Karateistët e Kosovës nuk do të garojnë në Serbi pa simbole shtetërore

Prishtinë, 4 maj 2018 – Federata e Karatesë e Serbisë ka njoftuar se në Kampionatin Evropian të Karatesë që pritet të mbahet këtë muaj në Novi Sad, Kosova do të marrë pjesë pa simbolet shtetërore.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Serbisë, Kajica Kaliçanin, ka thënë se Federata serbe e ka njoftuar për këtë Federata Evropiane e Karatesë.

Sipas kaliçaninit, Federata Evropiane e Karatesë ka njoftuar se Kosova do të marrë pjesë pa simbole shtetërore dhe në rast se sportistët e Kosovës fitojnë ndonjë medalje dorëzimi do të bëhet nën flamurin e Federatës Evropiane.

“Në rast se ata vijnë, ndonëse kjo ende nuk është e sigurt, afishimi i flamurit dhe simboleve nuk do të jetë i mundur. Për këtë, me siguri (kosovarër) janë informuar nga Federata Evropiane”, ka thënë Kalinçanin.

Por, drejtuesit e Federatës së Karatesë së Kosovës thonë se nuk kanë asnjë njoftim për vendim të tillë.

Ismet Krasniqi, kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, ka thënë se një vendim i tillë, në rast se është i saktë, është i papranueshëm dhe paraqet shkelje të rregullave.

Sipas tij, sportistët e Kosovës do të udhëtojnë për në Novi Sad, por nuk do të garojnë në qoftë se Kosova nuk trajtohet e barabartë me të gjitha shtetet tjera.

Krasniqi ka thënë se Federata e Karatesë së Kosovës nuk ka marrë asnjë njoftim dhe ka theksuar se një vendim i tillë do të ishte i papranueshëm.

“Ne nuk kemi marrë asnjë informatë për këtë nga Federata Evropiane e as nga Federata Botërore. Diçka e tillë është e papranueshme për ne dhe ata nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Diçka e tillë është shkelje e rregullave. Ne patëm propozuar që, nëse duan, të largohen të gjithë flamujt, por që një shtet t’i shfaqë simbolet e tjetri jo, kjo është shkelje e rregullave”, ka thënë ai.

“Ne do të shkojmë në Novi Sad, gjithsesi, por nuk do të garojmë, në qoftë se nuk trajtohemi njëjtë sikurse të gjithë”, ka thënë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë. (r.m.)

Comment

*