Kampioni Afrim Tole: Grumbullimi me Kombëtaren, çasti më i veçantë në karrierë

Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare, njëkohësisht pjesë e të tre skuadrave të kryeqytetit Dinamos, Tiranës dhe Partizanit, ishte i ftuar në një lidhje direkte me emisionin “FanZone” në Supersport, ku foli për situatën e vështirë që po kalon futbolli për shkak të pandemisë.

Sa ju mungon futbolli?

E kemi thënë shumë herë që është një situatë jo normale dhe të gjithë kërkojnë që të rifillojë futbolli, por unë do të doja që të paktën të riniste stërvitja, në grupe të vogla.

Në këtë mënyrë, do të viheshin në lëvizje ata lojtarë që rrinë prej dy muajsh në shtëpi.

A mund të themi se kjo është një ndër periudhat më të errëta të botës së futbollit?

Fatkeqësisht po. Periudhë të errët dhe të vështirë po kalon gjithë njerëzimi, jo vetëm sporti, por sportistët e ndjejnë më shumë, për faktin se nuk mund të rrinë dy muaj pa stërvitje e të mbyllur.

Uroj që të rikthehet normaliteti sa më shpejt

Jeni dakord që Tirana të marrë titullin në tavolinë, nëse sezoni nuk rifillon?

Unë do të doja që sezoni të vijojë deri në fund dhe që titulli të fitohet në fushë, jo në tavolinë.

Këtë sezon e kam ndjekur në shumicën e rasteve nga stadiumi dhe mund të them që Tirana e meriton vendin në renditje, pasi është shfaqur shumë e konsoliduar dhe e pjekur në fushë.

Sa i përket Partizanit, nuk e di pse larguan Gegën, pasi me atë trajner dhe me shumë pak ndryshime, do të ishin sërish për tituj.

Cili ka qenë momenti më i veçantë në karrierën tuaj si futbollist?

Në karrierë kam pasur shumë momente të veçanta dhe nuk do të doja të veçoja asnjë, por le të themi që më i veçantë ishte grumbullimi në Kombëtaren Shqiptare.

Keni menduar të riktheheni sërish në futboll, pasi nuk jeni angazhuar që kur keni “varur këpucët në gozhdë”?

Të them të drejtën më merr shumë malli për futbollin dhe do të doja të angazhohesha në ndonjë rol drejtues, jo si trajner.

Comment

*