Kardiologu i njohur tetovari Arben Ameti shëron zemra në mes të Zagrebit

Intervistë ekskluzive me Dr.Arben Ameti, specialistin për sëmundjet interne, magjistrin në lëndën e kardiologjisë dhe supspecializatin në kardiologji 

Bisedoi: Dashnim Hebibi, foto Sejfedin Prekazi

 „Në këto 13 vite të fundit, kam kryer specializimin për sëmundjet interne, magjistraturën në lëndën e kardiologjisë dhe supspecializimin poashtu në kardioligji ku edhe jam duke punuar në klinikën për sëmundje të zemrës në kardiologji. Për mua ka qenë një kohë me sfida, përvoja të ndryshme, por edhe e pasur me mësime jetësore. Kam pasur vizitë të spitalit në Irlandë në spitalin klinik Galway, ku kam qëndruar dy muaj, gjithashtu në Vienë të Austrisë,  ku kam qenë në edukim, si dhe konferenca shkencore, që ka organizuar shteti nga dy, deri tre ditë, në vende të ndryshme të europës. Për mua ishin përvoja të shumta“, na tha ndër të tjera, Dr.Ameti.

Lajme e tilla na gëzojnë pa dyshim kudo që jemi, e kur jemi larg atdhut tonë, ndoshta ky gëzim ka shpirt tjetër, ngase, jemi mësuar të shohim, apo të dëgjojmë, se mërgimtarët të punojnë në profesione të ndryshme, por jo në ato shumë të rëndësishme. Se jeta e mërgimtarit ishte shumë e vështirë para shumë viteve, kjo nuk do koment, edhe sot, gurbeti nuk është aq edhe i lehtë, por është më i përballueshëm dhe thënë shkurt, jemi integruar në mënyrën më të mirë të mundshme në ate shoqëri, por pa harruar gjenezën tonë, pa harruar gjuhën e ëmbël shqipe. Për besë, jo intervistë më ka freskuar në shpirt, kur kuptova se në mes të Zagrebit, në këte kryeqendër europiane të kemi një doktor shumë të njohur, i cili po vazhdon edhe tutje në suksese.

Edhe kësaj here, falënderoj, mikun tonë të veçantë, i cili, na njoftoi me këtë personalitet, lirisht mundem të them, ate që ja dëshiron vetes, ja dëshiron edhe të tjerëve, zemërgjerë, shpirt bardhë, është Sejfedin Prekazi, redaktor i revistës „Informatori“, revistë që botohet në Zagreb të Kroacisë, si dhe  kryetar i Bashkësisë Shqiptare e qytetit të Zagrebit dhe prefekturës së Zagrebit. Protagonisti ynë i kësaj interviste, erdhi shumë i vogël në Kroaci, por ja që sot, ai është emër në Zagreb, Kroaci e më gjerë. Shumë modest, fjalë pak, i buzëqeshur, dëshiron ti ndihmoj secilit, kontribues i madh edhe në çështjen e kulturës, jo përjashtues nëpër aktivitete të mërgatës sonë, i shoqërueshëm, mbi të gjitha, njeri i mirë.

Intervista jonë u përqendrua kryesisht se si ka ardhur në Kroaci, si u bë që sot të jetë emër i madh në Zagreb në mjeksi dhe për shumë gjëra të tjera, do të mësoni gjatë kësaj interviste dhe padyshim, se kudo që të jeni lexues të nderuar, qoftë në pushime, në bregdet, apo në orarë të punës, apo në shtëpi, do ti gëzoheni këtij suksesi të një mërgimtari, i cili, gjithmonë shërben për të mirën e çdo qytetari që ka nevojë për profesionin e tij. Arbeni ka dorë e lehtë, shumë bashkëkombas në Zagreb na thonin, vërtet kur shkojmë në vizitë në spital, ai na pret me buzëqeshje dhe shumë lehtë na kontrolllon, na udhëzon se si duhet vepruar tutje dhe falë tij, ne jemi shumë të fortë dhe nëse kemi sëmundje, e kemi më të lehtë, kur e kujtojmë, se e kemi njerin tonë.

