KEK-u gjendet para kolapsit financiar

Prishtinë, 1 dhjetor 2017 – Korporata Energjetike e Kosovës, e cila i ka afër 5 mijë të punësuar, rrezikon të dalë jashtë funksionit, për herë të parë pas një dekade operimi me sukses.

KEK po ballafaqohet me mungesë të prodhimit të qymyrit, me shpronësime të paligjshme të tokave me qymyr dhe me presion sindikal për rritjen e pagave dhe për punësim të detyruar të afër 200 punëtorëve të rinj nga fshatrat Hade e Shpitullë.

Të gjitha këto janë pasojë e vendimeve politike që e kanë gjenezën te zvarritjet e proceseve nga qeverisja e kaluar dhe më pas kalkulimet politike për vota në zgjedhjet e fundit nacionale dhe në ato lokale.

Qeveria e Kosovës tash e 14 muaj nuk ka arritur ta finalizoj procesin e shpronësimeve në Hade e në Shipitull. Si pasojë e kësaj, ekskavatorët e KEK-u nuk punojnë në hapjen e minierave të reja dhe, rrjedhimisht, nuk kanë mundur të sigurojnë rezerva të qymyrit për prodhim të energjisë elektrike.

 

KEK paralajmëron krizë financiare

 

Situatë të rëndë financiare paralajmërojnë vetë zyrtarët e kësaj korporate, të cilët thonë se po luftojnë që termocentralet të furnizohen me qymyr së paku gjatë dimrit.

“Në këtë rast, duke qenë të varur në tërësi nga prodhimi i energjisë elektrike, çdo mungesë e këtij prodhimi paraqet humbje direkte në të hyrat e planifikuara për mbulim të shpenzimeve, e cila nuk kompensohet nga askush”, ka thënë Skender Bucolli nga zyra për informim në KEK.

Sipas Bucollit, ndalesa mbi 14 mujore e punës së ekskavatorëve në zbulimin e qymyrit (heqjen e djerrinës), për shkak të bllokimit 3 vjeçar të zhvendosjes nga faktorët jashtë kontrollit te KEK-ut, ka shkaktuar dëme në performanc duke marr parasysh natyrën e punës dhe aspektet sezonale.

“Krejt kjo për shkak se dinamika e punës në djerrinë duhet zhvilluar kryesisht para fillimit te vjeshtës. Në këtë moment jemi duke bere përpjekje  maksimale për të siguruar qymyr për termocentralet gjatë dimrit”, ka paralajmëruar Bucolli, derisa ka thënë së vendimi i Qeverise së Kosovës për zhvendosjen e kësaj zone, nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës është duke u  implementuar në tërësi.

Sipas vendimit të Qeverisë, KEK-u e ka përgatitur Planin e rishikuar të Veprimit të Zhvendosjes, i cili është aprovuar nga MMPH si organ kompetent sipas procedurës në fuqi.

Por, Bucolli thotë se ende e presin bashkëpunimin e banorëve për pranimin e ofertave dhe përmbylljen e procesit.

 

KEK duhet t’i jap 13 milionë euro më shumë për shpronësime

 

Për këtë gjendje ka muaj që e ka ngritur alarmin Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, duke paralajmëruar kolapsin energjetik. Pra, për herë të parë nga paslufta, KEK-u rrezikon të dalë jashtë funksionit me të gjitha blloqet e termocentraleve, për shkak të mungesës së rezervave të qymyrit.

Kësaj situate i kanë ndihmuar ndërtimet e paligjshme në tokat me qymyr. Që nga viti 2004, me dijen e plotë të institucioneve, në zonat me qymyr në komunën e Obiliqit janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhjetëra ndërtesa.

Nga zyrtarët e KEK-ut vlerësohet se nga 4 milionë euro, sa ka qenë vlera e shpronësimeve, me ndërtimet e paligjshme, kjo vlerë ka shkuar në 17 milionë euro.

Të gjitha mjetet për shpronësime duhet t’i paguajë KEK-u.

Ndërtimet e paligjshme dhe mbi zona me qymyr janë kryer kryesisht në lagjen Krasniqi të fshatit Shipitullë dhe në lagjen Mirena të fshatit Hade, të dyja në komunën e Obiliqit.

Qeveria e kaluar e Isa Mustafës, pak muaj para se të shkarkohej, duke u bazuar në Ligjin për Shpronësimet, kishte marrë vendim të kompensonte pasuritë e banorëve të këtyre dy fshatrave, kurse pronarët që dyshohet se kanë ndërtuar shtëpi për të përfituar nga shpronësimet të ballafaqohen me prokurorinë e shtetit.

Por, këtë vendim të ish-kryeministrit Mustafa nuk e përfilli kryeministri Haradinaj. Në ditët e para të marrjes së pushtetit, Haradinaj shkoi në një takim me banorët e Hades dhe Shipitullës, duke e kthyer procesin edhe një herë në pikën zero dhe duke kërkuar nga KEK-u dhe nga mekanizmat tjerë në proces që të rifillojnë negociatat me banorët e këtyre dy zonave.

Haradinaj u dha të drejtë edhe atyre që tashmë janë duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit nën dyshimet se nuk janë banorë të këtyre fshatrave dhe kanë ndërtuar shtëpi deri në 700 metra katrorë, për të përfituar nga shpronësimet.

/Gazeta “Fjala”/

Comment

*