Katër zjarrvënës të Ambasadës Amerikane në Beograd dënohen me kusht, tre lirohen

Beograd, 14 nëntor 2017 – Gjykata e Lartë e Beogradit ka dënuar me 5 muaj deri 6 muaj burgim me kusht katër të akuzuar për zjarrvënie në Ambasadën Amerikane në Beograd në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, kurse tre të tjerë i ka liruar nga akuza si të pafajshëm, raporton Koha.net, duke iu referuar medieve serbe.

Për veprën penale “kundër sigurisë së përgjithshme” me nga gjashtë muaj burgim me kusht për dy vjet janë dënuar Dejan Vuçkoviq, Dragan Marinkov dhe Marko Novitoviq, ndërsa Millan Tomas u dënua me pesë muaj, edhe ky me kusht për dy vjet.

Gjorgje Tomin, Nikolla Kosanoviq dhe Filip Backoviq u liruan nga akuza, siç raportohet – për mungesë faktesh.

Turma serbe më 17 shkurt të vitit 2008, në ditën kur Kosova shpalli Pavarësinë, gjatë protestës para Ambasadës Amerikane, duke e konsideruar atë si mbështetësen kryesore të kësaj pavarësia, përveçse brohoritën parulla antiamerikane dhe “Kosova është Serbi”, ata e sulmuan Ambasadën edhe me gurë dhe ia vunë zjarrin, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme. Dëmet e vlerësuara më pastaj kapnin 900 mijë dollarë. (r.m.)

Comment

*