Kasem Trebeshina, legjenda e atij që është

Në moshën 15 vjeçare u gjend në luftë përballë Italisë fashiste. Pastaj, kalvari i jetës së tij do të niste në vitin 1953, për t’u burgosur e internuar tre herë në periudha të ndryshme. Autor i 77 dramave, dhjetra romaneve, novelave e tregimeve, Kasëm Trebeshina shpjegon arsyet përse nuk botohet. Shkrimtari disident dhe profecia e tij e vitit 1976…

Renato Kalemi

Kur për herë të parë i kërkova mes telefonit një intervistë në Klan, ai do të më përgjigjej me dashamirësi pak a shumë kështu: “Unë jam një shkrimtar i pabotuar. Çfarë do të duan të dinë shqiptarët për mua?! Shumë vetë madje, nuk e dinë se jam ende gjallë”. Për të më bindur mirë për atë çka donte të thoshte, më rrëfeu një histori fare të shkurtër; si një studente letërsie (të cilën e kishte takuar rastësisht në një kafene të Tiranës), sapo kishte mësuar se cilin kishte përballë, do të pyeste krejt e çuditur: “Kasëm Trebeshina? Po, a nuk është shkrimtar i kohës së Gjergj Fishtës?!”.

“Unë jam tetëdhjetë vjeç sot, mor djalë, e askush nuk e di këtë. Pse duhet të flas unë për një popull që nuk më do dhe nuk e di se ekzistoj?”, do të vijonte më tej ai. Por, kureshtja dhe dëshira për të patur një bashkëbisedim me të, më shtyu që në ato 6 minuta në linjë telefonike t’i kërkoja me këmbëngulje një takim, qoftë edhe të shkurtër, qoftë sa për ta njohur nga afër e kështu, të përmbushja një dëshirë të hershme timen. Zëri i tij i ngrohtë, natyra e qetë prej një plaku babaxhan, e një shpirti që qëndron mbi të gjithë e mbi gjithçka, më bindën ta ndërprisja aty bisedën telefonike, të pranoja në heshtje se këmbëngulja ime do të ishte e kotë, por pa i humbur kurrsesi shpresat se një ditë do të takohesha me njeriun që më kishte mrekulluar me novelat: “Odin Mondvalsen”, “Stina e Stinëve”, “Mekami”; romanet “Rruga e Golgotës” dhe “Kënga Shqiptare” (në 5 vëllime); apo dramat “Ëndërr e Përjetshme”, “Muzeu” etj.

Gjithçka ndodhi më shumë se dy muaj më parë. Për të ardhur janari i këtij viti, kur Kasëm Trebeshina e dha intervistën. I veshur me një pardesy fare të thjeshtë, ngjyrë të zezë, me syzet që ia forcojnë sadopak shikimin e përgjysmuar nga mosha, u ul përbri meje për t’i dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve, me kushtin e vetëm që mos t’i ndryshohet asnjë presje. Kurse unë kisha përballë njeriun që kishte luftuar që në moshën 15 vjeçare kundër pushtuesit fashist, kishte arritur të kritikonte regjimin diktatorial mu atëherë kur askush nuk do guxonte, ishte burgosur e internuar tre herë në intervale të ndryshëm kohorë, autor i shumë novelave, romaneve, tregimeve, poezive dhe 77 dramave; nga të cilat shumë pak janë botuar, e të gjitha kanë parë dritën e botimit vetëm në Kosovë. Arsyet? Shkrimtari mundohet t’i japë sadopak në këtë intervistë të shkurtër. Prandaj, në këto faqe u munduam të hedhim sa mundëm nga jeta e këtij enigmatiku të shquar të letërsisë shqipe: luftën antifashiste, udhëtimin e tij në Bashkimin Sovjetik, promemorien e famshme të vitit 1953, burgjet e internimet, veprat e shkruara dhe pse ato nuk botohen, marrëdhëniet me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin dhe profecinë e vitit 1976…

 

– Zoti Trebeshina! Po e nisim këtë intervistë që nga koha kur për herë të parë u rreshtuat në rradhët partizane, kundër pushtuesit nazi-fashist. Atëherë ishit veç një djalosh 15 vjeçar, megjithatë u njohët si një ushtarak i zoti. Çfarë ju shtyu t’i hynit asaj rruge të vështirë, që ju vuri disa herë në rrezik jetën?