Arbeni, nuk dëshironte të flas me fjalë të gjata, e shpesh edhe skuqej duke folur, sepse siç thonte ai, se nuk e ka zakon të flas për veten, megjithate, respekton profesionin tonë. Sytë i ka nga Tetova, i ka nga shqiptaria, nga atje ku i ka të parët e tij, por falënderues shumë, këtij shteti mikë të kombit tonë, Kroacisë, për të cilin, sa herë që e përmendke, lutke perendinë, që gjithmonë të ketë gëzime e të mira, sepse është shtet mikë i përbetuar i kombit tonë dhe kurrë nuk na ka ndarë prej qyetarëve të vet. Diaspora shqiptare krenohet me suksesin e Arbenit, por ai nuk trumbeton, por punon.

Ai ka marrur pjesë nëpër konferenca të ndryshme shkencore vetëm e vetëm që të ti shërbej pacientëve të tij. Sytë e tij, tregojnë shumë sfida që ka kaluar, por asnjëherë nuk është thyer pavarësisht mundimeve, por qëllimin e tij e ka kryer me sukses dhe sot, shëron zemra në mes të Zagrebit. Vërtet kjo është pasuri e papërshkrueshme, kur edhe në Zagreb të kemi doktorë me zë, doktor të njohur dhe mbi të gjitha modest. Për më shumë, të nderuar lexues, po ju lë ta lexoni këtë intervistë. Ja se çka na thotë, Arbeni me shumë modesti.

I nderuar doktor Ameti, nuk mund t’i ik falënderimit për kohën që e keni kursyer për këtë intervistë, sepse, tek e fundit, është etike që njerëzit të falënderohen, prandaj dua të jem origjinal në këtë intervistë, ashtu si edhe në shumë të tjera. Ju kujtohet dita kur iu drejtuat mërgimit? 

Ju falënderoj shumë edhe për kohën tuaj. Më lejoni, që fillimisht, ti përshëndes të gjithë lexuesit tuaj dhe të gjithë bashkëkombasit e mi kudo që janë. Ata që janë në pushime, pushime të mbara dhe gurbet të mbarë. Vërtet pyetje interesante. Do të flas, ashtu si ma flet zemra. Nuk më kujtohet për faktin, që kam qenë i vogël   vetëm një vjeçarë, kur familja ime iu drejtua mërgimit në Kroaci, për një jetë më të mirë.

E di se është e vështirë të flasësh për veten, por të lutem, me dy tre fjalë, për hirë të lexuesve, kush është Dr.Arben Ameti, nga Vjenë, prej cilës familje, ku ke kryer shkollimin fillor, të mesëm dhe atë universitar, si u bë të jetë doktor në Zagreb e kështu me radhë?

U falënderoj edhe njëherë dhe i përshëndes të gjithë lexuesit tuaj kudo që ndodhen. E kam paksa të vështirë të flas për veten time, por për hirë të lexusueve edhe siç e thatë edhe ju do ti them disa fjalë. Arben Ameti i lindur më 27. 09.1971 në Tetovë të Maqedonisë. Në moshën një vjeçare u larguam nga Tetova dhe erdhëm në Kroaci në mergim. Jemi dy fëmijë, kam një motër. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbarova në Slatinë të Kroacisë. Pas mbarimit të shkollimit, vazhdova studimet në lëmin e mjeksisë në Zagreb. Aty u binda vetë, se në këtë fushë do të vazhdoj karierën time dhe mbarova studimet e mjekësisë. U martova, krijova familje me Jetmiren, ku kemi një vajzë Berna dhe  djalin Andi. Në këto 13 vite të fundit, kam kryer specializimin për sëmundjet interne, magjistraturën në lëndën e kardiologjisë dhe supspecializimin poashtu në kardioligji ku edhe jam duke punuar në klinikën për sëmundje të zemrës në kardiologji. Për mua ka qenë një kohë me sfida, përvoja të ndryshme, por edhe e pasur me mësime jetësore.

Pse e zgjodhët kardiologjinë dhe jo ndonjë profesion tjetër?

Qëllimi kryesor gjithmonë ka qenë i njejtë.  Të bëhesha kardiolog. Tu ndihmoj njerëzve, që kanë probleme me zemër. Madje të shkoj edhe më tej:  jo vetëm të mësoj fushën e mjekësisë, por edhe ta avancoj atë.

Si ju presin në Zagreb kolegët tjerë?

Kemi një bashkëpunim të ndërsjelltë me kolegët këtu. Jemi miqë të mirë dhe secili e kryen detyrën e vet si duhet. I përshëndes që të gjithë dhe vërtet jamë shumë i lumtur, që kam miqë të shumtë dhe të profesioneve të ndryshme e me të gjithë kalojmë shumë bukur.

