tragjedi humanitare

Prishtinë, 9 korrik 2018 – “Ideja për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës ka ardhur pas një raporti të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, në të cilin jepet oferta për shkëmbimin e Preshevës me katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, gjatë një interviste për gazetën “Zëri”.

Ai beson se një raport i tillë është sponsorizuar nga vetë kreu i shtetit të Serbisë.

I pari i Bujanocit ka thënë se Lugina e Preshevës nuk është vetëm Presheva e aq më pak disa vendbanime kufitare me Kosovën në ish-Zonën Tokësore të Sigurisë, por i përfshin tri komunat: Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, me 1264 kilometra katrorë.

Kamberi ka theksuar se çdo zgjidhje parciale për Luginën e Preshevës do të sillte tragjedi humanitare.

Ai ka theksuar gjithashtu se Lugina e Preshevës nuk kërkon kurrfarë zgjidhjeje që do ta cenonte integritetin territorial të Kosovës dhe as që Kosova të heqë dorë nga ndonjë prej kërkesave të saj karshi Serbisë, për hatër të Luginës.

“Ne po flasim për deklarimin e shqiptarëve të këtij rajoni në Referendumin e vitit 1992, në të cilin jemi deklaruar për të drejtën e bashkëngjitjes me Kosovën. Pra, një kërkesë e shtruar në mënyrë plebishitare para se të krijohet situata aktuale në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Kamberit, Serbia ka angazhuar edhe ekspertë të jashtëm për t’i bërë “llogaritë” e skenarëve të zgjidhjeve të mundshme të çështjes së Kosovës.

“Siç e thashë edhe më lart, ne nuk kërkojmë kurrfarë flijimi që Kosova duhet të bëjë për dëshirat tona, ne kërkojmë që e drejta e shprehur nga popullata shqiptare të gjendet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel”, ka theksuar mes tjerash ai.

Shaip Kamberi, në kohën kur ka qenë deputet në Parlamentin e Serbisë, ka pasur përplasje të ashpra me Presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili atëherë ishte kryeministër, pikërisht për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj Luginës së Preshevës. (r.m.)

Comment

*