Më edukuan që në vegjëlinë e herëshme që të qëndroj në fjalën e dhënë dhe të shërbej me besnikëri në vendin ku ha bukë dhe pi ujë. Pastaj, siç dihet, Shqipëria më 1939 u pushtua nga fashistët dhe detyra e çdo shtetasi shqiptar ishte të luftonte për lirinë e Shqipërisë. Unë nuk mund të rrija mënjanë kur vëndi më ftonte në luftë. Liria e një populli qëndron mbi të gjitha llojet e lirive.

– Si i ri që ishit, cili ishte vizioni juaj për Shqipërinë e pas Çlirimit? A kishit ëndrra se si mund të bëhej ajo një ditë?

Në të vërtetë prej çastit që fillova të kuptoj veten time u gjenda para një kontradikte që dukej si e pakaluarshme.

Gjyshi i babait tim u vra në Luftën e Krimesë… Dhe babai im e kishte si një ëndërr që në shtëpinë tonë të kishte edhe një ushtarak!…

Kjo ishte njëra anë. Nga ana tjetër, unë që në moshën pesëvjeçare fillova të ëndërroja që të bëhesha shkrimtar si ata shkrimtarët e mëdhenj që kishin bërë ato librat që më binin në dorë!…

Ashtu, duke u përplasur mes dy drejtimeve, hyra në luftë dhe u mundova të tregoja çfarë isha i zoti të bëja!… Dhe isha i bindur se Shqipëria e pasluftës do të kishte një shtet demokratik… Dhe në atë shtet unë do të tregoja vlerat e mija si shkrimtar.

Këtë kam ëndërruar gjatë gjithë luftës.

– Vite më vonë, a jeni penduar që morët pjesë në këtë luftë? Pra që iu futët një lufte, e cila nuk ishte asgjë përpara asaj që do t’ju bëhej personalisht juve, pas Çlirimit, vite me rradhë?

Asnjëherë nuk jam penduar që mora pjesë në luftë!… E keqja nuk erdhi nga lufta, por nga prapambetja e popullit shqiptar. Po t’i shikosh me vëmendje, diktaturat komuniste u vendosën në popujt e prapambetur… Ose u vendosën në vendet më të vegjël me forcë nga jashtë!… Populli shqiptar edhe sot e këtë ditë po vuan nga mentaliteti feudal. Siç kuptohet fare qartë, nuk ishte lufta që solli të këqijat e pasluftës në Shqipëri, por mentaliteti feudal që nxori në krye njerëz që edhe dreqit po t’ia falje, nuk t’i merrte!

– Asokohe jeni burgosur disa herë nga pushtuesit. Madje, në luftë jeni plagosur të paktën tre herë. Mund të na kujtoni këtu ndonjë rrethanë a ngjarje, të cilën nuk do ta harronit kurrë?

Në luftë si në luftë!… Mua nuk do të më pëlqente që të kaloja si në paradë… Dhe aq më pakë po të delja pa plagë!

– Çfarë mund të na tregoni për luftën, jetën partizane, vështirësitë e saj?

Lufta pati vështirësitë e saja. Më e keqja erdhi se Komanda e Lartë, me paaftësinë dhe ligësinë e saj, na e vështirësoi shumë luftën!

– Do të ishit i mendimit se në Shqipëri, krahas luftës kundër pushtuesit, jemi përballur dhe me një luftë civile?

Kam qenë, jam dhe do të jem gjithnjë i bindur se në Shqipëri ne u përballëm edhe me një Luftë Civile.

– Pas Çlirimit të vendit, për pak vite shkuat në Bashkimin Sovjetik. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë?

Në Bashkimin Sovjetik, përtej asaj që dukej, unë njoha Evropën më mirë… Dhe përfundimisht caktova vëndin tim në kulturën evropiane.

– Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, ju konstatuat një klimë jo të mirë në Shqipëri, e veçanërisht për artin dhe letërsinë. Çfarë nuk shkonte midis bindjeve tuaja dhe politikës që ndiqte sistemi i kohës?

Para së gjithash, si student, unë nuk mund ta pranoja më vlerën dhe mbivlerën e përcaktuar nga Marksi; nuk mund të pranoja luftën e klasave; nuk mund të pranoja se marksizëm-leninizmi kishte dhënë një estetikë. Por aty ku përplasja erdhi paikshmërisht ishte fusha e artit dhe letërsisë. Partia e Punës e Shqipërisë, duke u bërë gjithnjë e më arrogante, vendosi përfundimisht sistemin e dekretimit të shkrimtarëve!… Dhe, për fat të keq, një gjë e tillë po vazhdon edhe sot e këtë ditë në Shqipëri!

– A keni ndërruar mendim lidhur me qëndrimet që keni mbajtur në atë kohë? Pse?

Nuk jam nga njerëzit që ndërrojnë qëndrim!… Unë mendohem shumë kur i futem një gjëje.

