Keni në plan të paraqisni aplikim për arsye emigracioni? Bëjeni tani dhe shmangni tarifat që do të rriten.

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both (Për komunikim në shqip: [email protected])

 

Një gjykatë distriktuale në Kaliforni vendosi që të pengojë rritjen nga ana e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të tarifave të aplikimeve për emigracion mes të cilave dhe ato të aplikimeve për nënshtetësi dhe strehim politik. Rregullorja e DHS-së për tarifat, sipas së cilës tarifat për përfitime thelbësore nga emigracioni do të dyfishoheshin ose trefishoheshin, ishte caktuar që të hynte në fuqi më 2 tetor, 2020. Pengesa në fjalë nënkupton që tarifat e rritura, ashtu si dhe ndryshimet në formularë dhe linjat e veprimit që lidhen me rregulloren e DHS-së për tarifat, nuk do të mund të zbatohen në datën e lartpërmendur. Si pasojë, aplikantëve dhe peticionerëve nuk do t’u kërkohet të paraqesin versionet e ndryshuara të 2 tetorit, 2020 përkatësisht për formularët I-129, I-765, I-912, dhe N-600/N-600A. Për momentin, këto formularë të rishikuar do të gjenden në faqen e internetit të USCIS-it https://www.uscis.gov/forms thjesht për t’u parë paraprakisht, por jo për t’i përdorur/dërguar. Më 1 tetor, 2020, Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS) njoftoi që sa kohë që rregullorja e re është përkohësisht në vendnumëro, USCIS-i do të vazhdojë të “pranojë formularët e USCIS-it të versioneve aktuale me tarifat aktuale” si dhe “do të bazohet në rregulloret dhe udhëzimet që janë aktualisht në fuqi për të gjykuar aplikimet dhe peticionet”. Këtu përfshihet dhe pranimi i kërkesave për të mos paguar tarifat. Që prej 30 shtatorit, 2020, shumë njerëz kanë vrarë mendjen se për sa kohë akoma do të ndalohet zbatimi i rregullores së re. Fatkeqësisht, për diçka të tillë është e pamundur të flitet me siguri. Qeveria ka deri në 60 ditë kohë për të apeluar vendimin në fjalë. Deri tani, qeveria nuk ka dërguar asnjë kërkesë për apel lidhur me këtë çështje.

Vendimi ka rëndësi sepse më 3 gusht, 2020, USCIS-i nxorri rregulloren përfundimtare e cila rriste në mënyrë të ndjeshme tarifat e kërkesave për përfitime nga emigracioni si dhe për marrjen e nënshtetësisë. Rregullorja që duhet të hynte në fuqi më 2 tetor, 2020, nuk lejonte më përjashtime të caktuara që kishin të bënin me pagesën e tarifave, ndryshonte kriteret për përjashtim nga pagesa e këtyre tarifave, kufijtë kohorë për proçedurat e përshpejtuara si dhe modifikonte proçedura të caktuara të adoptimeve ndërvendase.

White, gjykatësi i gjykatës distriktuale në fjalë, tha se qeveria insistoi në rritjen e tarifave në mënyrë arbitrare pa marrë parasysh shqetësime të rëndësishme të ngritura nga paditësit dhe mijëra komentues që e kundërshtojnë këtë rregullore, mes të cilave përmendim ndikimin negativ që kjo rregullore do të kishte mbi popullatën e emigrantëve me të ardhura të ulëta si dhe mbi ata që kërkojnë strehim politik.

Fatkeqësisht, shumica e aplikimeve për të marrë autorizim për të punuar (I-765) që kanë për bazë strehimin politik vazhdojnë t’i nënshtrohen rregullores që është në fuqi që prej 25 gushtit, 2020. Aktualisht, tarifat për formularin I-765 për shumicën e kategorive të autorizimit për punë është $410 (pa përfshirë këtu tarifën për marrjen e të dhënave biometrike). Siç thuhet aktualisht në faqen e internetit të USCIS-it dhe në versionin e tanishëm të udhëzimeve të formularit I-765 (edicioni i datës 25 gusht, 2020), aktualisht aplikantët duhet të paguajnë $85 për të dhënat biometrike dhe në total $495, nëse kanë dërguar kërkesën për leje pune I-765 si pjesë të aplikimit për strehim politik për të cilin pritet ende të merret një vendim.

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet dhe pyetjet e vazhdueshme dhe në të ardhmen, në rubrikën tonë, do të përpiqemi t’i përgjigjemi sa më shumë pyetjeve që të jetë e mundur. Adresa elektronike është [email protected]

 

Comment

*