Kampionia turke kërkon të përfaqësojë Kosovën

Prishtinë, 30 shtator 2017 – Një top-xhudiste evropiane do të garojë për Kosovën. Është xhudistja turke Ebru Shahin që tashmë e ka paraqitur kërkesën zyrtare që të garojë për Kosovën në arenën ndërkombëtare, shkruan sot Koha Ditore.

Shahin, përmes një letre, më herët këtë muaj, i është drejtuar Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK) me kërkesën që të garojë për Kosovën.

Me qëllim që të rregullohet dokumentacioni dhe xhudistja të pajiset me shtetësi dhe pasaportë të Kosovës, FXHK-ja e ka proceduar në Komitetin Olimpik të Kosovës letrën e turkes.

Shahin 25-vjeçare ka një karrierë plot suksese në kategorinë deri 48 kilogramë, kategori në të cilën Kosova nuk ka aktualisht ndonjë xhudiste të nivelit të lartë.

Shahin e arriti suksesin më të madh në vitin 2015, kur e fitoi medaljen e argjendtë të Lojërave Evropiane në Baku, që shërbyen edhe si kampionat evropian i xhudos. Në evropianin e vitit 2013 ajo e fitoi medaljen e bronztë. Pra, ka dy medalje evropiane për seniore. Në kategori të reja sukseset e Shahinit janë edhe më të mëdha.  (r.m.)

Comment

*