– I keni thënë ndonjëherë vetes tani, kur keni mbushur 80 vjeç, se do të ishte më mirë të qëndronit i heshtur, për të mos i kryer 17 vite burg, se sa të mbronit me forcë parimet tuaja të lirisë së fjalës dhe mendimit?

Të gjitha ato që ndodhin janë pjesë të jetës së njeriut!… Të gjitha ato që ndodhën janë jeta ime!… Mjerë ai që nuk është i kënaqur me jetën e tij!

– Promemoria që i keni dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, cilësohet si një profeci për atë çka do t’i ndodhte Shqipërisë vite më vonë. Në ç’rrethana vendosët ta shkruanit atë?

Unë preferoj vlerat e mija të vërteta. Promemoria as që mund të krahasohet me “Natën para Apokalipsit”… Dhe aq më pak me “Brënda çastit kozmik”. Kur t’i lexoni do të më jepni të drejtë.

– Ç’mendim kishit atëherë për Enver Hoxhën? Jeni përballur ndonjëherë drejtpërsëdrejti me të? Po sot, si e gjykoni atë?

Atëherë unë kujtoja se ai ishte i gabuar. Më vonë u binda se ishte një intrigant dinak i tipit mesjetar ballkanik.

– Nga tre burgimet tuaja, në intervale të ndryshme kohore, çfarë mbani mend? A keni pasqyruar diçka nga ky kalvar në ndonjë vepër tuajën?

Dihet mirë që unë nuk merrem me letërsi burgjesh. Burgjet nuk kanë sjellë asnjë ndryshim në krijimtarinë time. Unë kam shkruar atë për të cilën kam lindur… Dhe e reja që sjell unë në letërsi përmblidhet në shumëkohësinë në një kohë, ose, siç mund të quhet ndryshe, në të tashmen e përjetshme.

– Mendoni se keni lindur poet dhe shkrimtar, apo se jeni bërë i tillë me këmbëngulje?

Unë kam lindur poet dhe shkrimtar!… Të tillë më lindi Hatixheja me Hysenjin!… Edhe pse nuk e dinin!

– Që në vitet e para të krijimtarisë, veprat tuaja janë ndaluar të botohen. Kjo praktikë ka vazhduar gjatë gjithë sistemit diktatorial e madje, është shtrirë dhe në ditët e sotme. E kujt është përgjegjësia për këtë: e shtetit, e Lidhjes së Shkrimtarëve apo… ?

Fillimisht përgjegjësia për mosbotimin e veprës time bie mbi Partinë e Punës së Shqipërisë. Më vonë dhe tashti ndalimi vjen nga koncepti primitiv mesjetar shqiptar i qeveritarëve që kujtojnë se kushedi çfarë janë!

– Edhe në vitet e demokracisë vazhdoni ta keni të vështirë botimin e plotë të veprës tuaj. Përse ndodh kjo? Cila është arsyeja?

Këtë pikë e sqaron përgjigja e mësipërme.

– Mendoni se kjo ka të bëjë me grupe të veçanta individësh apo është diçka më e gjerë se kaq?

Gjithë jeta artistike shqiptare është e organizuar në mënyrë mafioze me klane!… Grupe të veçanta individësh thurin intriga nga më monstruozet. Klani më i rrezikshëm, qoftë brënda Shqipërisë, qoftë jashtë saj, është ai i Gjirokastrës. Shteti shqiptar, për arsye të ndryshme, i mbështet këto klane.

– Novela juaj “Odin Mondvalsen” u nderua së fundmi me një çmim në Prishtinë. Përse u zgjodh Kosova për dhënien e çmimit, ndërsa Tirana hesht për ju?

Për çmimet pyesni ata që i dhanë. Unë merrem vetëm me krijimtarinë time.

– Çfarë ishte për ju “realizmi socialist”?

Realizmi socialist ishte një shkollë pseudo-letrare e krijuar nga njerëz të papërgjegjshëm që donin të masakronin artin dhe letërsinë për interesa personale, duke u shtirë se mbronin proletariatin botëror.

– Shpesh keni thënë se lexuesi shqiptar nuk ju njeh plotësisht. Kjo sepse pjesa më e madhe e veprës tuaj është ende e pabotuar. Shumë pak nga romanet, dramat dhe poezitë tuaja janë botuar veç në Prishtinë. Mund të na thoni sa është numri i veprave të pabotuara dhe kur do e njohë lexuesi shqiptar Kasëm Trebeshinën në të gjithë plotësinë e tij?

Për veprat e mia janë botuar disa lista-bibliografi. Mund të shikoni ndonjë prej tyre.

