Kategoritë sociale – barrë e rëndë për Buxhetin e Kosovës

Prishtinë, 27 tetor 2017 – Numri i kategorive sociale në Kosovë ka shënuar rritje ndër vite. Aktualisht ekzisrojnë disa kategori sociale, me një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që përfshihen në skemat sociale.

Baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e moshës dhe kontribut-dhënëse, pensionimet e parakohshme të disa ndërmarrjeve, beneficionet për veteranët e luftës, si dhe kategori tjera sociale.

Pak ditë më parë, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, ka paralajmëruar se nga janari i vitit 2018 do të përfshihen në pagesa të rregullta edhe viktimat e dhunës seksuale në Kosovë.

“Kjo kategori të përfshihet në kuadër të buxhetit të rregullt, ku përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pagesat për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë të pranohen në baza të rregullta, me qëllim që kjo kategori e çmuar dhe e ndjeshme e shoqërisë tonë të trajtohet me dinjitet dhe respektin më të lartë”, ka thënë Hamza.

Sipas Zyrës për Informim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale një shumë e konsiderueshme e mjeteve të buxhetit të vendit ndahet për kategoritë sociale.

Nga buxheti i Kosovëspër  vitin 2017, i cili do të jetë mbi 1.8 miliardë euro, mbi 300 milionë euro janë dedikuar për personat e përfshirë në skemën e kategoritë sociale.

“Numri i familjeve më asistencë sociale në Kosovë është mbi 25 mijë, me mbi 100 anëtarë të familjes me një buxhet prej mbi 27 milionë euro. Pastaj janë pensionet e moshës që kapin shumë e mbi 113 milionë euro, pasuar nga pensionet kontribut-pagues në vlerë prej rreth 90 milionë euro dhe pensionet e parakohshme të punëtorëve të Trepçës me mbi 4 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për Radion Evropa e Lirë.

“Në kategoritë sociale për të cilat buxheti i Kosovës ndan mjete janë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe viktimat civile me një buxhet 38 milionë euro, me një numër të përfituesve mbi 12 mijë persona. Po ashtu janë edhe mbi 34 mijë veteranë të luftës për të cilët në vitin 2017 nga buxheti janë ndarë 38 milionë euro”, thuhet më tutje në përgjigjen e ministrisë.

Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se skemat e shumta sociale përbëjnë ngarkesë të madhe për buxhetin e vendit. Ata theksojnë se buxheti është nën presione të vazhdueshme, kryesisht nga segmentet sociale, ku gjithkush kërkon përfitime të drejtpërdrejta dhe jo përftime që krijohen përmes punësimit. Për këtë arsye, tërheqin vërejtjen se kjo mund të shkaktojë edhe krizë të thellë ekonomike.

Drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë nuk ka pasur zhvillim ekonomik konform ndarjes që bëhet për kategoritë sociale.

“Pse është barrë e buxhetit për shkak të ngecjeve në zhvillim ekonomik? Ndoshta shuma prej mbi 300 milionë eurosh duket e madhe në krahasim më buxhetin total të Kosovës, i cili është mbi 1.8 miliardë euro, që i bie që 1/6 e buxhetit shkon për kategoritë sociale. Kategoritë sociale nuk mund të shkurtohen pasi ato i përcakton ligji, prandaj duhet të bëhet më shumë për rritjen e buxhetit. Me një buxhet prej 3 miliardë eurosh, shuma prej mbi 300 milionë eurosh nuk do të ishte barrë e madhe”, ka theksuar Ejupi.

“Autoritet e vendit duhet të krijojnë projekte për punësimin e personave që gjenden në kategoritë sociale, të cilët mund të jenë të punësuar.

“Nëse ka zhvillim ekonomik, nëse ka vende të lira pune, personat që marrin asistencë sociale do të largoheshin vetvetiu nga këto skema. Por, derisa nuk ka zhvillim ekonomik dhe nuk ka vende të reja të punës, domosdo që skemat sociale dhe numri i këtyre personave, për fat të keq, do të rritet dhe nuk do të zvogëlohet. E vetmja zgjidhje do të ishte që Qeveria të fokusohet në zhvillimin ekonomik”, ka thënë Ejupi.

Rritja e shpejtë e buxhetit për skema të ndryshme sociale është kritikuar vazhdimisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Përfaqësuesit e këtij institucioni kanë deklaruar se mjetet për skemat sociale, veçanërisht beneficionet e lidhura me katëgoritë e luftës, janë duke u bërë barrë e rëndë për Buxhetin e Kosovës.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)

One Response to “Kategoritë sociale – barrë e rëndë për Buxhetin e Kosovës”

Read below or add a comment...

  1. Puna ne te zeze says:

    Mafton te regjistrohen afersisht 320 mije punetor dhe disa mijera biznese qe nuk paguajn tatim…dhe ky problem uk do te ekzistoje.

Comment

*