Katër të vdekur gjatë protestave të dhunshme në Uashington

Uashington, 7 janar 2021 – Policia në Uashington njoftoi se katër veta e humbën jetën gjatë protestave të dhunshme që u mbajtën para dhe brenda ndërtesës së Kongresit amerikan, të mërkurën. Në mesin e viktimave është edhe një grua që u plagos brenda ndërtesës së Kongresit.

Shefi i policisë metropolitane Robert J. Conte, nuk e tregoi identitenin e gruas që u qëllua nga një polic në ndërtesën e Kongresit.

Mediat amerikane raportojnë se gruaja që u vra gjatë sulmit në Kongres ishte një veterane e Forcave Ajrore të SHBA-së. Mendohet se ajo u qëllua pasi hyri në ndërtesë së bashku me protestuesit e tjerë.

Vjehrra e gruas së ndjerë ka thënë për transmetuesin amerikan Fox5 se ajo kishte qenë mbështetëse e Trumpit.

Shefi i policisë metropolitane tha se tre të tjerët e humbën jetën për shkak të “emergjencave mjekësore”.

Conte tregoi gjithashtu se në mesin e të lënduarve janë edhe 14 pjesëtarë të policisë, zy nga të cilët janë duke u trajtuar në spitale.

Në një konferencë me gazetarë, Conte njoftoi se 52 veta janë arrestuar pas sulmit të mbështetësve të presidentit Donald Trump ndaj ndërtesës së Kongresit, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Ai tha se 47 arrestime u bënë për shkak të shkeljes së vendimit të kryebashkiakes Muriel Boëser për masën e shtetrrethimit. Disa të tjerë u arrestuan për armëmbajtje pa leje.

Përfaqësues të Shoqatës Historike të Kapitolit thanë se sulmi i së mërkurës ndaj ndërtesës së Kapitolit ishte më i dëmshmi që prej djegies së tij nga ushtria britanike, në vitin 1814.

(VOA / REL)

Comment

*