– Kemi dëgjuar disa herë për një “Testament”… I cili, është zhdukur në rrethana misterioze në vitet kur ju burgoseshit dhe internoheshit. Çfarë është “Testamenti”? Ndonjë vepër apo…

Nga organet e pushtetit të atëhershëm “Testamenti” i shkruar më 1976 u trajtua si një profeci kundër komunizmit. Në të vërtetë nuk e kishte atë kuptim. Ai ishte vetëm një shkrim metodik ku shpjegohej se si duhej të trajtoheshin veprat e artit dhe të letërsisë në shkolla. Duke qënë se Shqipëria mbante dhe mban një qëndrim dogmatik lidhur me artin dhe letërsinë, ai testament duhej të dënohej dhe u dënua. Ndaj dhe tashti dosja ime nuk hapet, edhe pse e ka mbushur kohën e caktuar me ligj.

Në shtyp kam parë se disa njerëz kanë mbrojtur këtë apo atë vepër; këtë apo atë testament lidhur me mbrojtjen e veprave… Nuk është fjala për ato lloj testamentesh. E përsëris: Testamenti i 1976-tës nuk kishte asnjë karakter politik, ose për mbrojtjen e veprave. Ishte thjesht një udhëzim për kuptimin e veprave të mia letrare. Kur duhej të botoheshin dhe si duhej të studjoheshin. Gjëja që i dha karakter politik atij “Testamenti” ishte se atje unë kisha shkruar që gjer në vitin 1992 nuk duhej të botohej asnjë nga veprat e mia, për faktin se nuk do të kuptoheshin. Në vitin 1992 do të botoheshin vetëm “Fshati mbi shtatë kodrina” dhe “Kënga Shqiptare”. Njerëzit në pushtet të asaj kohe e morën atë datë si fundin e regjimit komunist në Shqipëri… Dhe ndofta prandaj e zhdukën!…

Në atë kohë unë isha i bindur se regjimi komunist do të përmbysej, por shabllonet e realizmit socialist pornoburokratik do të jetonin edhe pas përmbysjes për një kohë të gjatë në mbarë arsimin dhe në studimet akademike. Që në vitet gjashtëdhjetë, kur u plotësua bukur tredhja e trurit të shkrimtarëve të regjimit, me futjen e tredhur përshtatshëm të shkollave perëndimore, u bë lëmsh kuptimi i arritjeve botërore.

Akademikët shqiptarë pretendonin se shkrimtarët e mëdhenj të të vetmit vënd socialist në botë do të udhëhiqnin të gjithë letërsinë botërore duke i prirë proletariatit ndërkombëtar. Ashtu partia në pushtet e vëndit shumë të varfëruar do të shtynte për një kohë të gjatë, edhe pas përmbysjes ideologjinë kriminale të diktaturës!… Ashtu do të mund të mbaheshin në shkolla vepra si “Dimri i madh”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe të tjera të kësaj natyre!…

Parashikimi im në atë testament doli i vërtetë. Edhe sot e këtë ditë arsimtarët shqiptarë nuk janë në gjendje të komentojnë një vepër letrare jashtë shablloneve të vendosura nga trutë e tredhura.

Në këtë pikë qëndron rëndësia e atij testamenti dhe e hapjes së plotë dhe në kohë të dosjeve në Shqipëri!… Nëse do të ishin dëgjuar zërat e njerëzve të ndershëm, studimet e mirëfillta letrare do të kishin filluar jo më vonë se viti 1992!… Dhe arsimtarët nuk do të flisnin përçart si në kohën e tanishme!

– Po dramat tuaja; A ju vjen keq se ato nuk vihen në skenë?

Unë kam shkruar shtatëdhjetë e shtatë drama. Me fjalë të paka, kam krijuar Teatrin tim. Mua nuk ka pse të më vijë keq për këtë refuzim të çuditshëm që po më bëhet… Se shtatëdhjetë e shtatë drama nuk janë pak!… Për gjëndjen shpirtërore mund të pyesni ata që më kanë mbyllur derën e Teatrit të tyre!…

– Mendoni se letërsisë së “realizmit socialist” i është bërë një analizë apo sipas jush, ajo ka nevojë për një radiografi më të plotë?

Nuk dua të merrem me shërbëtorët e komunizmit dhe as me veprat e tyre!

– E quani veten disident? Cila ka më shumë rëndësi: të jeni një disident apo botimi i librave?

Asnjë avantazh nuk dua të kem nga disidenca. Për mua rëndësi ka vepra ime dhe njeriu. Kënaqësinë më të madhe e kam ndjerë kur një zonjë nga Këlni më tha se ishte magjepsur nga “Odin Mondvalseni”.

