Kamberi: Nuk jam kurrfarë heroi. Unë, thjesht, i përfaqësoj qytetarët

Beograd, 2 nëntor 2020 – Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë nga lista “Alternativa Demokratike e Shqiptarëve – Lugina e Bashkuar”, tha se ai nuk ka pritur se do të ketë reagime me nervozë nga udhëheqja e shtetit ndaj deklaratave të tij lidhur me krimet e luftës.

Ai theksoi se kwto reagime janw dwshmi se partitw nw pushtet nw Serbi kanw lidhje me partitw qw  kishin shkaktuar luftwrat.

”… është e dukshme që në pushtet janë ato parti, të cilat janë në lidhje të drejtpërdrejtë me partitë që i kanë nisur luftërat në ish-Jugosllavi”, u shpreh ai, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Kamberi theksoi se është normë minimale e civilizimit që në procesin e integrimeve evropiane të hedhë dritë mbi rastet e varrezave masive dhe ndaj kësaj çështjeje të mbajë qëndrim të civilizuar.

Fjalimi i tij në Kuvendin e Serbisë nxiti një numër të madh reagimesh në opinion dhe në rrjetet sociale. Gjatë këtij fjalimi ai theksoi që një parlament të tillë nuk ka mundur ta prodhojë as Sllobodan Millosheviqi dhe theksoi se kjo është e trishtueshme për demokracinë.

Kamberi, e nisi fjalimin e tij me përshëndetjen në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe: “Mirëdita! Dobar dan!”, në mënyrë që t’ia tërheqë vërejtjen kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, për kërcënimet e ekstremistëve të djathtë ndaj organizatorëve të festivalit “Mirëdita! Dobar dan!” dhe që t’u japë mbështetjen organoizatorëve të festivalit.

Ai ka bërë thirrje që Serbia të ballafaqohet edhe me krimet e luftës, të kryera nga forcat serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Për këtë, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ia ka tërhequr vërejtjen që të mos përdorë gjuhë të tillë.

Kamberi tha se nuk ka thënë asgjë që do t’i lëndonte qytetarët e ndershëm e të pafajshëm. Madje tha se ka marrë mbështetje nga shumë serbë.

Ai theksoi se qëndrimi ndaj pakicave është një provë e nivelit të demokracisë së një shteti, ndërsa barra e procesit të demokratizimit i bie popullit shumicë.

Kamberi nuk mendon se me fjalimin e tij në Kuvendin e Serbisë ka bërë ndonjë gjë të madhe.

“Para së gjithash, unë nuk jam kurrfarë heroi. Jam vetëm një njeri që është zgjedhur të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve, të cilët të ardhmen e Ballkanit e shohin në integrimet evropiane”, tha ai.

Kamberi tha se as ai dhe asnjë shqiptar tjetër nuk do të pranonte të emërohej ministër në Qeverinë e Serbisë, derisa në tekstin e betimit duhet të zotohet se do të punojë me përkushtim “për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.

“Kjo është e papajtueshme me logjikën tonë dhe me qëllimet tona politike, prandaj, në asnjë rast, as unë personalisht dhe asnjë shqiptar, nuk do ta pranonte atë pozitë”, theksoi Kamberi në intervistë për Rdion Evropa e Lirë.

(r. m.)

Comment

*