Për çka konkretisht jeni specialist, për kirurgji apo për ndërhyrje të shpejtë?

Jam specialist për kardiologji. Kjo është, degë e mjekësisë. Kardiologjia llogaritet te nëndegët e mjekësisë interne, e cila studion sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut pranë zemrës. Mjeku i cili e ushtron si profesion kardiologjinë njihet me emrin kardiolog.

Si vjenë deri te infarkti?

Infarkti është nekrozë e një pjese më të vogël ose më të madhe të muskulit të zemrës e shfaqur për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm me gjak. Shkaktari më i shpeshtë është mbyllja e ndonjërës prej arterieve koronare (enët të cilët furnizojnë muskulin e zemrës) nga ndonjë koagul i gjakut. Rrethanë favorizuese për shfaqjen e obstruksionit është zhvillimi i arterosklerozës në vazat e gjakut.

Zhvillimi i infarktit bart me vete rrezikun nga vdekja e papritur për shkak të arrestit kardiak.

Rreziku më i madh është në orët e para prej lajmërimit të infarktit.

Arteroskleroza është sëmundje e arterieve me formimin e të ashtuquajturës pllakës aterosklerotike në sipërfaqen e brendshme të arteries. Pllakat e ngushtojnë lumenin e arteries dhe janë bazë potenciale për formimin e trombit. Ndryshimet aterosklerotike fillojnë të zhvillohen që në fëmijëri dhe ngadalë përparojnë gjatë jetës. Më të theksuara janë te të moshuarit, por shumica e njerëzve e kanë në masë të vogël ose të madhe të zhvilluar arterosklerozën. Faktorët të cilët mundësojnë zhvillimin e saj janë: rritja e nivelit të lipideve ose yndyrave (kolesterolit dhe triglicerideve) në gjak, shtypja e lartë e gjakut, duhanpirja, sëmundja e sheqerit dhe stresi.

Shumë kohëve të fundit, po dëgjojmë, se vdekja po vjenë në të shumtën e rasteve prej zemrës. Komenti juaj? 

Pesha që zënë sëmundjet kardiovaskulare të zemrës, ka pësuar rritje të ndjeshme me kalimin e viteve. Për fat të keq nuk ka më të rinj dhe të vjetër kur behet fjale per  sëmundjet kardiovaskulare në fjalë, të paktën në numrin e pacientëve qe ankohen për probleme të zemrës. Çelësi i eliminimit të këtyre sëmundjeve ka të bëjë me ndjekjen e vizitave dhe konsultave të rregullta te mjeku. Është shumë e rëndësishme që të mbahet një balancë e mirë, ndërmjet përdorimit të medikamenteve dhe llojeve të tjera të terapive mjekësore për ndalimin e këtyre sëmundjeve.

Si do të duhej të ruhet zemra? 

Ushqimi i shëndoshë. Është me rëndësi kufizimi i konsumimit të yndyrave (sidomos shtazore), ëmbëlsirave dhe kripërave.
– Mospirja e duhanit
– Mbajtja e peshës trupore në kufij normal.
– Aktiviteti i rregullt fizik
– Sipas mundësisë, shmangja e stresit.
– Kontrolli i shtypjes së gjakut, yndyrave dhe sheqerit në gjak.
– Personat e sëmurë nga hipertensioni duhet me rregull dhe me përpikëri të marrin terapinë e cila do ta mbaj tensionin në kufijtë e normales.
– Diabetikët duhet në mënyrë strikte t’i përmbahen të gjitha udhëzimeve për stilin e jetës.
Të dhënat statistikore për shkaqet e vdekjes flasin se një e treta e njerëzimit vdesin nga pasojat e arterosklerozës, në mesin e të cilave hyjnë edhe sulmi në zemër dhe tru.

Ju kujtohet ndoj rast, që ia ke shpëtuar jetën ndonjë pacientit dhe  sot është i gjallë?

Sigurisht se po ku me disa kemi edhe raporte të mira. Sekondat e para të fillimit të ndihmës, është që ta shpëtoj sa më shpejt, sepse më duket se unë jam i shtrirë. Është gëzim i paparë, kur e kryej punën time dhe pacienti flet pastaj. Shpesh edhe lotët më dalin nga gëzimi, kur e shoh se si vjenë pacienti dhe si del nga dera e spitalit.

Sa është i vështirë ky profesion, sepse në popull, vetëm nëse përmendet zemra, mbetemi pa koment?