– A mbartin shkrimtarë të tjerë xhelozi për ju dhe veprën tuaj?

Nuk merrem me gjëra të tilla. Për këto mund t’i pyesni vetë shkrimtarët e tjerë.

– Në shkollat tona, ç’vend zini ju? A ka ende në duar të fëmijëve libra që i këndojnë diktaturës komuniste?

Për këtë pyesni Ministrin e Arsimit.

– Për vite me rradhë, midis jush dhe shkrimtarit Ismail Kadare është vënë re një lloj konflikti. Mund të na e shpjegoni pse?

Kadareja bridhte nëpër Tiranë me kobure në brez në kohën e diktaturës!… Dhe, siç tha edhe ish kreu i Sigurimit, Zylyftar Ramizi, botuar në Koha Jonë, 25 Maj 1996, ishte bashkëpunëtor i Sigurimit me pseudonimin “Gjenerali”.

Ata që duan të dinë më shumë rreth kësaj pike le të shikojnë dosjen time dhe sidomos mbylljen time në Kampin e Zvërnecit. Aty janë të shënuara qartë të gjitha… Edhe të dy personat që kanë bërë denoncimin!… Mund të shikoni dhe dosjen e zonjës Dhora Leka kur shkrimtari i shquar e denoncoi në Berat!… Këtë gjë mund ta lexoni edhe në gazetën Drita!…

– Po me shkrimtarin tjetër, Dritëro Agolli, si do t’i cilësonit raportet midis jush?

Jemi shumë larg njëri-tjetrit dhe nuk mund të ketë ndonjë takim midis nesh!

– Për ju, cila është letërsia e vërtetë shqiptare? Kur është krijuar ajo pjesë e letërsisë së këtij vendi, me të cilin duhet të mburremi?

Letërsia shqiptare u përket shqiptarëve. Le ta trajtojnë si të duan.

– Tashmë e keni kaluar moshën 80 vjeçare. A shkruani ende? Çfarë keni në dorë aktualisht?

Vazhdoj të shkruaj. Kam në dorë komedinë “I vdekur apo i gjallë?”. Porsa kam mbaruar “Kulaçi dhe varri” dhe “Hija e Perandorive”. Kam shkruar edhe disa poezi.

– Cili do të ishte mesazhi juaj për brezat e të rinjve që duan t’i hyjnë rrugës së vështirë së krijimit dhe letërsisë?

Të shtrëngohen fort se letërsia nuk është një fushë me lule!… Lulet duhet t’i krijojnë vetë!

– Jeni i interesuar për ngjarjet, zhvillimet, qoftë politike, ekonomike ose kulturore që ndodhin në Tiranë a kudo në Shqipëri?

Sipas mendimit tim kjo është një pyetje tejet e çuditshme!… Një shkrimtari nuk mund t’i bëhet një pyetje e tillë!

Kur në faqet e shtypit shqiptar botohet deklarata e një shkrimtari të përkëdhelur gjer ku nuk thuhet, se unë nuk paskam qenë në burg, si mund të më bëhet një pyetje e tillë?!…

Kur unë mbush tetëdhjetë vjetë dhe nuk botohet qoftë edhe një libër sa për t’u përmendur në Shqipëri, si mund të më bëhet një pyetje e tillë?!…

Kur në mënyrën më të çuditshme ma pushoni djalin nga puna, si mund të ma bëni një pyetje të tillë?!…

Dhe në fund, ajo që është më e rëndësishmja, kur ju po mundoheni me të gjitha mënyrat ta merrni nëpër këmbë dhe të talleni ndyras me popullin shqiptar, si mund të ma bëni një pyetje të tillë?!…

Kur dëmtohet populli shqiptar unë mund të hesht, por kurrë nuk do të shkoj kundër tij!… Nuk do të jem kurrë pjesëmarrës në dëmtimin e popullit shqiptar!… U kam dhënë fjalën gjysheve të mija dhe atë fjalë nuk do ta shkel kurrë!

Të parët e mi, me të drejtë apo pa të drejtë, kanë luftuar në tre kontinente për të vendosur një rend, qoftë edhe perandorak… Por gjithnjë për të vendosur një rend mbi bazën e një ligji!… Ndaj mua nuk më lejohet që të hyj në pazare të fëlliqura që dëmtojnë drejtëpërsëdrejti popullin shqiptar!

Zotërinj! Kini kujdes edhe për veten tuaj: historia nuk mbaron me kaq!

*Revista “KLAN”, Nr. 495, janar 2007.

Comment

*