Katedra e Gjuhës Shqipe pritet të hapet edhe në Zagreb

Prishtinë, 18 maj 2018 – Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Shyqiri Bytyqi, priti sot në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.

Gjatë takimiy u bisedua për mësimin e gjuhës kroate në Kosovë dhe të gjuhës shqipe në Kroaci, siç parashihet në Memorandumin e Mirëkuptimit, të nëshkruar në vitin 2013.

Sipas kumtesës së ministrisë, ministri Bytyqi dhe ambasadorja u dakorduan për krijimin e mundësive për angazhimin e një bashkëpunëtori të jashtëm të gjuhës shqipe në Universitetin e Zagrebit dhe të një bashkëpunëtori apo ligjëruesi të gjuhës kroate në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Ai tha se është me shumë me rëndësi që të rinjve në Kosovë dhe atyre në Kroaci t’u mundësohet të mësojnë gjuhët përkatëse dhe shtoi se me menaxhmentin e Universitetin e Prishtinës do të bisedohet më konkretisht për zbatimin e Memorandumit.

Ndërsa, ambasadorja Kapitanoviq e njoftoi ministrin Bytyqi se vitin e kaluar në Universitetin e Zarës  është hapur Katedra e Gjuhës Shqipe dhe se po punohet që kjo të ndodhë edhe në Universitetin e Zagrebit, ku jeton një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të komunitetit shqiptar. Ajo insistoi që edhe Kosova të marrë përsipër angazhimet e saj të përfshira në Momorandimin e vitit 2013.

Ministri Bytyqi dhe ambasadorja Kapitanoviq u pajtuan se mësimi reciprok i gjuhëve reciproke është në interes të thellimit të bashkëpunimit edhe në rrafshin ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve. (r.m.)

Comment

*