Jo vetëm në Zagreb, por kudo në botë një mjek i mirë, sakrifikon shumë vite të gjata studimi dhe trajnimi. Më së paku 12 vjet studime si edhe studime shkencore. Orë të tëra ditë edhe natë në spital, me qëllimin e vetëm që çdo pacient, sado i sëmurë pavarësisht moshës, etnisë, statusit financiar, apo çdo gjëje tjetër të ketë mundësinë për t`u shëruar dhe të ribashkohet me familjen e tij. Mjekësia bashkohore gjithmonë shkon me punën shkencore dhe arsimore. Kjo është përkushtim i jetës. Ju duhet pafundësisht ta doni punën tuaj që  të jeni të lumtur. Unë e dua. Ndoshta edhe më shumë se sa do të duhej. Jetoj me profesionin tim në çdo situatë. Edhe jashtë orarit të punës me miqë flas për zemrën, flas, se si duhet të ruhemi dhe ta ushqejmë me të mira.

Kur ishe i vogël, i ke thënë ndonjëherë vetes se një ditë do të bëhesh doktor? 

Sinqerisht, është e vërtetë. Si i vogël, kam dashur t`u ndihmojë të tjerëve. Është profesion shumë human dhe i veçantë.

Është normale, si student, ke pasur vështirësi të shumta, si çdo student, i ke thënë vetes ndonjëherë t’i ndërpresësh studimet dhe të filloje të punoje diçka tjetër? 

Normalisht se kam pasur faza kur mendoja se ndoshta do të ishte më mirë t’i ndërprisja studimet, por më së shumti  përshkak te trazirave të luftës në Kroaci në vitet e 90-ta, por dashuria ndaj profesionit dhe dëshira e madhe që të mos dështoj më kanë bërë gjithmonë të fortë.

Si erdhi momenti që të jesh në këtë klinikë në mes të Kroacisë, apo kush ishte ai që Ju ndihmoi të jenë pjesë e kësaj klinike të njohur? 

Në atë kohe unë isha ne Maqedoni, konkretisht në Tetovë, duke kërkuar vite të tëra punë si inernist nga ana tjetër nëpërmjet internetit edhe në Kroaci, kështu, që fati më dërgoi përsëri në Kroaci.

Ku e gjete çelësin e gjithë këtij suksesi?

Filluar nga  dashuria ndaj profesionit nga familja ime, që më kanë përkrahur çdo ditë, kolegëve, shoqërisë. Për të gjithë, kam nderin dhe respektin e madh për përkrahjen që kanë bërë në këtë drejtim, zoti i shpërbleftë që të gjithë me gjitha të mirat.

Ndoshta edhe nuk është mirë të bëjmë pyetje, por natyrisht do na interesonte të dijmë, me cilin qytet e kishe ndërruar Zagrebin?

Për në Kroaci, Zagrebin nuk e kisha ndërruar me asnjë qytet tjetër, por për vendet tjera ia lëmë kohës. Aty ku kërkohet ndihma ime, nuk e shikoj qytetin apo vendin, unë vrapoj për të shpëtuar jetë. Profesioni është, që të shërbej sa më shumë dhe të shpëtoj jetë.

Vini nga rrethina e Tetovës, shkoni shpesh në vendlindje? 

Sigurisht se po, dy deri tre herë në vit. E dua shumë ate vend. Më frymëzon edhe pse nuk u rrita atje. Por, nuk e di pse, mendja më shkon atje dhe me atje jetoj kudo që të shkoj. Si vendlindja vend nuk ka. Më lejoni që ti përshëndes të gjithë tetovarët kudo që janë.

Si e sheh në atdhe mjekësinë? 

Sigurisht, që edhe mjekësia në Maqedoni viteve të fundit hapëron shpejtë në aspektin e furnizimit me aparatura më moderne dhe të sofistikuara, gjë që më së shumti e hasim në klinikat private, ku edhe kam pasur rastin të punoj një vit.

Keni pasur ndoj ofertë tjetër, që të punoni në ndoj spital tjetër?

Kam pasur shumë oferta për të punuar jashtë vendit, por për momentin, me siguri që kjo ishte një zgjedhje e mirë. Por, do të shohim se çfarë do të sjellë ardhmëria

Bashkëpunoni me ndonjë kolegë tjetër shqiptarë, kuptohet të profesionit tuaj, qoftë në atdhe apo edhe në Evropë?

Po sigurish, se kam bashkëpunim me kolegë të tjerë shqiptarë.

E bëra pyetjen paraprake, duke dashur të dijë, se sigurisht keni marrur pjesë në ndonjë vizitë spitaleve të tjera në Evropë apo në ndonjë konferencë shkencore?

Po kam pasur vizitë të spitalit në Irlandë në spitalin klinik Galëay, ku kam qëndruar dy muaj, gjithashtu në Vienë të Austrisë,  ku kam qenë në edukim si dhe konferenca shkencore, që ka organizuar shteti nga dy, deri tre ditë, në vende të ndryshme.

Keni edhe klientë shqiptarë si duket dhe njëri prej tyre është një miku im dhe ai më thotë, sikur të mos ishte Arbeni, sot nuk do të isha. Si ndjehesh, kur dëgjon fjalë të mira nga pacientët e tu? 

Sigurisht, se ndjehem i lumtur kur dëgjoj që dhe pacientët janë të kënaqur, pasi që kjo mbetet edhe dëshmia më e mirë për suksesin tim. Shpesh, takohemi me ata dhe pijmë së bashku nga një gotë ujë, kënaqem me ta duke biseduar dhe besa duke i këshilluar.

Doktor, kam dëgjuar që disa pacientë që kanë pasur probleme të ndryshme shëndetësore, e doktori është përpjekur me të gjitha mundësitë për ta shpëtuar dhe, në fund, ka thënë se shkenca e ka kryer punën e vet, e tash është në dorë të tjetërkujt, duke aluduar te Perëndia. Jeni edhe ju besimtar?

Sigurisht se po. Ia dedikoj të gjithë suksesin tim Zotit, besimi tek ai më ka bërë ky që jam sot.

Do të kishe dashur që edhe fëmijët tuaj të merren me profesionin tuaj? 

Do të kisha dashur ta studiojnë këtë profesion por vendimin se, çfarë të studiojnë e caktojnë vetë, kurse mua si prind u dëshiroj vetëm shëndet dhe mbarësi në jete.

Doktor, a guxoj të Jua them para syve, të lumtë ne që të kemi? 

Shumë faleminderit.

Cili sport e ndihmon më shumë zemrën? 

Aktivitete sportive janë shumë të rëndësishme për të mënjanuar problemet e zemrës. Ndërkohë që jo të gjitha kategoritë e pacientëve mund të bëjnë aktivitete sportive.

Sipas ekspertëve rreth 30 minuta aktivitete sportive janë shumë të domosdoshme në ditë për të sëmurët e zemrës.

Aty mund të bëhen ushtrime fizike si ecje ose vrapim i lehtë mund të pakësohen dukshëm rrezikun e prekjes nga sëmundjet. Sipas studimeve të bëra thuhet se për të pasur një zemër të shëndoshë gjatë këtyre ushtrimeve është e rëndësishme që të bëhen më shumë se ushtrime te thjeshta fizike. Kryesisht ngritja e peshave ndihmon në formimin e muskujve, por të dhënat kanë treguar se një prej muskujve që përfiton nga ky lloj sporti është edhe zemra. Ngritja e peshave pakëson rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës, duke ulur nivelin e kolesterolit në gjak nivelin e yndyrave si dhe ndihmon organizmin të asimilojë sheqernat dhe të shmangë komplikacionet kardiovaskulare.

Sa doktorë shqiptarë ka në Zagreb, nëse e dini dhe cili është bashkëpunimi juaj me ta?

Jemi shume doktorë shqiptarë këtu në Zagreb dhe siç ceka edhe më parë, kemi një bashkëpunim të mirë me të gjithë.

Nëse ndonjë studentë dëshiron të studioj drejtimin tuaj, çka i kishe thënë atij apo asaj që në fillim?

Të ketë një motivacion të madh dhe një kuptim të thellë për punën në këtë fushë.

Me çka nuk pajtohesh? 

Të them të drejtën, nuk pajtohem me politikën në vendlindje ku është e përfshime edhe mjekësia.

Nëse një persona ka pasur probleme me zemër, apo ndërhyrje, a do të duhej të ketë kujdes nga ushqimi?

Ushqimi i shëndosh dhe i balancuar do t’ju ndihmoje të shëroheni më shpejt pas operacionit. Kur do të largoheni nga spitali, mjeku do t’ju rekomandojë çfarë duhet të hani. Menyja juaj ditore duhet të përmbaj perime dhe pemë, ndërsa më pak mish. Ushqimi duhet të jetë i zier. Shmanguni ushqimit të fërguar, me yndyrë dhe me mëlmesa. Gjithashtu, duhet t’i shmangeni brumërave, bukës, mishit të dhjamosur. Harrojeni kripën. Nëse dëshironi ta vazhdoni jetën e zemrës suaj, duhet ta zvogëloni marrjen e kripës. Ushqimin mos e kripni dhe shmanguni gjellëve me kripë. Nëse jeni me diabet ose keni yndyra të tepërta në gjak, duhet t’i përmbaheni regjimit të ushqimit për ato sëmundje. Apetiti gradualisht, se do t’ju përmirësohet, ndërsa shujtat duhet të zvogëlohen dhe të jenë më të shpeshta gjatë ditës.

Kam dëgjuar, se nga mërzia, njeriu pranon atak në zemër, sa është e sigurt?

Stresi mund të ketë një ndikim serioz në shëndetin , sidomos nëse ai bëhet kronik. Ai godet zemrën dhe qarkullimin e gjakut, sistemin nervor dhe atë imunitar. Shkakton dhimbje gjymtyrësh, ankth e vështirësi në të kuptuar. Të gjitha këto shkaktojnë probleme të dobësimit të arterieve të gjakut, diabetit, astmës, probleme në marrëdhëniet me njerëzit dhe sjellje e vakët në shkollë apo punë.

Po, kur jeni të stresuar, shtohen rrahjet e zemrës dhe rritet presioni i gjakut. Rritet edhe niveli i sheqerit në gjak. Në trup çlirohen hormone. Nëse stresi vazhdon, të gjitha pjesët e trupit që ndikohen nga stresi (truri, zemra, mushkëritë, enët e gjakut dhe muskujt) marrin vazhdimisht më shumë ose më pak ngacmime se ç’duhet.

Me kalimin e kohës, kjo mund të sjellë dëme fizike ose psikologjike. Edhe pse është e qartë se faktorë të tillë si trashëgimia dhe mënyra e jetesës janë problemet kryesore, reagim-i i një personi ndaj stresit mund të kontribuojë gjithashtu për rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Është e këshillueshme për shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien për të kuptuar se çfarë gjërash shkaktojnë stres, dhe për të gjetur mënyra sesi ky stres duhet përballuar.

Kisha dashur të dijë, e sigurisht edhe lexuesit tanë, cilat janë shenjat e para, se një persona ka probleme me zemër?

Shenjat që mund të hetohen në rastet e atakut kardiak janë këto:

Shenja të shtrëngimit të fortë dhe ndjesi peshe në kraharor.

Shtrëngime të dhimbshme në qendër të gjoksit, të cilat zgjasin disa minuta edhe pse mund të shfaqen dhe zhduken herë pas here. Dhimbje të forta të kraharorit të cilat përhapen dhe përgjatë krahëve, shpatullave dhe duarve, në qafë, në stomak, ndjesi të ftohti, pengim frymëmarrjeje; shenja këto që shoqërohen me ndjesi të fikti. Jo të gjitha këto shenja shfaqen në çdo rast ataku kardiak, por janë tregues shumë të dobishëm për ta rinjohur atë. Në qoftë se pas shfaqjes së simptomave, shqetësimet në kraharor vazhdojnë edhe për 10 minuta, e këshillueshme është që t’i drejtoheni mjekut.

Sa herë në vit, do të duhej, që një person të shkoj të bëjë vizitën nga dëshira për zemrën, që të mos ketë probleme më vonë? 

Pas moshes 40 vjeçare njerëzit e të dy gjinive duhet të bëjnë atë një herë në vit një analizë të plotë laboratorike, ekzaminim nga një kardiolog, pavarësisht nëse ju keni një problem apo jo.

Kam sigurisht edhe shumë pyetje të tjera, por e dijë se e keni edhe ju kohën e kufizuar, shpresoj shumë, se do të kemi mundësi përsëri ndoj herë tjetër të flasim. Edhe një herë, Ju falënderoj për kohën tuaj që na e rezervuat. Shumë faleminderit dhe gjithë të mirat, i nderuar!

Ju jam mirënjohës dhe juve dhe për shumë herë, faleminderit dhe gjitha të mirat. Kisha nderin, që pata një intervistë me ju i nderuar. Shumë suksese dhe gjitha të mirat.

Të lutem doktor, të pafshim gjithmonë mirë. Zoti të bekoftë!

Comment

*